Hoti pas takimit me Lajçakun: E kemi mbështetjen e partnerëve për Asociacion pa kompetenca ekzekutive

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur në një konferencë për media pas takimit që ka pasur me emisarin special të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Hoti para mediave ka thënë se tema e Asociacionit është temë e vështirë në procesin e dialogut, shkruan lajmi.net.

Ai tha se për këtë proces duhet dakordim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, mirëpo se sipas tij Kosova nuk është palë e cila do ta bllokojë këtë proces.

“Vizita e Lajcakut në Prishtinë është për një vlerësim për procesin e dialiogit, dhe për agjendën e ardhshme në këtë proces . Nuk është proces i lehtë, ka tema të vështira siç është Asociacioni, mirëpo do të dakordohemi me të gjithë parnterët. Kosova nuk është palë që e bllokon procesin e dialogut, Kosova pas shumë vitesh është palë konstruktive, ne e dijmë pse kemi hyrë në këtë proces. Ne në këtë proces hyjmë vetëm për normalizim të plotë të raporteve me njohje reciproke”, ka thënë ai.Hoti madje tha se Kosova e ka mbështetjen e partnerëve që Asociacioni mos të ketë kompetenca ekzekutive.

“Asociacioni është temë e mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013, pastaj 2015 dhe opinionin e Kushtetueses. Kemi mbështetjen e partnerëve tanë që Asociacioni nuk do të jetë Asociacion me kompetenca ekzekutive. Nuk kam ndërru mendje, dhe nuk i nënshtrohem presioneve, nuk ka këtu asnjë çështje të presioneve. Jam këtu për të kryer punën time si kryeministër”, tha ai.