Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se janë takuar me Odat Ekonomike të Kosovës në mënyrë që të diskutojnë para marrjes së masave të reja anti-COVID.
Ai gjatë konferencës për medie ka thënë se gjendja nuk pritet të përmirësohet gjatë javëve të ardhshme, ndërsa përmendi si shembull shtetet në Evropë të cilat kanë ashpërsuar masat e parandalimit të përhapjes së coronavirusit.
Masat e marra sipas Hotit kanë dhënë rezultate pozitive, kurse u shpreh se gjendja është stabilizuar.
“Masat kanë prodhuar për rezultat të kënaqshëm, numri i rasteve të reja, së paku është stabilizuar, një rënie e lehtë, por mund të themi se është stabilizuar. Situata është nën kontroll dhe mjekët po e përballojnë fluksin e qytetarëve”, tha Hoti.
Ai tha se do të takojë profesionistët e shëndetësisë, IKSHPK-së e të SHSKUK-së, për të diskutuar masat e reja, krahas gjendjes së re.
“Situata nuk pritet të përmirësohet sa i përket pandemisë në javët në vijim, ne duhet të përgatitemi për javët e ardhshme. U takuam me Odat Ekonomike në mënyrë që para se të marrim masa të reja të konsultohemi me ta. Pas këtij takimi do të takohemi me profesionistët shëndetësor për të diskutuar për gjendjen me pandeminë. Mora rekomandime nga Odat dhe Shoqatat”, tha Hoti.
Ai tha se është diskutuar edhe orari i punës në gastronomi dhe mundësia e punës “Merr me vete”.
Ai u shpreh se janë dakorduar me Odat Ekonomike që të dizajnojnë masat për Pakon e re të Rimëkëmbjes.
“U dakorduam që të punojmë në dizajnimin e masave për Pakon e re të Rimëkëmbjes Ekonomike, dhe të finalizojmë masat për një pako te re fiskale që do të miratohej në janar. Kemi pranuar propozime, do të sistemohen dhe diskutohen së bashku para se të miratohen në Qeveri”, tha Hoti.