Hoti para kryetarëve të komunave: Rastet kanë rënë por s’e kemi mposhtur pandeminë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është duke mbajtur takim me kryetarët e komunave të Kosovës.

Ka filluar takimi i kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti me kryetarët e komunave të Kosovës, në të cilin takim do të diskutohet për mënyrën e fillimit të vitit të ri shkollor.

Në këtë takim, do të diskutohet edhe për mbështetjen financiare për komunat për të menaxhuar me pandeminë COVID-19.

Kryeministri ka falënderuar kryetarët e Komunave për angazhimin dhe për punën gjatë kësaj kohe kur vendi po përballet me pandeminë.

Ai tha se trendi i rasteve te reja ka filluar të bie, por që theksoi se numri i rasteve me fatalitet po vazhdon të jetë i lartë.

“Trendi i rasteve të reja ka filluar të bie, por kjo nuk është shenjë që ne i kemi dalë në krye dhe e kemi futur plotësisht në kontroll këtë pandemi, duke qenë se numri i rasteve me fatalitet fatkeqësisht po mbetet mjaftë i lartë dhe plot familje po humbin të dashurit e tyre. Jemi edhe para fillimit të vitit të ri shkollor, ministri i Arsimit me bashkëpunëtorët ë tij ka bërë një punë të mirë në studimin e përvojave të vendeve të ndryshme sa i përket fillimit të vitit të ri shkollor, duke pasur parasysh edhe shëndetin e nxënësve, të arsimtarëve në shkolla, po në të njëjtën kohë duke u siguruar që nuk mbetemi prapa sa i përket realizimit të plan programit dhe të sigurimit të cilësisë në arsim”, tha ai, raporton KP.

Pas përfundimit të fjalës së kryeministrit, mediat nuk janë lejuar të qëndrojnë në sallën ku po zhvillohet takimi.