Hoti nga Infektiva: Situata e tanishme është situatë lufte

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj kanë vizituar sot Klinikën Infektive.

Pas kësaj, Hoti deklaroi se do të bëjnë gjithçka që t’i qëndrojnë afër shërbimit spitalor në mënyrë që t’u ofrohen kushtet e duhura pacientëve të cilët janë të shtrirë në klinika.Hoti deklaroi se është lajm i mirë që s’paku dje nuk pati numër të madh të rasteve fatale si pasojë e COVID-19, transmeton lajmi.net.

Ai theksoi se kjo situatë e koronavirusit është një luftë mjaftë e vështirë për t’u kaluar.

“E vizituam klinikën për t’u informuar për aktivitetet që po merren lidhur me këtë situatë, që është situatë e luftës duke u përballur çdo dit me rrezik të madh, me viktimat. Shfrytëzoj rastin të them se po mundohemi që në bazë të nevojës të rrisim edhe efikasitetin në punë, për të përmirësuar shërbimin në QKUK dhe në spitalet regjionale ndaj pacientëve dhe nevojën për furnizim më të mirë me barna.Falënderoj të gjithë mjekët, infermierët, stafin teknik që janë në përballje me këtë pandemi tash e 8 muaj, i përgëzoj për punën e jashtëzakonshme e profesionale, dedikimin që kanë pas. Tash në përballje faktikisht me valën e dytë duhet të ngrisim nivelin e angazhimit në mënyrë që të angazhojmë sa më mirë këtë pandemi. Më vie mirë që numri i rasteve fatale dje s’ka qenë shumë i lartë krahasuar me regjion e vende të tjerë. Më vie mire që situata po menaxhohet mirë. Po bëjmë përpjekjet maksimale bashkë me stafin mjekësor që të përmirësojmë situatën dhe të bëhet furnizim i nevojshëm me oksigjen, por edhe të ofrojmë shtretër shtesë për të gjithë klinikat që kanë nevojë. Poashtu vazhdimisht po bëjmë përpjekje që të organizojmë stafin me mjek shtesë. Sa i përket qeverisë dhe ministrisë do të bëjmë gjithçka që t’u qëndrojmë afër dhe t’u plotësojmë të gjitha kushtet për kërkesat që kanë”, tha Hoti.

Gjithashtu kryeministri Hoti theksoi se do të jenë në bazë të rregullta në Klinikën Infektive, bashkë me drejtorin, ministrin dhe stafin mbështetës për të parë të gjitha veprimet që duhet të ndërmerren e t’u ofrohen shërbimet e duhura pacientëve.