Hoti në Washington: Pritjet nga takimi i sotëm janë shumë pozitive

Kryeministri Avdullah Hoti para takimit me delegacionin e Serbisë në Washington ka thënë se pritjet nga takimi i sotëm janë shumë pozitive.

Ai tutje ka shtuar se marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik është hap pozitiv nga i cili mund të arrihet njohja reciproke.

“Sot fillojmë me shumë pozitivitet takimin në Shtëpinë e Bardhë, diskutuam projektet e zhvillimit ekonomik mes të dyja vendeve. Pritjet i kemi jashtëzakonisht pozitive. Do të keni informata sapo të kryejmë raundin e parë të takimit. Asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë përveç se për njohje reciproke. Unë besoj që marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik është një hap më afër normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve me Serbinë dhe që është vetë njohja reciproke”, ka thënë ai.

Nikoqirë të takimit do të jenë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.