Hoti në Samitin e Parisit: Territori i Kosovës dhe Kushtetuta, të paprekshme

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti bashkë me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë marrë pjesë në Samitin e Parisit që është organizuar nëpërmjet video-konferencës nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron si dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij të bërë publike për media, kreu i Qeverisë së Kosovës pasi ka folur rreth situatës me koronavirusin e ri (COVID-19) në Kosovë, ka prezantuar tri parimet kryesore për dialogun, në të cilat thuhet se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe nuk mund të jetë pjesë e negociatave, “rendi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket” dhe se marrëveshja finale me Serbinë “duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Hoti ka thënë se Qeveria nën udhëheqjen e tij ka hequr “barrierën” për rifillimin e këtij dialogu që ishte tarifa 100 për qind e vendosur për mallrat serbe, por ka cilësuar si problematike fushatën e Serbisë për çnjohje të shtetësisë së Kosovës si dhe për të penguar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se dialogu nuk ka tjetër alternativë, por ka përmendur disa objektiva siç është sigurimi i ulëses në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Kosovën, të cilat synohen të arrihen nga marrëveshja finale pas këtij dialogu.

“Marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të rezultojë me njohje reciproke. Pa një përfundim të tillë të këtij procesi Marrëveshja nuk mund të ketë sukses. Njohja e ndërsjellë midis dy vendeve është mënyra e vetme për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të shtruar rrugën e të dyja vendeve drejtë integrimit në BE”, tha Hoti.

Përveç kësaj, Hoti në fund ka shtuar se duhet të zgjidhet edhe fati i personave të pagjetur dhe të vendoset drejtësi për të gjitha viktimat e të gjitha formave të dhunës që “janë ushtruar nga Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë”, teksa ka theksuar se mbi bazën e këtyre parimeve, Kosova është e gatshme që të vazhdojë tutje dialogun drejtë një marrëveshjeje finale.