Hoti kundër shfuqizimit të Speciales: Drejtësia s’duhet penguar, me të duhet përballje

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është pyetur sot në Tiranë nga gazetarët lidhur me qëndrimin e tij për një tentativë tjetër për shfuqizimin e Speciales.

Pyetje iu drejtua Hotit në kontekstin e kërkesës së Organizatës së Veteranëve të Luftës, të cilët do të protestojnë më 9 korrik në Prishtinë, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, Hoti tha se e drejta për protestë është e drejtë elementare, por që sipas tij Kosova ka treguar kulturë në respektimin e obligimeve ndërkombëtare.

Në  këtë formë, Hoti tha se nuk duhet bërë veprime për pengimin e drejtësisë, por që duhet përballur me të.

“Dialogu nuk ka alternativë. Sa herë që ftohem në Bruksel e Uashington unë shkoj. E drejta për protestë është e drejtë elementare. Por sic kemi treguar kulturë për t’i respektuar obligimet ndërkombëtare, do të sillemi njësoj. Nuk është e udhës për të bërë veprime për të penguar organet e drejtësisë, por duhet përballur me to”, tha Hoti.

Hoti më herët gjatë kësaj konference foli edhe për takimin e dytë në Uashington.

Ai tha se agjenda e të njëjtit fillimisht do të jetë ekonomike e më pas politike.