Hoti: Çështja e të zhdukurve tema kryesore në çfarëdo marrëveshje me Serbinë

Me rastin e 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti priti sot në takim përfaqësuesit e Këshillit koordinues të shoqatave të familjarëve të të pagjeturve, të kryesuar nga Ahmet Grajçevci, kryetar.

Hoti tha se përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe angazhimi për zbulimin e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, ka qenë dhe vazhdon të jetë prioritet i përhershëm.

“Jemi të vetëdijshëm se kjo është një çështje shumë e ndjeshme, një kapitull i dhembshëm për te gjithë ne, prandaj jemi duke bërë përpjekje maksimale që çështja e të pagjeturve pashmangshëm të jetë pjesë e marrëveshjes së mundshëm me Serbinë”, theksoi kryeministri Hoti, duke shtuar se çështja e të pagjeturve mbetet plagë e hapur e shoqërisë tonë dhe ju siguroj se vëmendja dhe kujdesi ynë për këtë çështje nuk do të mungojnë derisa të mbyllet përfundimisht kjo çështje, shkruan lajm.net.