Ministri i Financave Avdullah Hoti sot në Konferencë për Media ka sqaruar në lidhje me shqetësimet e ngritura për Ligjin për pagat në sektorin publik, ku bëri të ditur se me Ligjin e pagave askujt nuk i ulet paga, e në veçanti në kategorinë e Arsimit, Shëndetësisë, Policisë, Doganës dhe Tatimeve, Shërbimit korrektues, Forcave të armatosura, si dhe në kategorinë e Drejtësisë.
Ai bëri të ditur se Ligji i pagave është ligji më i rëndësishëm i reformës së administratës publike. Sipas tij mbi 80 mijë persona marrin paga rregullisht nga buxheti i shtetit.
“Buxheti për paga është në rritje. Buxheti për paga më 2017 është për 83 mil më i lartë se më 2014, apo 17% më shumë. Po zbatojmë kontratën kolektive për përvojën e punës, që kushton rreth 35 mil në vit”, shtoi ministri Hoti.
Ministri i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se “Punësimi në kategoritë kryesore është 26,000 persona të punësuar në arsim para-universitar, 11,000 persona të punësuar në shëndetësi, 18,000 shërbyes civil, 2,700 forca të armatosura, ,600 forca policore, Organet e drejtësisë, Arsimi i lartë, Shkenca dhe Kultura, Doganierët dhe Inspektorët tatimorë, Diplomacia, Shërbimi korrektues, Zjarrfikësit dhe të tjerë”.
Me këtë rast ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se me këtë ligj Pagat do të harmonizohen, “Për shembull, një zyrtar duhet të ketë pagë të njëjtë në të gjitha institucionet. Një zyrtar i tillë paguhet: 520 në Ministri të Financave, 800 euro në një institucion tjetër publik, dhe arrin në 1200 në ndonjë agjenci ose rregullator”, shtoi ministri Hoti.
Sipas tij parimi i Ligjit për Pagat është “Pagë e njëjtë për punë të njëjtë”.
Ministri Avdullah Hoti edhe njëherë sqaroi se “Duhet të harmonizohen pagat në mes të agjencive të pavarura: 32 institucione dhe agjenci të pavarura të Kuvendit dhe 46 organe qendrore dhe trupa në kuadër të Qeverisë dhe Ministrive. Përveç pagës bazë, shumë të punësuar marrin shtesa të ndryshme. Me këtë ligj rregullohet mënyra e përfitimit të këtyre shtesave dhe niveli i shtesave: Shtesat për kushtet e tregut të punës, Shtesat për rrezikshmëri, Shtesat për pozitat menaxheriale.
“Shtesat e rrezikshmërisë nuk do të preken, në veçanti: Policia, Dogana dhe tatimet, Organet e drejtësisë, prokuroria dhe gjyqësia, dhe kategoritë e tjera”, shtoi ministri Hoti.
Ai gjithashtu bëri të ditur se me këtë ligj pagat nuk do të jenë diskrecion i vendosjes nga vetë personat që marrin ato paga, por çdo i punësuar e din pagën e vetë.