Në orët e mëngjesit, sot me rastin e 17 shkurtit, nëntë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, zyrtarë të lartë të shtetit si dhe qytetarë të shumtë bënë homazhe tek memoriali “Adem Jashari”, në Prekaz, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Financave Avdullah Hoti, ai i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala si dhe zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj sot bëri homazhe tek varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz.
Kryeministri Mustafa me këtë rast tha se kjo është një ditë e madhe për të gjithë ata që u flijuan për shtetin e Kosovës, duke theksuar para së gjithash sakrificën e familjes Jashari dhe për lirinë e këtij vendi.
“Ne gjithmonë do t’i kemi parasysh luftëtarët e lirisë, do t’i kemi parasysh të gjithë ata që e shterrën mendjen e tyre dhe dhanë jetën e tyre për shtetin e Kosovës në mënyrë që vlerat që ne do t’i ndërtojmë tani dhe të ardhmen të jenë vlera që ata i kultivuan në Kosovë dhe do t’i kultivojmë në të ardhmen me gjeneratat e reja”, tha Mustafa.
Vepra e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe të familjes së tij sot u nderua edhe nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli dhe eprorët e lartë të FSK-së, si dhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Sipas Demollit sot nëntë vjet pas pavarësisë së Kosovës, ëndrra e Jasharajve dhe të gjithë luftëtarëve që vuajtën dhe dhanë kontributin e tyre për liri është realizuar. Kurse kryetari Lladrovci tha se sot në Prekaz po nderohet sakrifica e madhe e familjes Jashari, si dhe gjaku i derdhur i të gjithë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku sipas ky është “Gjak mbi të cilin po e festojmë pavarësinë e Kosovës”.
Ndryshe, Adem Jashari lindi në fshatin Prekaz të komunës së Skenderajt në Kosovë, Ai është një nga arkitektët kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Së bashku me të vëllain e tij Hamzën, Adem Jashari ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore-ushtarake serbe. Forcat policore jugosllave dhe Ushtria Jugosllave e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Jashari heroikisht ra së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij. Ai mban titullin “Komandanti Legjendar i UÇK-së”.
Kosova 9 vjet pavarësi
Lufta e përgjakshme e filluar pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, së pari në Kroaci e pastaj në Bosnje, më pas u përhap edhe në Kosovë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare dhe ndërhyrja ajrore e NATO-s në pranverë të vitit 1999 i dhanë fund fushatës së Serbisë, e cila rezultoi me vdekjen e mbi 10 mijë shqiptarëve dhe braktisjen e shtëpive nga më shumë se 800 mijë të tyre. Që nga qershori i vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK.
Ndërkaq 10 vite pas luftës, pas propozimit të Martti Ahtissarit, përfaqësuesit special për statusin e Kosovës për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës si dhe pas disa raunde bisedimesh, Kuvendi i Kosovës përmes një deklarate të nënshkruar nga deputetët e Republikës, veç atyre serbë, shpallën Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Tani pavarësia e Kosovës njihet nga 113 shtete, kurse Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e saj. Ndërkaq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian vazhdojnë negociatat dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ku pala kosovare, si përfundim i kësaj pret që të ketë njohje reciproke.