Homazhe në kompleksin “Adem Jashari”, liderët politikë e quajnë Prekazin ikonë të pavarësisë

Për nderë të 13 vjetorit të pavarësisë, liderët politik kanë bërë homazhe në në kompleksin “Adem Jashari”, në Prekaz.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, për 56 të rënët e kësaj familje, në 13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ai tha se janë sakrifica më sublime qe mund të bëjë dikush për pavarësinë e vendit.

“Sot bëmë nderime këtu tek të rënët e familjes Jashari. Në këtë kompleks për të nderuar familjen Jashari për sakrificën më sublime, më të lartë që mund të bëjë dikush për pavarësinë e vendit. Duke nderuar këta ne nderojmë të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Hoti.

Edhe u.d e presidentes, Vjosa Osmani e shoqëruar nga lideri i LVV-së, Albin Kurti kanë vendosur kurora lulesh në varrezat e familjes Jashari.

Ata vlerësuan lart jetën dhe veprën e komandantit Adem Jashari, familjes së tij dhe gjithë viktimave të gjenocidit serb në Kosovë.

Osmani tha se kompleksi memorial “Adem Jashari”, ku prehet komandanti Adem Jashari dhe familja e tij, është ikonë e lirisë së Kosovës.

Ajo tha se familja Jashari është simbol i sakrificës më sublime të popullit shqiptar për liri.

“Në këtë përvjetor të pavarësisë së shtetit tonë, përkulemi para veprës dhe heroizmit të komandantit legjendar, të gjithë UÇK-së, të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri dhe para sakrificës të gjitha viktimave civile të popullit tonë, të cilët ranë në mënyrë që ne sot të gëzojmë shtetin tonë të pavarur”, tha Osmani.

Ndërsa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se Prekazi është vendi i kushtrimit për çlirim, që e dëshmon më së miri sesa i lartë është çmimi i lirisë.

“Tre brezat e familjes Jashari luftuan dhe u sakrifikuan, gjysma e tyre burra e gjysma gra dhe fëmijë, dhe duke u rikthyer këtu ne e bëjmë më të fuqishëm shtetndërtimin demokratik, zhvillimin socio-ekonomik dhe drejtësinë institucionale sepse i tillë është edhe amaneti i dëshmorëve dhe dëshirat e popullit tonë”, tha Kurti.