Holandë, përkujtohen gazetarët dhe fëmijët pa’lestinezë të vr’arë nga su’lmet iz’raelite

Në qytetin Hilversum të Holandës u mbajt aktivitet përkujtimor për gazetarët dhe fëmijët palestinezë të vrarë në sulmet e Izraelit në Gaza dhe Bregun Perëndimor, raporton Anadolu.

Në aktivitetin e organizuar nga “Fondacioni Mbill një Pemë Ulliri” në Holandë, përballë Sheshit Mediapark në Hilversum dhe ndërtesës së transmetuesit publik NPO, u përkujtuan gazetarët dhe mijëra fëmijë që kanë humbur jetën në sulmet izraelite në Gaza dhe në Bregun Perëndimor.

Për të tërhequr vëmendjen ndaj gazetarëve dhe fëmijëve të vrarë, në shesh u ekspozuan fotografi dhe emra të gazetarëve të vrarë në sulmet izraelite. Në shesh u vendosën edhe mijëra këpucë fëmijësh.

Në këtë aktivitet u lexuan emrat dhe moshat e gazetarëve dhe fëmijëve që kanë humbur jetën në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Në shesh u ekspozua edhe fotografia e Muntasir al-Sawvaf, kameramanit 33-vjeçar të Anadolus, i cili vdiq në një sulm ajror izraelit teksa shërbente në Gaza.

Vullnetarët shpërndanë broshura dhe u dhanë informacion kalimtarëve për ngjarjet në Gaza.

Menaxherja e Fondacionit Mbill një Pemë Ulliri, Esther van der Most, tha për Anadolu se ky organizim ishte ceremonia e dhjetë përkujtimore për fëmijët palestinezë të vrarë në sulmet e Izraelit në Gaza.

Van der Most deklaroi se gazetarë, si dhe fëmijë, janë vrarë nga Izraeli në Gaza dhe Bregun Perëndimor. “Përveç këpucëve që lamë në Sheshin Mediapark, ne ekspozuam fotografi para ndërtesave të mediave të ndryshme, në kujtim të 194 gazetarëve palestinezë të vrarë në 13 muajt e fundit. Kjo është një shifër e paprecedentë. Fundjavën e kaluar u vranë edhe katër gazetarë të tjerë palestinezë”, tha ajo.

Duke vënë në dukje se një gazetar palestinez vritet nga Izraeli çdo dy ditë, van der Most tha: “Palestinezët jo vetëm që heshten, ata vriten në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe kur vrisni gazetarët, ju në fakt shkatërroni të vërtetën dhe shpërndarjen e fakteve”.

Ajo theksoi se mediat në Holandë i kushtojnë shumë pak vëmendje gjenocidit që po ndodh në Gaza.

“Në fakt, ligji ndërkombëtar dhe të drejtat e rezistencës nuk lejohen të diskutohen dhe shpesh flitet sikur gjithçka të ketë filluar më 7 tetor 2023, ndërkohë që pushtimi ka vazhduar për dekada. Populli palestinez ka qenë nën shtypje që nga viti 1948”, u shpreh van der Most.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 janë vrarë 43.341 palestinezë, përfshirë 17.210 fëmijë dhe 11.742 gra, ndërsa 102.105 të tjerë janë plagosur.