Holandë, mijëra persona protestuan kundër politikave për klimën

Rreth 40 mijë persona nga qytete të ndryshme të Holandës u mblodhën në kryeqytetin Amsterdam për të protestuar kundër politikave për klimën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të “Marshimit 2021 për klimën” të organizuar me mbështetjen e organizatave të ndryshme të shoqërisë civile, rreth 40 mijë persona të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit u mblodhën në sheshin “Dam” të qytetit.

Duke përdorur rrugët kryesore, protestuesit nga çdo moshë marshuan drejt Westerpark.

Protestuesit bënë thirrje që në Konferencën e 26-të (COP26) të Palëve të Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike të merren vendime më efektive për mjedisin.

Duke protestuar kundër politikave të qeverisë holandeze për klimën, protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrime: “Nuk ka planet të dytë”, “Mbani botën pastër përndryshe nuk rriten filizat”, “Lëreni paranë, shikoni mjedisin”, “Ndryshoni klimën politike”, “Mbro të ardhmen e brezave tanë”, “Paralajmërim global, kalo në veprim” dhe “Shpëto klimën pa mbetur vonë”.

Gjatë marshimit me pankartën me mbishkrim “Luftë për drejtësinë klimatike”, protestuesit gjatë marshimit të tyre brohoritën me sloganet: “Çfarë kërkojmë? Drejtësi klimatike. Kur e duam? Tani”.

Nëpërmjet pankartave që mbanin në duar duke vënë në dukje se temperatura globale do të rritet më shumë se 1.5 gradë Celsius në një kohë të shkurtër, protestuesit kërkuan nga politikanët marrjen e masave emergjente.

Policia shoqëroi protestuesit gjatë aktivitetit dhe mbylli trafikun në disa rrugë mbi destinacionin e marshimit. /aa