Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se qendrat shëndetësore në Amsterdam dhe Den Haag kanë filluar vaksinimet e para kundër virusit të lisë së majmunit
Në Holandë ka filluar vaksinimi i personave të grup-moshave në rrezik kundër lisë së majmunit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Instituti i Shëndetit Publik dhe Mjedisit Jetësor (RIVM) njoftoi se qendrat shëndetësore në Amsterdam dhe Den Haag kanë filluar vaksinimet e para kundër virusit të lisë së majmunit.
Ditën e parë në Amsterdam, 50 persona do të vaksinohen kundër virusit të lisë së majmunit ndërsa 100 persona do të vaksinohen çdo ditë në vijim. Në njoftim thuhet se deri më tani për vaksinim janë paraqitur 32 mijë persona.
Vaksina do të jepet në dy doza ndërsa e dyta do të bëhet katër javë pas të parës.
Holanda momentalisht në dispozicion ka 70 mijë vaksina kundër lisë së majmunit Imvanex, të cilën e ka zhvilluar kompania daneze Bavarian Nordic, të cilën e ka miratuar Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
Sipas të dhënave që RIVM i publikoi më 21 korrik, virusi i lisë së majmunit është zbuluar tek 712 persona në Holandë.
Lija e majmunit është sëmundje ngjitëse të cilën e shkakton virusi i ngjashëm me linë e madhe. Sëmundja është identifikuar në vitin 1958 në kolonitë e majmunëve që janë përdorur për hulumtime. Rasti i parë i lisë së majmunit tek njerëzit është regjistruar në vitin 1970 në Republikën Demokratike të Kongos. /aa