Zgjedhjet në Holandë konsideroheshin si të parat e tre testeve kyçe për të ardhmen e Europës, por mundja e partisë ekstremiste të Geert Wildersit tregoi, sipas ekspertëve, se viti i të ashtuquajturave ‘superzgjedhje’ nuk do të rezultojë fatal, siç pritej.
Analisti Janis Emmanouilidis, nga Qendra e Politikave Europiane, thotë se trumfi i liberalëve përballë platformës anti-BE dhe anti-islami në Holandë, zbut frikën e fitores së partive të ekstremit të djathtë në vende të tjera, si Franca apo Gjermania ku do të votohet së shpejti.
“Mendoj se krahasuar me frikën që përjetuam në 2016-n pas Brexit dhe zgjedhjes së Donald Trumpit President, ajo se viti i superzgjedhjeve në Europë mund të shkojë drastikisht më keq, nuk po rezulton e saktë”, thotë ai.
Rezultati nuk ishte vetëm një zhgënjim për Wilders, i cili kryesoi sondazhet deri në ditët e fundit të fushatës, por edhe për Frontin Nacional në Francë dhe AFD-në në Gjermani, që shresonin që zgjedhjet holandeze të ishin preludi i një epoke të re në Kontintentin e Vjetër.
Vetë Marin Le Pen preferoi të heshtte dhe reagimi i parë i partisë ishte ai i Sekretarit të Përgjithshëm Nicolas Bay, i cili e vuri theksin tek rritja e vendeve në Parlament të fituara nga partia nacionaliste e Wildersit.
Ndërsa liderja e partisë populiste gjermane AFD, Frauke Petry pranoi se rezultati nuk ishte ai që pritej, por shtoi se platforma politike e Wildersit kishte përcaktuar zgjedhjet e këtij viti në Holandë. Fitorja e Kryeministrit Mark Rutte u reflektua edhe në bursa ku euro shënoi rritje.