Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Holandës ka konfirmuar vendimin e mëparshëm për fajësi të pjesshme të shtetit të Holandës për vdekjen e boshnjakëve të cilët u përpoqën të gjejnë shpëtim në bazën e batalionit holandez në Potoçari, pas rënies së Srebrenicës në korrik të vitit 1995, raporton Anadolu Agency (AA).
Batalioni holandez ka qënë në njohuri se 350 burrat, të cilët i dërguan nga baza në Potoçari, ishin të ekspozuar ndaj një rreziku serioz të sulmit të njësive ushtarake të Republikës Sërpska dhe vdekjes.
Gjykata e Lartë sot konfirmoi se Dutchbat është dashur të ofrojë mundësinë e akomodimit në bazë për 350 burra. Me këtë lëshim, batalioni holandez u ka shkurtuar mundësinë që të mbeten larg duarve të ushtrisë së serbëve të Bosnjës e Hercegovinës. Gjykata konsideron se këto gjasa ishin të vogla, por që nuk mund të anashkalohen.
“Gjykata e Lartë konsideron se këto gjasa ishin 10 për qind, pasiqë më parë gjykata vlerësoi se këto gjasa ishin 30 për qind. Kështu, shteti është përgjegjës për 10 për qind të dëmit që kanë përjetuar viktimat. Familijarët e mbijetuar mund të marrin kompensim nga shteti”, thuhet në vendimin gjyqësor.
Gjykata konstaton se batalioni holandez nuk ka mundur t’i parandalojë ushtarët e serbëve të Bosnjës për t’i arrestuar.
“Batalioni holandez ka qenë në një pozicion jashtëzakonisht të vështirë, sepse holandezët ishin me armatim të lehtë përballë një force më të madhe serbe dhe me armatim të rëndë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë në Hagë.