Holanda i kthen Etiopisë kurorën e shekullit 18-të

Holanda i ka rikthyer Etiopisë një kurorë solemne, që dyshohet e vjedhur dhe që i përket shekullit të 18-të, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, pranoi artifaktin nga Sigrid Kaag, ministri holandez për tregtinë e jashtme dhe zhvillimin e bashkëpunimit.

“Holanda bëri gjënë e duhur duke i rikthyer reliktin pronarit të ligjshëm, Etiopisë”, tha Abiy.

Sirak Asfaw, një etiopian që erdhi në Holandë si azilkërkues, e gjeti kurorën në vitin 1998 në valixhen e një vizitori.

Sirak nuk dëshironte t’ia kthente reliktin qeverisë së atëhershme në Etiopi nga frika se mund të ishte përfshirë në vjedhje dhe e mbajti kurorën të fshehur në shtëpinë e tij në Roterdam për më shumë se dy dekada.

Zyra e kryeministrit të Etiopisë gjithashtu vlerësoi Sirak për rolin që luajti në procesin e kthimit të reliktit të çmuar në Etiopi.

Detajet se si, pse dhe nga kush ishte marrë relikti nga Etiopia mbeten të paqarta.

Sirak ka jetuar në Holandë për 41 vjet.