Ballina Autorë Hixhreti, ky çast guximi!

Hixhreti, ky çast guximi!

Abdullah Klinaku

Shkruan: Abdullah Klinaku

Hixhreti – emigrimi i Pejgamberit s.a.s dhe besimtarëve nga Mekka në Medine, ka refleksione shumë dimensionale. Në fakt sikur të mos kishte ndikim aq të madh, as largëpamësia e Umerit r.a. nuk do ta caktonte si datë të njehësimit të kalendarik islamik. Me hixhretin e Pejgamberit s.a.s u vun themelet e shtetit të drejtësisë dhe besimit. Me hixhretin e Pejgamberit s.a.s. nisi aksioni islam, përderisa ishte ngulitur flaka e guximit në shpirtërat e besimtarëve. Hixhreti ishte momenti kur aq sa ndryshojë jetërat e besimtarëve, ndryshojë edhe rrjedhen historike të njerëzimit. Nga ky moment njerëzimit ju ofrua e vërteta dhe u shpërnda në të katër anët e botës. Hixhreti ishte pikënisja e reformimit të rendit botëror, dhe krejt kjo ndodhi sepse hixhreti besimtarëve ua mësojë guximin.

Emigrimi prej Mekes në Medine, ishte largimi prej vendit të lindjes. Prej rahatisë. Ishte largimi prej farefisit e familjarëve. Ishte koha kur niseshin besimtarët në rrugët e pa sigurta. Dhe shkonin po ashtu në vendin që nuk e dishin sa ka siguri. Hixhreti ishte çasti kur guximi morri trajtë. Ishte momenti kur u shpërfaq guximi. Zoti i Madhërishëm, përmes fjalës së Tij vuri themelet e guximit kur Pejgamberi s.a.s e inkurajoi Ebu Bekrin r.a. duke i thënë bindshëm “..mos u pikëllo se Allahu është me ne…”. Ky ishte themeli i guximit. Pa guxim nuk kishte pas as hixhret e hixhreti nuk mund të ndodhte pa pas guxim për të ndryshuar.

Përderisa hixhreti është mësim për të gjitha kohërat, një element që duhet ta mësojmë, ta përvetësojmë dhe ta ushtrojmë praktikisht është guximi. Sot shoqëria jonë, nuk vuan nga mos dija, e as nga mungesa e informacionit. Sot ne vuajmë si rezultat i mungesës së guximit. Sot nuk guxojmë të mendojmë lirshëm. Nuk kemi guxim të flasim të vërtetën. Nuk kemi guxim të nisim ndryshimin duke u larguar nga e keqja. Sot kemi aq pak guxim sa që duhanxhiu as duhanin nuk e braktisë për shkak të mungesës së veprimit të guximshëm karshi parimeve fetare që beson. Mungesa e guximit nuk është e imponuar prej të tjerëve por prej egoizmit tonë. Mos guximi sot vjen si rezultat i deficitit të theksuar të vlerave shpirtërore. Përderisa njerëzit, studentët, turmat e populli kërkon guxim ne atyre u ofrojmë pa siguri. Dhe krejt kjo si rezultat i mungesës së guximit intelektual, moral e politik.

Intelektuali i sotshëm merrë dhe jep për fenë aq sa ka interes dhe përftim. Flet për fenë, ligjëron për fenë, perfmormon në emër të fesë, por kur çështjeve u shtohet ndjeshmëria, ata nuk guxojnë të flasin, të dhanë qëndrime apo ta mbrojnë një element të caktuar të kauzës islame. Krejt kjo ndodhë sepse mungon guximi për të artikuluar mendimin. Të gjithë intelektualët duhet të reflektojnë dhe ta ndjejmë dallimin mes guximit tonë dhe guximit të Ebu Bekrit r.a., Esmas bin Ebu Bekr e shumë besimtarëve që guximshëm morrën rrugën e sakrificës. Aliu r.a. vendosi veten në shtratin e sakrificës e vetflijimit deri sa Pejgamberi s.a.s morri rrugën e migrimit. Sa intelektual sot e vendosin veten në arenën e ballafaqimit me guxim për ta sakrifikuar të paktën egon e tyre. Në vendin tonë, të pa drejtit udhëheqin në shumë sektorë, të pa dijshmit flasin, të pa lexueshmit shkruajnë e të pa ndershmit moralizojnë, për shkakun që inetelektualve të vërtetë, të drejtë e të ndershëm u mungon guximi për thënë dhe për të vepruar me guxim të drejten, të vërteten e të ndershmen.

Diku shkelen liritë fundamentale të njeriut, diku tjetër shkelen liritë fetare e diku tjetër therren njerëzit, bombardohen fëmijët, vriten gra e pleq, por zëri për drejtësi nga politika nuk dëgjohet fare sepse mungon guximi politik. Sot kemi politikan pa pikë guximi, por ç’na e rikujtojnë këta hixhretin, kur e dinë që besimtarët e parë me guxim nisën një shtet e besimtarët e sotshëm politikan nuk luftojnë as të keqen më të vogël në mungesë guximi. Fotografitë e Alanit, si dëshmi e dhjetëra mijëra fëmijëve sikur ai që vriten nëpër shtëpi, nëpër rrugë, nëpër shkolla e nëpër spitale që vdesin nëpër detëra, kufijë e male, janë thirrje për ndërgjegjësim të politikës globale. Janë thirrje për guxim të polikës së besimtarëve. Derisa të gjithë e shohim këtë realitet që na rrethon e kemi të qartë që çdo intelektual, fetar, dijetar e politikan e ka të dijshme se çfarë po ndodhë me botën islame, me botën perëndimore, se çfarë po ndodhë në përgjithësi me njerëzimin por nuk e ka guximin e mjaftueshëm për të nis ndryshimin.

Guximi është hapi i parë i ndryshimit. Njerëzit duhet të guxojnë që të shpresojnë fillimisht. Duke pas guxim e shpresë ata sjellin ndryshimin. Sot jemi futur në shpellën e kotësisë, e është koha të futemi në shpellën e “Thevrit” për ta kuptuar që nuk kemi pse të pikëllohemi sepse Zoti është me ne. Guximi i Ebu Bekrit, duhet të jetë model për burrat e sotshëm. Guximi i Aliut r.a. duhet të jetë motivi i rinisë së sotshme. E guximi i Esmas duhet të jetë themeli i ndryshimit të pozitës së gruas në shoqërinë e sotshme. Ata kishin guxim dhe morrën hapin që ndryshoi historinë islame dhe atë të njerëzimit. Sot, a kemi guximin që në ditën e ndryshimit të madh të historisë islame të nisim ndryshimin e vetes sonë dhe ambientit që na rrethon. Sot, bota ka nevojë për shpërngulje nga e keqja, por mbi të gjitha ka nevojë për guximin që kultivoi hixhreti për të realizuar ndryshimin e shumë pritur nga njerëzimi.

 

 

Exit mobile version