Hixhreti – Burim i përjetshëm i frymëzimeve tona

Mr. Muhidin Ahmeti (r.a)

Hixhreti është një ligj universal i pandryshueshëm i All-llahut (xh. sh.), është tradita, rruga, fati dhe sunneti i të gjithë Pejgambereve.

Nuk ka ndonjë pejgamber që nuk pati Hixhret. Për shembull, në esencë i tillë ishte hixhreti i Nuhit, Hudit, Salihut, Ibrahimit, Lutit, Musaut, Isaut (a. s.) dhe Muhammedit (a. s). Të gjithë këta bartës të Fjalës së Zotit u desh të kalonin rrugën e mundimshme të Hixhretit, sepse ajo ka qenë strategji e domosdoshme e misionit të tyre pejgamberik. Çdo luftë në mes së mirës dhe së keqes, drejtësisë dhe padrejtësisë bëhet në lëvizje. D.m.th. në mënyrë dinamike e jo statike.
Kështu Ademi (a. s.) u detyrua të lëshojë Xhennetin e qetë (paqësor) dhe të vijë në Tokën e trazuar, për arsye se e kishte shkel fjalën. Vetëm atëherë e kuptoi rëndësinë e ligjit të All-llahut dhe rrezikun e epshit njerëzor. Zoti (xh. sh.) i tha mund të kthehesh në Xhennet nëse do të besojë All-llahun dhe respektojë ligjin e Tij.
Kjo është porosia kryesore që duhet ta marrim nga Ademi (a.s.) – respektimi i ligjit sjell qetësi (paqe), – dorëzimi epsheve sjell shqetësim (rrëmujë). Të shkelësh fjalën tënde do të thotë të dobësosh besimin tënd, të lejosh të të shkelet besimi, do të thotë të pajtohesh që të të përlyejnë shpirtin. Fjala e shkelur është si pema e thyer. Shpirti i përlyer është si fleta e tharë, të cilën edhe era më e lehtë do ta bartë andej e këndej.
Nuhi (a. s.) në mënyrën më të thellë parandjeu dhe parashikoi tmerret e Tokës së trazuar për shkak të gjynaheve të njerëzve: “Për shkak të veprave të këqija të njerëzve, është shfaqur rrëmujë (skamje, katastrofa e fatkeqësi) në tokë e në det…” (Err-Rrum, 41). Por edhe më së miri e kuptoi domosdoshmërinë e nënshtrimit udhëzimeve të All-llahut. Nga Nuhi (a. s.) mësojmë që nuk duhet të rrimë e të presim që t’ na përmbyt uji, por duhet të ngrihemi e të bëjmë anijen sipas frymëzimit të All-llahut, duke mos çarë fare kokën për ata që janë zhytur thellë në krim. Në atë anije duhet të ketë vend për çdokënd që nuk rrezikon paqen dhe sigurinë e anijes, e cila noton në valët e mëdha.
Faraoni asnjëherë nuk qe i gatshëm të ballafaqohet me të vërtetën dhe t’i respektojë rregullat mbi dinjitetin e njeriut. Ai mendonte se forca e dhuna janë e drejta e tij. Musa (a. s.) i tha: “E ke gabim”. All-llahu (xh. sh. ) e mësoi Musain (a. s.) dhe i tha:
“Shko te Faraoni se ai ka ngritur kokë (është bërë arrogant)”. (Ta Ha, 24)
Fuqia e Musait (a. s.) ishte në të vërtetën, drejtësinë dhe guximin që të ngrihet kundër tiranit. Porosia e tij është e rëndësishme për çdo kohë dhe për çdo vend – një ditë rrenës, mashtrimit, manipulimit, dhunës së paturpshme e zullumit patjetër do t’u vijë fundi. Zullumqarët në kohën tonë, herët a vonë këtë do ta kuptojnë. Durimi në vështirësi ka kuptimin e sakrificës në sprovë. E sot ne të mësojmë si t’i përvetësojmë që të dyja virtytet e fesë sonë.
Nga porosia e Isait (a. s.) duhet kuptuar që vuajtja personale nuk duhet të jetë shkak për urrejtje ndaj njeriut. Duhet mposhtur instinktin e hakmarrjes, por duhet luftuar kundër së keqes dhe padrejtësisë me fuqinë e së drejtës për jetë, për besim, liri, pasuri e nder.

Kuptimi dhe rëndësia e Hixhretit

Për këtë ngjarje flet edhe Kur’ani. Hixhra, muhaxhirët dhe format tjera të kësaj fjale përmenden në Kur’an në më shumë se tridhjetë vende. Vetë fjala Hixhret (hixhra) do të thotë emigrim, e hixhretun-nebijji – emigrimi i Muhammedit (s) nga Mekkeja në Medine. Mirëpo, përveç në kuptimin “te shpërngulesh”, kjo fjalë në Kur’an është përdorur edhe në kuptimet: të largohesh (nga fjalët dhe veprat e këqija), të braktisësh, të largohesh, të pastrohesh.
Hixhret do të thotë lëshim i vendit ku dominon idhujtaria (shirku) dhe emigrim në vendin ku praktikohet islami i gjallë siç ishte rasti me muhaxhirët e parë kur emigruan nga Mekkeja në Medine, në qytetin e Pejgamberit (s).
Ky emigrim në gjuhën arabe i quajtur el-hixhrah, shënon pikën kryesore të kthesës në historinë islame, ku islami nga një grup i vogël njerëzish të përkushtuar u transformua në një bashkësi shumë të madhe. Jethribi u bë i njohur si Medinet en-Nebijj – qyteti i Pejgamberit të Zotit, e deri në ditët e sotme është i njohur si Medina. Aty iu vunë themelet shoqërisë së parë islame, e cila mbeti ideal për të gjitha shoqëritë e mëvonshme islame.
Hixhreti qe shpresë e fuqishme në dëshpërim. Ai ishte vullnet i fuqishëm që kushtet e gënjeshtrës të zëvendësohen me kushtet e së vërtetës. Ky ishte pasion i zjarrtë i shpirtit që të gjejë dritën në errësirë. Kjo ishte lëvizje e vetëdijshme nga ankthi në liri. Ky ishte besim i qartë në premtimin që e mira do të fitojë, e e keqja do të humbet.
“Zoti ynë, jepna atë që nëpërmjet të dërguarve Tu, na e premtove dhe në ditën e kiametit mos na turpëro; vërtet Ti je Ai që nuk e shkel premtimin!” Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri por ata që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe emigruan, u munduan vetëm pse ishin në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, atyre patjetër do t’ua shlyej mëkatet e tyre dhe do t’i vë në xhennete në të cilët burojnë lumenj. Ai është shpërblim nga ana e All-llahut, se më i miri i shpërblimeve është tek All-llahu. (Ali Imran, 194 – 195.)”
Muhaxhirët qenë njerëz të cilët besonin në lindjen e Diellit, ndonëse atë e kishin mbuluar retë e dendura. Ata qenë njerëz, të cilët dëgjuan zërin e kthjellët dhe panë shenjën e qartë se nga cila rrugë duhet shkuar në përjetësi. Muhaxhirët qenë njerëz, të cilët ditën të dallojnë të mirën e përjetshme nga e keqja e përkohshme, të folurit e vërtet nga fjala e gënjeshtërt.
“A mos menduat se do të mbeteni anash (pa u provuar), e pa u sqaruar te All-llahu ata që luftuan prej jush dhe, përpos All-llahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve, nuk morën ndonjë të jashtëm mik intim. All-llahu e di hollësisht atë që bëni ju”. (Tevbe, 16)
Hixhreti qe një ngjarje ku zemrat e njerëzve u bashkuan në një mendim, i cili përcaktoi rrjedhën e historisë njerëzore. Ai qe një test për fuqinë dhe pafuqinë njerëzore që të merr amanetin të cilin Toka dhe Qielli e refuzuan. Ai qe një akt i trimërisë njerëzore sipas të cilit matet vlera e njeriut në krahasim me krijesat tjera të Zotit.
“Përse të mos e luftoni një popull që thyen zotimet e veta dhe tentuan të dëbojnë të dërguarin? Në të vërtetë ata të parët e filluan luftën. A u frikësoheni atyre? Më e drejtë është t’i frikësoheni All-llahut, nëse jeni besimtarë.” (Tevbe, 13)
E armiku më i madh i së mirës kolektive dhe lumturisë individuale është frika. Hixhreti e mposhti atë frikë, prandaj sot ne për të mund të flasim.
Por, në shpirtin e madh të h. Ebu Bekrit dhe në zemrën e madhe të h. Alisë nuk kishte vend frika. Në vend të frikës në zemrën dhe shpirtin e tyre kishte zënë vend besimi. Besimi në të vërtetën, drejtësinë dhe fitoren.
“Si (mund të kenë besë) ata të cilët nëse ju mundin, nuk përfillin ndaj jush as farefisni dhe as marrëveshje. Ata ju bëjnë lajka me fjalët e tyre kundërshtojnë ngase shumica e tyre janë besëthyes.” (Tevbe, 8).
Hixhreti qe ai akti i vështirë i vendimit që të pranohet robëria për hir të paqes, ose të sakrifikohet paqja për hir të lirisë. Ai ishte vendim individual për hir të së mirës kolektive dhe për hir të lumturisë individuale.
Ja për ç‘arsye duhej te ndodhte Hixhreti. Që të meritohet fitorja, që të respektohen marrëveshjet, që të dallohen njerëzit nga jo-njerëzit, që të mund të jetohet në miqësi dhe vëllazëri.

Thirrja e Muhammedit dhe e hixhretit të tij

Me ecjen e tij në historinë e njerëzve, Muhammedi (s) kishte detyra dhe karakteristika të ndryshme nga bartësit e kaluar të shpalljes. Musai iu dërgua Hebrenjve, Isai gjithashtu, Ibrahimi një pjese të civilizimit babilonas – E MUHAMMEDI QE DHE MBETI PARALAJMËRIM PËR GJITHË BOTËN! Kjo është ajo shkalla e parë që Muhammedin (s) e dallon nga kufizimi i misioneve të pejgambereve tjerë, dhe e cila i jep karakter të plotë njerëzor, historik dhe gjithënjerëzor. Këto karakteristika ia jep historia në rrjedhat e së cilës ai ishte vendosur me islamin dhe hixhretin e fundit. Me misionin e tij, ai erdhi “relativisht vonë”, në kohën kur tashmë ishin bërë emigrimet kryesore të popujve, kur historia po “qetësohej”, po qetësohej para vendosjes determinante të një kulture dhe civilizimi më të rëndësishëm në ekzistencën e njeriut. Shekulli i shtatë tashmë është shekulli i të jetuarit të shpejtë, të paktën si na mësojnë shpëtimtarët e historisë, ai është tashmë shekulli i komunikimeve më të zhvilluara, shekull ku njerëzit kanë kohët e mëdha të shkuara të filozofisë, etikës indiane, kineze, greke etj., shekull ku njeriu, me të drejtë mendoi që intuita e tij tashmë ishte formuar që të shikojë në mënyrë tërësore, universale, që në gjërat e veçanta të shoh gjurmë universale (gjithkosmike).. Duke ia shpallur botës islamin, Pejgamberi (s) me dispozitat e Zotit, pikërisht edhe starton i fundit me të gjitha këto njohuri. Zoti është jo vetëm Zot i Hebrenjve, por All-llahu, Krijues i gjithë botëve – Rabbul-alemin! Muhammedi (s) nuk qe i dërguar për Arabët, por për të gjithë popujt, për të gjitha kohët e ardhshme.
Katërmbëdhjetë shekuj kaluan që nga koha kur një grup i vogël muslimanësh, në kushtet më të vështira dhe nën vigjilencën e idhujtarëve, në emër të All-llahut emigruan nga Mekkeja në Medine.
Nuk ishte ajo ikje, siç përkthehet dhe prezantohet në mënyrë tendencioze, por para se gjithash ajo ishtendërprerje e të jetuarit me traditën e deriatëhershme. Ishte ajo sakrifica më e madhe që mund të realizohej vetëm nga njerëzit e tillë, të cilët besnikërinë e tyre ndaj All-llahut dhe fortësinë e imanit e formuan gjatë trembëdhjetë vjetëve të Shpalljes së lartë.
Shkuan të mërzitur, por me shpirt të fuqishëm, të frymëzuar nga fuqia e besimit dhe vetëdijes për të kryer urdhrin e All-llahut (xh. sh.)
Shkuan, jo për të ikur nga realiteti i tyre, por vetëm në emër të Zotit për të përhapur të vërtetën e Tij, të cilën Mekka, e mbyllur dhe e shtrënguar nga idhujt, nuk mundi ta pranonte.
Shkuan për t’u kthyer si ngadhënjimtarë, duke çliruar pa asnjë pikë gjaku dhe me tekbir në gojë qytetin, i cili me represaliet e veta fizikisht i kishte mbytur – por shpirtërisht ua kishte forcuar imanin në zemrat e tyre. Ai grup mu’minësh me besnikërinë e tyre, në errësirën e injorancës ndezën shkëndijën e së vërtetës, që një ditë ajo dritë të shkëlqejë bamirësish me tërësinë e saj.
Erërat i shkapërderdhen eshtrat e tyre, stuhitë i fshinë gjurmët e tyre, por ata e arritën atë që e dëshiruan, iu kthyen qetësisë (paqes) së Tij. Ata tashmë janë histori, por mbeti diçka e vazhdueshme që frymëzoi dhe inspiroi gjenerata e gjenerata, shënoi kohë e epoka. Mbeti udhëzimi i Tij dhe porosia e Hixhretit që do të vazhdojnë derisa edhe përfaqësuesi i fundit i gjinisë njerëzore do të shkelë në Tokë.
Shkuarja në Medine nuk është një emigrim i thjeshtë, por shkuarje që në atë tokë të themelohet bashkësia e muslimanëve në formën e organizimit të lartë të shtetit. Formimi i tij u shoqërua me hartimin e Kushtetutës, e cila duke marrë parasysh heterogjenitetin e popullit të Medinës, ishte e bazuar mbi parimin kur’anor: Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)! (Kafirun, 6)
Hixhreti i Muhammedit (s) është ngjarja e fundit praktike përmbyllëse në shpalljen e islamit në të gjitha distancat e mundshme kohore. Përmbyllëse, sepse islam si shpallje, si plotësim i asaj që përfundon me Muhammedin (s), nuk do të ketë më. Me këtë historia e shpalljes në një aspekt arrin fundin dhe fillimin e saj në aspektet tjera. Dhe në të vërtetë, me vetë faktin që hixhreti i Muhammedit (s), nga njëri aspekt i tij (ku është bërë i përkryer), ka kaluar në aspektin tjetër (kalim në parkticitet, në kulturë) – me këtë ai është i veçantë po aq sa nuk ka ngjarje në histori që do të ishte e ngjashme me të.1

Ndikimi i hixhretit në formimin e personalitetit islamik

Hixhreti si emigrim i Muhammedit (s) dhe i një numri të muslimanëve të parë nga Mekkeja në Medine, nga pikëpamja kohore ka përfunduar me çlirimin e Mekkes nga ana e muslimanëve, tetë vjet më vonë d.m.th. në vitin 630 të e.s., por hixhreti si simbol i sakrificës përballuese në rrugën e të vërtetave të fesë, lirisë së mendimit dhe të drejtave të njeriut, ndjenjave fisnike dhe solidaritetit njerëzor, mbetet vazhdimisht i pranishëm në jetën e individit dhe bashkësisë islamike. Kjo është edhe kërkesa e tij kur’anore: “All-llahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij.” (Tevbe, 100)
Ku’rani, pamëdyshje edhe këtu edhe në vendet tjera (El-Bekare, 218) tregon që identifikimi i gjeneratave të ardhshme të muslimanëve me gjeneratën e hixhretit është i mundur vetëm nëse janë identike idealet, qëllimet dhe praktika e tyre. Hixhreti në kuptimin e tij të brendshëm shpirtëror të braktisjes së çdokujt dhe çdo gjëje në emër të All-llahut, sipas të cilit, përndryshe ai edhe është lidhje me të gjitha gjeneratat e ardhshme të muslimanëve, në jetën e Muhammedit dhe shokëve të tij (as’habëve), kishte filluar shumë më herët se emigrimi i tyre fizik nga Mekkeja në Medine.
Në kuptimin fetar ai fillon:

– me emigrimin e njeriut nga idhujtaria (shirku) në besimin në Një të Vetmin All-llah (xh. sh.)
– me ecjen e njeriut nga lajthitja dhe rruga e gabuar (dalal) drejt së Vërtetës (el-Hakk) dhe rrugës së drejtë (tariku mustekim), dhe
– me flakjen e besëtytnisë dhe të strehuarit nën gjirin e argumenteve të forta imanore dhe mendore (el-ajat).
Në aspektin moral hixhreti është largimi i muslimanëve dhe shkuarja e tyre:
– nga dobësia e karakterit drejt fortësisë dhe stabilitetit të personalitetit,
– nga egoizmi dhe zemërngushtësia drejt altruizmit (filanropisë) dhe zemërgjerësisë,
– nga premtimi drejt realizimit dhe konfirmimit,
– nga rrëmuja dhe anarkia drejt rendit dhe respektimit të ligjshmërisë,
– nga armiqësia drejt paqes dhe bashkëpunimit, dhe
– nga intoleranca fisnore-racore dhe fetare drejt durimit dhe tolerancës.

Si duket periudha mekase e jetës së muslimanëve, në zgjatje prej trembëdhjetë vjetëve, me peripecitë dhe sfidat e veta, ishte e mjaftueshme që idealët e hixhretit shpirtëror, edhe parktikisht t’i realizojë në dhjetë vitet e ardhshme në mjedisin e ri në Medine.
Më sa u tha më lartë kuptojmë që institucioni i Hixhretit nuk humbet me përfundimin e emigrimit. Ai mbetet i përjetshëm, duke u transformuar në xhihad.
Emigrimit nga Mekkeja në Medine i kishte paraprirë hixhreti moral. Nuk kishte shkuar huq gjithë ajo punë e mundimshme trembëdhjetë vjeçare në përgatitjen e beduinit, i cili deri dje, për shkak të krenarisë fisnore, kishte luftuar kundër vëllait të vet, i ishte falur idhullit, kishte bërë fli për të dhe kishte qenë i dhënë pas veseve të këqija dhe pas dëfrimeve të kësaj bote.
Çfarë force do të mund ta ndërronte atë njeri dhe të bënte prej tij një luftëtar të pathyeshëm në rrugën e All-llahut? Këtë do të mund ta bënte vetëm fjala e All-llahut e vërtetuar në praktikën e Muhammedit (s).
Vetëm All-llahu me mëshirën e vet ka mundur të shpëtojë njeriun nga shkatërrimi, e i vetmi shpëtim për njeriun është pasimi besnik i fjalës së Tij, siç e bënë këtë muhaxhirët.
Nëse e shikojmë nga pozicioni i imanit dhe i islamit në raport me çdo musliman, hixhret është çdo udhëtim, luftë, veprim, aktivitet dhe sjellje e vetëdijshme, e lirë, e qëllimtë, ekskluzivisht sipas vullnetit të lirë, sipas dëshirës së brendshme, ndërgjegjes dhe motivit, në rrugën e All-llahut, ekskluzivisht në emër dhe për hir Tij.
Në përcaktimin origjinal Hixhreti është udhëtim dhe afrim tek All-llahu (xh. sh.) përmes besimit – iman, organizim i përgjithshëm jetësor, dorëzim dhe nënshtrim All-llahut – islam, përpjekje dhe vetëmohim në rrugën e së vërtetës me anë të fuqisë, gjuhës, luftës, zemrës dhe pasurisë – xhihad, sistem moralo-etik – ahlak, nënshtrim i vetëdijshëm, i lirë, dhe i qëllimtë ndaj vullnetit të All-lahut në formë të ligjit fetar – sheriat, bërje e veprave të mira në dobi të njerëzve në emër të All-llahut (xh. sh.) – amelus-salihat, dhe braktisje e çdo gjëje që All-llahu e ka ndaluar dhe pranimi i çdo gjëje që All-llahu e ka urdhëruar.
Të ikësh nga mëkatet e të trokasësh në portën e Zotit e të mos largohesh nga ajo portë deri sa të vijë prej Tij fermani i faljes, të mos largohesh kurrë nga ajo portë, është, gjithashtu hixhret, emigrim. Sa bukur e shpreh këtë kjo lirikë përgjërimi:
Robi yt mëkatar po të vjen, o Zot:
Po të lutet tek mëkatet i pohon;
Po më fale, më fal se je i Lartë!
Po më përzure, veç Teje kush më mëshiron!

Hixhreti dhe nostalgjia për vendlindjen

Hixhreti i Muhammedit (s) ishte i veçantë nga hixhretet e të gjithë pejgambereve tjerë. Pejgamberi ynë Muhammedi (s) bëri hixhret dhe u kthye përsëri në vendlindje. Hixhreti nuk është, pra, pasojë e indiferentizmit ndaj vendlindjes, sepse, vetë Muhammedi (s) në momentin e emigrimit kur arriti në zonën e quajtur Hazvere, e ndaloi devenë, u drejtua kah Mekkeja dhe tha kështu:
“Te All-llahu ti je më e dashura e vendbanimeve. Po të mos më nxirrnin, kurrë nuk do të kisha dal prej atje, nuk do të bëja vatan tjetër e të ngrija vatër tjetër!…”
Hidhërimit të Pejgamberit të lartë i erdhi qetësimi me anë të zbulesës:
“All-llahu do të të kthejë ty aty nga u nise…” (Kasas, 85)
Kjo thënie e ky premtim hyjnor i jepnin që aty Pejgamberit sihariqin e rikthimit dhe, në të njëjtën kohë, si shenja e parë e triumfit të Mekës, ia kthenin hidhërimin e zemrës në gëzim!…
U largua prej saj për shkak të kryerjes më të suksesshme të misionit të Zotit. U largua më parë nga vendlindja se nga ideja e tij. Megjithatë, ai me këtë në asnjë mënyrë nuk e harroi vendlindjen. Në realitet, Hixhreti qe një lëvizje e urtë strategjike. Muslimanët shkuan, por u rikthyen aty prej nga ishin dëbuar.
Megjithatë, ato ishin momente të vështira. Ishin momente të vështira të ndarjes nga vatra gjyshërore. Nuk është lehtë të ndahesh nga shtëpia ku ke lindur, je rritur, me të cilën të lidhin kujtimet fëmijërore për prindërit dhe për të tjerët të mirët dhe të dashurit. Mbase Pejgamberi (s) i ka ndjerë të gjitha këto, por vetëdija për detyrën dhe vullneti që t’i përgjigjet misionit të tij pejgamberik, ngadhënjyen mbi të gjitha tjerat, e madje edhe mbi dashurinë për vendlindjen. Dashuria ndaj Zotit dhe njerëzimit, pastaj ndaj misionit të tij të madh, shteren edhe lotin e fundit në syrin e tij. Ndjenja e përgjegjësisë për misionin e tij, krijoi vendimin dhe Pejgamberi i Zotit (s) vendosi të shpërngulet nga Mekkeja në Medine.

Mësimet e Hixhretit

Hixhreti është një dhe i papërsëritshëm. Nga Hixhreti muslimanët mund të nxjerrin mësime sa të jetë jeta. Ato mësime në pikat më të shkurtra janë: Interesat e përgjithshëm kanë përparësi para atyre individuale. Musliamnët duhet të jetojnë si vëllezër të vërtetë, duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të duhen në mes vete vetëm për hir të All-llahut (xh. sh.). Muslimanët duhet të sillen edhe me jomuslimanët si ndaj vëllezërve, sepse All-llahu të gjithëve na ka krijuar prej një burri dhe një gruaje. Gjithmonë duhet të mbështetemi te All-llahu (xh. sh.), sikurse këtë e kanë bërë edhe muslimanët e parë. Vazhdimisht duhet punuar me nder, duhet përballuar me durim çdo vështirësi që i ndodh njeriut, duhet dhënë nga pasuria atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë, të pajtohen të ngatërruarit, të bëhet luftë kundër çdo të keqeje dhe për çdo gjë të veprohet sipas parimeve të Kur’anit dhe Sunnetit të Pejgamberit (s), në pajtim me porosinë shumë herë të përsëritur të Kura’anit: “Nështrojuni All-llahut dhe Pejgamberit të Tij.”

Porositë e Hixhretit

Hixhreti nuk është qëllim në vete. Hixhreti është rrugë që shpie te qëllimi nga i cili kanë synuar muslimanët e parë dhe nga i cili duhet të synojnë edhe muslimanët e sotëm. E ai është që të jetojnë në të vërtetën e besimit në Zotin Një dhe të Vetëm dhe në drejtësinë e bashkësisë së njerëzve. Bartësit e lëvizjes së Hixhretit janë muhaxhirët dhe ensarët. D.m.th. ata të cilët shpërndajnë errësirën dhe ata të cilët u ndihmojnë që bota të shoh dritën e ditës. Muhaxhirët nga mesi ynë janë ata të cilët nuk pajtohen me padrejtësinë dhe me mendjemadhësinë e mushrikëve, të cilët nuk respektojnë njeriun dhe dinjitetin e tij. E ensarët nga mesi ynë janë ata të cilët i ndihmojnë çdokujt i cili hap rrugë të reja të besimit dhe diturisë, të cilët punojnë për rimëkëmbjen tonë morale dhe kulturore, njerëzore dhe patriotike, shkencore dhe ekonomike.
Kanë kaluar shekuj, secili në mënyrën e vet kanë bartur karakteristikat e Hixhretit! Ky i tashmi është i pesëmbëdhjeti!
Ai është i yni dhe i atyre të cilët vijnë pas nesh. Çfarë do të jetë ai, varet nga ne dhe të kuptuarit tonë të amanetit. A do të jemi të shurdhër për fjalën e Zotit, a do të dëgjojë veshi ynë ehon e thirrjes së saj, a do të jenë veprat tona në kundërshtim me fjalët që i përsërisim? Përsëri varet prej nesh, nga të konceptuarit tonë të Zotit dhe fjalës së Tij.
Na kanë mbetur porositë e Hixhretit, universale dhe nga pikëpamja kohore të pakufizuara, e neve na mbetet që në bazë të tyre t’i hartojmë metodat tona të të jetuarit që do të jetë në frymën e Hixhretit të lartë.
Porosia e Hixhretit na shtynë që disa gjëra t’i braktisim, e disa tjera t’i pranojmë. Na shtynë që t’i braktisim fjalët e kota (boshe), e t’i përvishemi punës së palodhshme. Të braktisim naivitetin, e të pranojmë seriozitetin e fatit tonë. Të braktisim të kaluarën me të cilën nuk mund të mburremi, e të pranojmë të ardhmen në të cilën do të krenohemi. Të braktisim mosbesimin e ndërsjellë, e të pranojmë besimin vëllazëror. Të braktisim xhahilijetin, e të pranojmë diturinë. Të braktisim miqësinë e rrejshme, e të pranojmë miqësinë e vërtetë të mikut. Të braktisim çdo gjë që është e dëmshme për fenë tonë, familjen, xhematin, atdheun dhe ummetin, e të pranojmë çdo gjë që është e dobishme për fenë tonë, familjen, xhemaatin, atdheun dhe ummetin.
Nga sa u tha më lartë kuptojmë se Hixhreti është fitore e vërtetë, shpresë e madhe dhe e ndritshme për një të nesërme më të mirë në të cilën bashkësia njerëzore do të gjejë veten dhe rrugën e saj të drejtë dhe të vërtetë. “Qëllimi i thirrjes sime nuk është pasurimi im personal as fitimi i pozitës as pushtetit. Mua All-llahu (xh. sh.) më ka dërguar si Pejgamber tek ju dhe më ka shpallur Librin. Më ka urdhëruar që t’ju sjell lajmin e gëzuar dhe që t’ju paralajmëroj. Për këtë arsye po ua sjell mësimin e Zotit dhe ju këshilloj. Prandaj, nëse e pranoni këshillën time, me siguri do të jeni të lumtur dhe të shpëtuar edhe në dynja edhe në ahiret, e nëse nuk e pranoni, kjo në mua nuk do të ketë ndikim, e All-llahut i mbetet të vendosë midis meje dhe jush.” *
Dhe së fundi në kuadër të jetës dhe punës sonë si misionarë të islamit është e mundur të realizojmë Hixhretin. Sepse, shekulli 21 është para nesh dhe secili prej nesh ka fushën e vet të cilën duhet ta përpunojë. Nëse këtë nuk e bëjmë, një periudhë e tërë do të mbetet e varfëruar për një fryt.
Me punën tonë në rrugën e All-llahut t’i lëmë gjurmët tona në kohë, (e jo koha në ne),! Të përmbushim misionin tonë jetësor me domethënien dhe porositë e Hixhretit, duke flijuar materien dhe joshjet e saja mashtruese me qëllim të ruajtjes dhe thellimit të mëtejshëm të Hixhretit dhe kuptimit të tij…
“Islami më i mirë është tek ai musliman, i cili me gjuhën dhe dorën e tij nuk i shqetëson muslimanët tjerë; imani më i mirë është tek ai besimtar, i cili ka moralin më të mirë; muhaxhiri më i mirë është ai i cili braktis atë që e ka ndaluar All-llahu (xh. sh.), e xhihadi më i mirë është tek ai i cili lufton kundër vetvetes për hir të All-llahut (kënaqësisë së Tij)”. (Taberani).
O Zot, bëje që rruga jonë jetësore të jetë e kuptimësuar nga Hixhreti, e që porositë e tij të jenë moto dhe inspirimi i jetës dhe punës sonë për kënaqësinë Tënde!..

Literatura:

1. Hfz. Ismet Spahic, Hutbe, Sarajevë, 2000.
2. Ibn Rexheb el-Hanbeli, Budjenje ambicija, zbirka hadisa sa komenatrom, Sarajevë, 2004.
3. Ibrahim Hodzic, O intelektualnom i primitivnom shvatanju vjere i vjerskih propisa, Sarajvë, 1971
4. Izbor Hutbi i vazova, Sarajevë, 1979.
5. Dr. Mustafa Ceric, Vjera, narod i domovina, Srajevë, 2002.
6. M. Fetullah Gylen, Dritë e pashuar – Hz, Muhammedi (s. a. v.) – 1 – Tiranë, 2003.
7. Osman nuri Topbash, Vargu i profetëve në dritën e Kur’anit – 4 – Stamboll, 2001.
8. Seyyed Hossein Nasr, Srce islama, Sarajevë, 2002

Periodiku:

1. Glasnik –VIS-a, nr. 5 /1991.
2. Glasnik- VIS-a, 1996
3. Glas islama, nr. 75/ 2003, Novi Pazar.
4. Islamska misao, nr. 115/ 1988.
5. Islamska misao, nr. 25 / 1980. Sarajevë
6. Liljan, nr. 3 August, Sarajevë, fq. 26
7. Zemzem, nr. 11-12/ 1980, Sarajevë.

________________________________________
1 Hixhretin e Muhammedit (s) nuk duhet kuptuar si një ngjarje që ndodhi në vitin 622, as si transferim, nga qyteti në qytet, i një aktiviteti me karakter islam. Tërë jeta e Muhammedit (s) është në shenjë të hixhretit të fundit të islamit, në shenjë të vendosjes përfundimtare të islamit në histori…

* Ibni Hishami: Sira, xhuz 1, fq. 295 – cituar sipas: Seid Smajkic, Hixhra – zacetak kulture islam, Islamska misao, nr. 25/ 1980. fq. 21.

Mr. Muhidin Ahmeti (r.a)