Policia skoceze ka përfshirë mbulesën e shamisë (hixhabin) në mesin e opsioneve zyrtare të uniformës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga policia skoceze thuhet se vendimi është marrë me qëllimin për të “inkurajuar gratë nga komuniteti musliman ta rimendojnë këtë çështje, pasi ato më parë nuk e shikonin si një alternativë karriere për t’u bërë police”.
Në deklaratë theksohet se ky vendim do të sigurojë që policia të përfaqësojë më mirë shtresat e ndryshme në komunitet.
Pavarësisht se mbulesa e shamisë ndodhej në mesin e opsioneve të policisë angleze që nga viti 2001, përdorimi i hixhabit për policet në Skoci ishte i lidhur me lejen e drejtuesve.
Ishte zbuluar se vetëm 127 nga 4.809 personat që aplikuan vitin e kaluar për t’u bërë polic në Skoci i përkisnin një komuniteti të ndryshëm etnik ose fetar.
Është e nevojshme që ky numër të rritet në 650, në mënyrë që kjo të jetë në përputhje me proporcionin e grupeve etnike ose fetare në të gjithë vendin.
Muslimanët përbëjnë rreth 3 milionë e 500 mijë banorë të popullsisë mbi 66 milionë të Mbretërisë së Bashkuar e cila përbëhet nga Anglia, Uellsi, Skocia dhe Irlanda Veriore.