Ballina Autorë Opinione Historiografia shqiptare duhet të ribëhet

Historiografia shqiptare duhet të ribëhet

Nexhmedin Spahiu

Koncepti i kombit është i dhënë sipas teorisë staliniste dhe kjo gjë prodhon derivate tjera me të cilat nxënësit dhe studentët tanë furnizohen gjatë gjithë shkollimit. Ky koncept krijohet që në klasat e ulëta akoma pa u dhënë definicioni eksplicit për kombin. Defekti i konceptit Stalinist për kombin është se ai e barazon kombin me etninë.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Kaluan më se tri dekada nga mposhtja e komunizmit dhe historiografia në Kosovë e Shqipëri vazhdon të jetë në thelb e pandryshuar. Madje as vërejtjet e ish-ministrit turk të Arsimit, Dinçer, për absurditetin në tekstet tona të historisë nuk patën efekt. Rishikimi i teksteve të historisë është dashur të bëhet që para tri dekadave në mënyrë që të shkundet historiografia nga mendësia enveriste. Mundësitë akoma më të mira kanë qenë pas çlirimit të Kosovës. Për këtë pata biseduar me ministrin e parë të Arsimit, pas luftës në Kosovë, që vinte nga Afrika Jugore dhe me ministrin e tretë me radhë pas lufte që vinte nga Gjermania, Michael Daxner. Që të dy qenë pajtuar që kjo gjë duhet bërë sa më parë, por mandatet e tyre përfunduan dhe kjo gjë nuk u arrit.

Pengesa kryesore për ta duket të kenë qenë jo tekstet në gjuhën shqipe, por ato në gjuhën serbe të cilat botoheshin në Beograd, ngase po të bëheshin të tjera në Prishtinë, ato do të bojkotoheshin nga arsimtarët serbë në Kosovë. Kështu as Mark-u as Michael-i nuk iu futën kësaj pune as për tekstet e historisë në gjuhën shqipe.

Koncepti i kombit nuk është korrekt në tekstet tona të historisë?

Koncepti i kombit është i dhënë sipas teorisë staliniste dhe kjo gjë prodhon derivate tjera me të cilat nxënësit dhe studentët tanë furnizohen gjatë gjithë shkollimit. Ky koncept krijohet që në klasat e ulëta akoma pa u dhënë definicioni eksplicit për kombin. Defekti i konceptit Stalinist për kombin është se ai e barazon kombin me etninë. Ky koncept buron nga teza e filozofit gjerman Johann Gottlieb Fichte se çdo popull që flet një gjuhë të veçantë ka të drejtë ta ketë shtetin e vet. Kjo do të thotë se çdo etni ka të drejtë të jetë komb. Por, mes të drejtës për të qenë komb dhe aftësisë për t’u organizuar si komb, ka një hapësirë të madhe që Stalini nuk deshi ta pranojë në teori, por për ironi e zbatoi në praktikë. Bashkësive të shumta etnike në perandorinë sovjetike iu mohua e drejta për republikat e tyre pikërisht nga Stalini. Thjesht, në teori, Stalini e barazoi konceptin e kombit me etninë dhe se këndejmi historia e kombit u projektua deri në lashtësi. Madje edhe për epokat më të lashta u përdor terminologjia e historisë së kohës moderne.

Termi jologjik “Revolucioni Demokratik”

Kur është fjala për shqiptarët, këtu kemi edhe disa idiotizma të veçantë, p.sh. termi “Revolucioni Demokratik i Qershorit 1924”, që përdoret për grusht-shtetin që e solli Fan Nolin kryeministër të Shqipërisë. Neve që na është mësuar veshi që nga fëmijëria edhe nuk na duket ndonjë idiotizëm derisa të mos e përkthejmë në anglisht “Democratic revolution”. Tek atëherë kuptojmë çfarë marrëzirash po flasim. Të thuash revolucion demokratik është sikur të thuash dru i hekurt! Ose është dru ose është hekur, por nuk mund të jetë dru i hekurt. Kështu edhe revolucioni nuk mund të jetë demokratik, sepse këto dy gjëra e përjashtojnë njëra-tjetrën. S’mund të jesh edhe revolucionar edhe demokrat.

“Lufta Shqipëri-Perandori Osmane” është një term që nuk përket me konceptet historike

Në shekullin XIV s’kishte lindur akoma edhe një komb i vetëm në botë në kuptimin modern. Kombi i parë modern lindi më 1523, kur më 6 qershor mbreti suedez Gustav Vasa Ericson shpalli reformat e tij, me të cilat Suedia u bë pronë e suedezëve dhe jo pronë e mbretit, siç ishte rasti me shtetet mesjetare, ku territori në zotërim të shtetit ishte në fakt pronë e mbretit dhe popullsia që banonte në atë territor nuk kishte asnjë rol në drejtimin e shtetit. Ose, më mirë thënë, kishte aq rol sa kishte edhe bagëtia që e popullonte atë territor. Së këndejmi, suedezët u bënë kombi i parë në botë. Anglezët këtë e arritëm 126 vite me vonë, me revolucionin e Oliver Cromwell-it më 1649, amerikanët me shpalljen e pavarësisë më 1776, ndërsa francezët me revolucionin e vitit 1789, prej kur edhe fillon epoka e kombeve.

Pse pikërisht lindja e kombit francez shënon epokën e kombeve dhe jo lindja e 3 kombeve të mëhershme? Kjo është për faktin se kombbërja franceze qe më e artikuluar (sllogani “Liri, vëllazëri e barazi”, shkrimet Rousseau-os dhe Voltaire-it etj.) dhe se u pasua menjëherë me komb-bërjet në gjithë Europën Perëndimore.

Kur Perandoria Osmane arriti në Ballkan nuk kishte as komb turk as komb osman e as ndonjë komb ballkanik. Thjesht, një sundimtar zëvendësonte një tjetër.

Edhe Skënderbeu nuk ishte udhëheqës kombëtar, por vetëm një sundimtar. Në shekullin XIX ai u shndërrua në një kryehero kombëtar nga rilindësit shqiptarë me qëllim mitizimi. Madje, lëvizjen e kombformimit shqiptar e quajtën Rilindje Kombëtare, me demek se shqiptarët në kohën e Skënderbeut paskëshin qenë komb dhe tani po lindnin serish si komb. Por, kjo gjë nuk përkon me të vërtetën historike, sepse shqiptarët në atë kohë akoma s’ishin komb. Në mesjetë nuk kishim të bënim me konceptet që solli modernizmi (epoka e kombeve), siç është urrejtja ndëretnike, interesat kombëtare etj.

Perandoria Osmane s’ishte e turqve, por e Sulltanit. Në trashëgiminë e saj shqiptarët kanë të drejtë po aq sa edhe turqit, boshnjakët dhe popujt e tjerë.

Problemet shqiptaro-turke janë të një periudhe relativisht të shkurtër (1879-1912). Kjo është periudha kur lëvizja kombëtare turke po e sfidonte atë shqiptare. Në fillimet e veta lëvizja kombëtare turke donte që nga popujt myslimanë të Perandorisë të krijonte një komb të vetëm. Rilindësit shqiptarë kishin koncept kombi mbi bazën e gjuhës e gjakut e jo mbi atë të fesë që binte ndesh me konceptin turk. Kjo periudhë konflikti 33 vjeçare është minore në krahasim me miqësinë e mëpasme mes kombit turk e atij shqiptar.

Ndërkaq sa i përket Kosovës në veçanti, ajo lindjen e vet si shtet duhet t’ia dedikojë Turqisë me meritat e saj më të larta menjëherë pas SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë.

Tekstet tona të historisë përmbajnë urrejtje anti-osmane e anti-turke të trashëguar nga mendësia komuniste e Enver Hoxhës dhe këto tekste duhet të revidohen një minutë e më parë.

Nuk janë turqit ata që duan të na ndryshojnë historinë; atë na e ka falsifikuar shoku Enver Hoxha dhe shërbëtorët e tij.

Pas deklaratave të ministrave turq, Dinçer e Davutoglu, për problemet që ka historiografia e jonë në raport me turqit dhe me Perandorinë Osmane u ngrit turma e atyre që pretendojnë të jenë historianë se nuk lejojnë të ndryshohet historia, se të prekësh historinë është të prekësh shtyllën kurrizore të kombit etj.etj.. Kjo e vërtetë duket shumë cinike. Ata që prekën shtyllën kurrizore të kombit janë falsifikatorët e historisë, shërbëtorët e shokut Enver Hoxha (1908-1985) dhe nxënësit e tyre. Këta falsifikatorë të historisë për më shumë se gjysmë shekulli indoktrinuan breza të tërë me histori të rreme, me gjysmë të vërteta dhe me komente të çoroditura.

Lëvizja komuniste në Drenicë?!!! Lëvizja balliste në Drenicë?!!!

Falsifikimi u bë aq i paskrupullt sa ta zëmë ka njeri që ka doktoruar në Universitetin e Prishtinës me temën “Lëvizja komuniste në Drenicë 1941-1945”. Emrin nuk po i përmendi për të mos krijuar idenë se po sulmoj individin dhe jo dukurinë. Krejt Drenica e di që në atë kohë s’kishte asnjë komunist në Drenicë dhe, rrjedhimisht, as lëvizje komuniste. Po i njëjti person, pas rënies së komunizmit, e shkroi librin “Balli Kombëtar në Drenicë”, duke i konsideruar si ballistë të gjithë nacionalistët shqiptarë të kohës së Luftës së Dytë Botërore. Në gjithë Kosovën në atë kohë kishte vetëm dy anëtarë të Ballit Kombëtar. Ata ishin dy profesorë të gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, kurse në Drenicë s’kishte as edhe një ballist të vetëm.

Nacionalistët e Drenicës, si edhe ata të gjithë Kosovës, ishin përkrahës të qeverisë kuislinge me seli në Tiranë deri më 1943, dhe më 1943/44 përkrahës të Lidhjes së Dytë të Prizrenit në krye me Rexhep Mitrovicën (1887-1967) e Xhafer Devën (1904-1978), ndërsa më 1945/46 përkrahës të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare dhe përkrahës të kryengritjes së Shaban Polluzhës në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht këtu nuk po i llogaris për nacionalistë një grup komunistësh të mbledhur rreth Fadil Hoxhës (1916-2000), të cilët edhe ashtu kishin rol minor derisa u krye Lufta e Dytë Botërore. Ky shembull eklatant tregon se sa në mënyrë bizare është shkruar historia e jonë.

Falsifikimi i deklaratës së pavarësisë së Shqipërisë

Vargu i falsifikimeve me te cilat edhe sot e kësaj dite furnizohen nxënësit e studentët në Kosovë e Shqipëri është tejet i gjatë dhe prek çdo pore të historisë sonë. Disa nga këto falsifikime kanë dalë në shesh pas rënies së komunizmit, siç është rasti i shlyerjes së nënshkrimeve të Rexhep Mitrovicës (1887-1967), Mit’hat Frashërit (1880-1949) e të tjerëve nga dokumenti i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por shumica e falsifikimeve ende kanë ngelur.

Falsifikimi i emrit të Ismail-Qemail bej Vlorës në Ismail Qemaili

Falsifikimi prek edhe vet Ismail-Qemail bej Vloren (1844-1919). Meqë Enver Hoxha e kishte shkatërruar gjithë familjen Vlora, si edhe të gjitha familjet e tjera patriotike në mbarë Shqipërinë, atëherë kryeministrit të parë të Shqipërisë iu hoq mbiemri Vlora dhe titulli bej. Pjesa e dytë e emrit Ismail-Qemail iu bë mbiemër dhe kështu Ismail-Qemail bej Vlora u tjetërsua në Ismail Qemaili. Edhe sot e kësaj dite shkollat, rrugët dhe sheshet në Kosovë e Shqipëri mbajnë tabelat ku shënohet Ismail Qemaili e jo Ismail-Qemail bej Vlora.

Vasil Shanto – terroristi komunist që mësohet si hero

Ende sot në Shqipëri rrugë dhe shkolla mbajnë emrin e heroit të popullit Vasil Shanto (1913-1944) “heroizmi” i të cilit ishte vrasja e djalit të Isa Boletinit (1864-1916), nënkolonel Adem Boletinit (___-1943), komandant i xhandarmërisë në Shkodër.

Falsifikimi i nënshkrimit të Bajram Currit: letër Leninit

Dr. Krist Maloki (1900-1973) ishte tronditur kur në muzeun e Shkodrës, gjatë vizitës së tij si profesor austriak i viteve të ‘60-ta, iu kishte prezantuar dokumenti i “nënshkruar” nga Bajram Curri (1862-1925), ku kinse ky i kishte dërguar letër “Hazreti” Leninit (1871-1924). Krist Maloku pohon se e kishte njohur personalisht Bajram Currin dhe se Bajram Curri ishte analfabet dhe kurrë nuk kishte vënë nënshkrim. Natyrisht, ky fakt nuk e zvogëlon rolin e Bajram Currit në dërgimin nëpër shkolla të të rinjve shqiptarë nga Kosova.

Falsifikimi për Kongresin e Berlinit

Vargu i falsifikimeve është i gjatë, por më të dëmshmin na e provon Jusuf Buxhovi. Ky ka të bëjë me qëndrimin “armiqësor” të Anglisë dhe Gjermanisë ndaj çështjes shqiptare në Kongresin e Berlinit më 1878. Edhe pse Jusuf Buxhovi me prova të dorës së parë dëshmon se Anglia e Gjermania në Kongresin e Brerlinit kishin ndaj Shqipërisë qëndrim identik me atë çfarë patën këto vende ndaj Kosovës më 1999, prapë se prapë librat tona të historisë, nga ku mësojnë nxënësit e studentët tanë, vjellin vrer kundër Anglisë e Gjermanisë së asaj kohe. A nuk është dëmtim i shtyllës kurrizore të kombit falsifikimi i raporteve të kombit me miqtë më të mirë të tij: Anglinë e Gjermaninë?

Kush i trembet rishkrimit të historisë?

Kur ka falsifikim të fakteve, atëherë komentimi i historisë bëhet akoma më banal. Ata që kanë shkruar historinë mbi bazën e fakteve dhe kanë komentuar drejt, kurrë nuk i tremben rishikimit të teksteve të historisë. Ata që kanë falsifikuar, klithin slogane patriotike për të fshehur krimin qe kanë bërë. /revistashenja

Exit mobile version