Dituria për mjekësinë u përhap nëpër Kalifatin Islam në kohën në mes të rënies së Perandorisë Romake në shek. V dhe renesansës evropiane në shek. XV. Megjithatë, lulëzimi i institutcioneve mjekësore islame ka filluar gjatë shek. IX dhe përputhet me kohën e artë të Kalifatit Abbasit në Lindje (749-1258).
Ky det i diturisë, i cili rrodhi gati katërqind vjet, më vonë u ndal nga invadimi mongol në Kalifatin e Lindjes dhe pas rënies së Kalifatit të Perëndimit në Spanjë.
Mjekësia tradicionale islame ka eklektik të lartë dhe është ngritur mbi themelet e diturisë më të hershme mjekësore, duke përfshirë këtu diturinë indiane, romake, greke dhe siriane. Faza fillestare e zhvillimit të mjekësisë islame ishte koncentruar në përkthimin e veprave greke, persiane dhe nestoriane në gjuhën arabe.
Kjo periudhë njihet me emrin Medresetu-Shurrah el-Igriki- jjin (Shkolla e komentuesve të veprave greke), në të cilën dijetarët kanë përkthyer kryesisht të gjitha veprat greke mbi mjekësinë dhe shkencën. Në të vërtetë muslimanët janë meritorë për ruajtjen, ndërmjet të tjerash, të shumë veprave të Galenit dhe Hipokratit dhe Evropa për herë të parë është njohur me mjekësinë greke nëpërmjet përkthimeve arabe.
Në fazën tjetër të arritjes së shpejtë të shkencës greke dhe persiane, gjenerata e re e shkencëtarëve islamë ka dalë me koncep- tet e veta autentike (origjinale) dhe me kontributin e vet në mjekësi, ndërsa veprat e këtyre skolastikëve, siç janë veprat e Ibn Sina El Raziut (Avicena) dhe të tjerëve, kanë dominuar në shkollat mjekësore evropiane disa shekuj me radhë.
Kalifi abbasit Me’muni hedhi një hap gjigant në drejtim të përcaktimit të pjesëve që duheshin përkthyer dhe të shkollave mjekësore kur e krijoi Dar el-Hikma (Shtëpia për shërim) në Bagdad. Ky institucion kryesor ka përfshirë shkollën për përkthim, të cilën e ka udhëhequr mjeku dhe filozofi Hunejn ibn Is’hak el- ’lbadi (810-873), i cili njëkohësisht e kryente edhe rolin e përkthyesit kryesor në atë kohë, ndërsa ai ishte rastësisht i biri i farmacistit të qytetit Hirat ne Irak.
Këto shkolla mjekësore i kanë vënë themelet e praktikës mjekësore në atë kohë dhe kanë kontribuar mjaft në zgjerimin e arritjeve të reja në mjekësi, në kujdesin ambulantor ndaj pacientit dhe në klinikat mobile.
Në mesin e këtyre shkollave dhe spitaleve, më i madhi dhe më i njohuri ka qenë spitali El Nuri në Damask (1160), që ka vepruar gati 300 vjet dhe spitali Mensuri në Kajro të Egjiptit (1276). Një kohë Bagdadi kishte afro 600 spitale, ndërsa Kordoba në Spanjë kishte më shumë se 500. Spitalet më të mëdha kanë pasur bibliotekën, klinikën jashtë ambulantore, dhe shkollat mjekësore.
Këto spitale kanë punuar me kujdes e zell në hulumtimin e ndarjes së pacientëve me temperaturë apo sëmundje infektive njësoj sikurse edhe të sëmurët mentalë. Shkollimi mjekësor është përhapur pikërisht nga këto spitale. Aty studentët kërkonin shkollën teorike dhe praktike, ndërsa këto mësime i merrnin nga mjekët dhe kirurgët e njohur, që ishin zgjedhur për të shërbyer në këto spitale.
Spitali Mensuri ishte spitali i parë i cili kujdesej për shkencën, mësimin dhe gjendjen sociale. Ai e kishte ndarë mbrojtjen dhe kujdesin për gra, fëmijë dhe rekonvalescentë, kujdesin ndaj të sëmurëve me sëmundje specifike, historinë e gjer të sëmundjes dhe klinikat jashtambulantore.
Si plotësim i kësaj, ekzistonin biblioteka të vogla dhe përmbledhje private, të gjitha vepra mjekësore me së paku 100.000 libra. Këto biblioteka kishin vepra mjekësore, përveç veprave të tjera shkencore, siç ishin veprat që flitnin për astronominë, kiminë, gjeometrinë, filozofinë dhe shkenca të tjera. Në këtë kohë, kryeqyteti lindor dhe perëndimor i Kalifatit u bënë qendra të civilizimit, ndërsa institucionet mjekësore dhe puna kërkimore-shkencore financohej nga shteti.
Mjekët islamë dalloheshin në ligjëratat e tyre si për çështje klinike, ashtu edhe për çështje të mjekësisë bazike. Nga studentët e mjekësisë kërkohej të ishin të shkolluar në shkencat bazike dhe të kenë dituri përkatëse nga veprat e autoriteteve mjekësore, siç ishin, ndër të tjera, ato të Galenit, Hipokratit dhe të El-Zahravit.
Dituria mjekësore ishte përmbledhur në një vepër të shkruar, kështu që testet klinike kanë mundur të arsyetohen dhe të argumentohen deri në një kufi të caktuar, ndërsa studentët janë pyetur në shkencat bazike. Vetëm ata që kanë arritur sukses dhe kanë kaluar, u është lejuar t’u nënshtrohen testeve klinike, ndërsa vërtetimi në mjekësi ka kërkuar dituri adekuate nga të dy fushat.
Kalifi abasit El-Muktadiri (vdekur më 908) ka kërkuar nga mjeku i shquar Sunnen ibn Thabiti (vdekur në vitin 976) që t’i pyeste të gjithë mjekët dhe t’i certifikonte ata që janë kualifikuar për praktikën mjekësore. Megjithatë, kolegjiumi mjekësor dhe mjekët e njohur kanë qenë të përjashtuar nga kjo kërkesë.
Shkencëtarët islamë kanë përmirësuar dhe e kanë zhvilluar më tej edhe farmakologjinë dhe kiminë. Ata kanë përshkruar shumë ilaçe, si: sana, kamfuri, arrat moskate, pykëzat etj., por janë shërbyer edhe karafilat etj. Janë shërbyer gjithashtu me tretës të rinj të ilaçeve, siç është: shurupi i trëndafilit dhe i portokallit.
Kanë përdorur gjithashtu aldehidet, alkoolin dhe tretës të tjerë të ngjashëm duke zhvilluar edhe më tej metodat e testimit të pastër- tisë së metaleve dhe kimikateve. Këmbëngulësia e tyre në kërkimin e metodave të shndërrimit të metaleve në punime artistike rezultoi me zbulimin e disa kimikateve, siç janë metalet acidike, antimoni, bismuti, amoniaku dhe bashkëdyzimet e zhivës. Fjalët arabe si alkool (arab. kuhul), shurup (arab. shurub) dhe të tjera, janë përdorur gjerësisht.
Proceset kimike bazike, duke përfshirë destilimin, kristalizimin dhe sublimimin janë zbuluar gjithashtu në këtë mënyrë. Është e njohur po ashtu që mjekët islamë e kanë përdorur cannabis sativa indica (arab. kuunab hindi; hashishatul kaif) si anestetik, ndërsa ekzistojnë shenja se e kanë njohur inhalimin gjatë përdorimit të anestezionit.
Vepra e El-Kindit mbi metodën e përshkrimit dhe dozimin e përcaktuar e të saktë të ilaçeve është e njohur mirë. Ai ka përdorur ligjin e progresionit gjeometrik në përshkrimin e ilaçeve. Dhe, në fund, përhapja e famës së Muhammed ibn Abdullah el-Ash’atinit nga Mosuli i Irakut, si njohës i shkëlqyer i mjekësisë dhe farmakologjisë, bëri që nga të gjitha qytetet e largëta dhe të afërta të vinin studentë për t’i dëgjuar ligjëratat e tij.