Historia e Kabilit dhe Habilit

Historinë e parë që do të trajtojmë, është ajo nëpërmjet të cilës do të përçojmë mesazhin e shkuarjes mirë dhe forcimit të lidhjeve familjare. Ajo është historia e parë njerëzore mbi faqen e tokës, ajo është historia e dy vëllezërve, Kabilit dhe Habilit, dy djemve të Ademit (a.s).

Kjo histori përmendet shkurtimisht në suren Maide, nga ajeti 27 deri në ajetin 32. Ajo fillon me fjalët:

“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit;”[1]

“dy bijve të Ademit” tregon se ajo është një ngjarje që i drejtohet të gjithë bijve të Ademit, pra është një histori me përmasa botërore. Ajo nuk u drejtohet vetëm myslimanëve, por të gjithë njerëzimit. Ajo është një mesazh me përmasa botërore, për reformimin dhe zhvillimin e njerëzimit, ashtu siç është vetë Kurani një mesazh për të gjithë botën. Fjalët e para të Kuranit fillojnë me:” Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve,”[2] Sakaq, fjalët e fundit me të cilat mbyllet Kurani fisnik janë:” Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve,”[3]

Fjalët “dy bijve të Ademit” sikur i drejtohen Profetit (a.s) që ti komunikojë umetit të tij dhe gjithë njerëzimit, thelbin dhe mesazhin e kësaj historie. Ajo është shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen e jetës humane mbi tokë.

Kurse fjalët “saktësisht” do të thonë se konflikti personal ndodhi mes dy vëllezërve. Ky konflikt, u thellua aq shumë, saqë njëri nga vëllezërit ndërmori hapin mizor për të eliminuar fizikisht vëllain tjetër. Nëse këtë ngjarje do ta dëgjonim nga goja e njërit prej dy vëllezërve, do e dëgjonin krejt të ndryshme nga versioni i tjetrit. Kështu, fjalët “saktësisht” presin çdo dyshim se kjo ngjarje mund të jetë manipuluar nga njëra palë.

Objektivat e historisë së Kabilit dhe Habilit

Popullsia e botës sot është afro shtatë miliardë. Nëse do i ktheheshim zanafillës së jetës së njeriut mbi tokë, do të gjenim se ajo përbëhej nga dy prindër, baba dhe nënë, dy vajza dhe dy djem, Kabili dhe Habili. Pra, numri i tyre ishte gjashtë.

Ajo është një histori e vjetër, por që efektet që la pas, vazhdojnë të përsëriten gjer në ditët tona. Ajo është një histori për të gjithë lidhjet farefisnore të shkëputura, për çdo familje që përjeton konflikte dhe shamata, është histori e vëllezërve që ndahen dhe harrojnë njëri-tjetrin pas vdekjes së babait. Ajo është histori e gjakut që derdhet dhe ka skuqur faqen e tokës. Ajo është histori e egos njerëzore e cila vuan nga problemet për të cilat nuk gjen dot zgjidhje. Ajo është një histori e së kaluarës, të cilën e shohim të përsëritet në të tashmen.

Kjo ngjarje dhe histori, përcjell tre mesazhe të rëndësishme:

1 – Jo prishjes së lidhjeve farefisnore dhe familjare.

2 – Jo derdhjes së gjakut, sidomos brenda familjes. Ajo i drejtohet atyre vendeve të cilat janë përfshirë nga dhuna dhe gjakderdhja mes bijve të një kombi.

3 – Njihe mirë veten.

Sëmundjes e egos njerëzore

Gjashtë janë sëmundjet që zakonisht prekin egon (nefsin) e njeriut. Ato janë sëmundje më të rrezikshme dhe me pasoja më të rënda sesa sëmundjet e trupit. Kjo, pasi nëse bashkohen tek një person i vetëm, e shtyjnë drejt zjarrit të xhehenemit. Objektivi i kësaj teme, është që të mësojmë trajtimin dhe kurimin e këtyre sëmundjeve, të cilat janë: mendjemadhësia, zilia, koprracia, lakmia, inati dhe nevrikosja.

Secili prej nesh, duhet ta njohë veten dhe sa për qind është i prekur nga këto sëmundje. Nëse ka ndonjë që nuk konstaton shenja të këtyre sëmundjeve, ai është njeri i mirë dhe për këtë do të fitojë xhenetin në dashtë Zoti. Ashtu siç shqetësohemi për lukun dhe pamjen tonë të jashtme, duhet të shqetësohemi dhe për anën tonë të brendshme, për egon dhe nefsin. Ne duhet ta dimë nëse kemi ego (nefs) të qetë, ego kritike, apo ego që nxit për vepra të liga. A merresh me sëmundjet e zemrës tënde o vëlla dhe oj motër?

Duke u prezantuar me Kabilin, ti o vëlla dhe oj motër do të prezantohesh me egon tënde dhe sëmundjet e saj. Sakaq, duke njohur Habilin, do të njohësh egon dhe veten e mirë. Vendosja para këtyre dy figurave, Kabilit dhe Habilit, shërben si një pasqyrë, ku secili prej nesh sheh veten, nëse është më pranë Kabilit apo Habilit. Kjo histori, i drejtohet çdo familjeje ku vëllezërit janë grindur për ndarjen e trashëgimisë pas vdekjes së babait. Ajo i drejtohet atyre vëllezërve të cilët nuk kanë arritur të bashkëjetojnë si partner të kompanisë që u la trashëgim babai, por secili i shiti aksionet e tij.

Personazhet e historisë

Personazhet kryesore të kësaj ndodhie dhe ngjarjeje janë gjashtë; dy prindërit, dy vëllezërit dhe dy motrat e tyre.

Ademi (a.s ) është babai i parë dhe personi i parë i cili do të kryejë funksionin prindëror mbi faqen e tokës. Ai nuk u bë baba në xhenet, por pasi zbriti në tokë. Ai jetoi edhe në xhenet, edhe në tokë. Dhimbja e zbritjes nga xheneti në tokë, ishte shumë e madhe për Ademin (a.s).

Sakaq, nëna e fëmijëve është Havaja, nëna e parë që mbetet shtatzënë dhe lind fëmijë. Ajo është nëna e parë që përjeton ndjesinë e të qenit nënë. Ajo nuk ka njohur burrë tjetër përveç Ademit, të cilin e donte çmendurisht. Ashtu si Ademi, edhe ajo e përjetoi me dhimbje zbritjen nga xheneti.

Dy djemtë e tyre, janë Kabili dhe Habili. Kabili është djali më i madh dhe djali i parë që u lindi Ademit dhe Havasë. Këtë e gjejmë të përmendur në hadithin e Profetit a.s i cili thotë: “Për çdo njeri që vritet padrejtësisht deri në Ditën e Kiametit, biri i parë të Ademit do vuajë, pasi ai ishte personi i parë që vrau.”

Kabili dhe Habili ishte dy djemtë e parë të Ademit, ashtu siç përbëjnë dallimin mes të mirës dhe të ligës, mes fuqisë dhe urtësisë, mes euforisë dhe maturisë. Sakaq, dy vajzat janë vajzat e para të cilat përjetojnë ndjesinë e të qenit femër dhe vajzat e para të cilat përjetojnë ndjesinë e martesës.

Skena e ngjarjes

Përvoja njerëzore sa kishte filluar të hedhë rrënjët e para të saj. Familja e Ademit (a.s), ishte përvoja e parë familjare mbi faqen e tokës. Kurani Fisnik, nuk na e rrëfen historinë e tyre në detaje, por mjaftohet duke cekur gjashtë skena të ndryshme.

1 – Skena e therrjes së kurbanit.

2 – Skena e konfliktit

3 – Skena e vrasjes

4 – Skena e pendimit

5 – Skena e sorrës

6 – Skena e varrosjes

Megjithëse kjo ngjarje është e mbushur me emocione, ndjesi dhe ndodhi prekëse, Kurani nuk ka folur për to. Me këtë rast, mund të veçojmë ndjesinë e nënës Hava pasi ka humbur fëmijët. Vallë si mund të jetë ndjerë ajo? Si është ndjerë dhe çfarë ka përjetuar Ademi (a.s) pas kësaj ngjarjeje të kobshme? Vallë si janë ndjerë dy vajzat e Ademit (a.s)?

Kurani Fisnik, si në shumë raste të tjera, jep vetëm disa linja të përgjithshme të ngjarjeve, duke lënë hapësira për imagjinatën njerëzore. Kjo bëhet me qëllim që interpretimi i Kuranit të jetë i ri dhe i freskët gjatë gjithë historisë njerëzore, sipas zhvillimit dhe emancipimit të njeriut.

Rrënjët historike të kësaj ngjarjeje

Po t’i shkojmë pas rrënjëve historike të kësaj ndodhie, do i gjejmë ato në qiell, para se Ademi (a.s) të zbresë në tokë. Gjatë jetës së Ademit (a.s) në xhenet, hasim pesë fragmente të cilat kanë lidhje me aktin e shëmtuar të Kabilit me të vëllain e tij Habilin. Në këto pesë fragmente, ne kemi shkëputur gjashtë sëmundjet e zemrës dhe të unit njerëzor, të cilat ishin: mendjemadhësia, zilia, koprracia, lakmia, inati dhe nevrikosja.

Fragmenti i parë, është dialogu mes melekëve dhe Zotit. “Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”[4]

Diçka e tillë ishte nder dhe lavdi për Ademin (a.s) Ai fitoi titulli “halife” mëkëmbës dhe përgjegjës për mbarëvajtjen e jetës mbi tokë. Që këtu, zë fill sëmundja e parë. Ky nder, e revoltoi Iblisin tek i cili lindi zilia dhe smira për Ademin (a.s) Që këtu lindi hasedi, smira dhe zilia.

Fragmenti i dytë: Thotë profeti Muhamed (a. s): “Kur Zoti krijoi krijesat, lidhjet farefisnore u ngritën dhe u ngërthyen për Arshit të Zotit, duke thënë:”O Zot! Ky do të jetë vendi i atij që kërkon ndihmën Tënde për të mos i prerë lidhjet e gjakut.” Zoti i tha:”A nuk je e kënaqur që ata që shkojnë mirë me gjakun e tyre ti mbaj pranë dhe ata që shkojnë keq ti mbaj larg mëshirës Time?” Lidhjet e gjakut u përgjigjën:”Po o Zot, jemi të kënaqur.”

Këtë fragment e ndoqi Ademi (a.s) dhe e kuptoi rëndësinë e lidhjeve të gjakut.

Fragmenti i tretë: “Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisi..”[5]

Zoti i Lartësuar e pyeti: “Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?” Ai u përgjigj: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta”[6]

Pra, sëmundja e dytë që u shfaq ishte mendjemadhësia. Edhe pse balta është më e dobishme se zjarri, pasi ajo ndërton kurse zjarri shkatërron, mendjemadhësia e çoi shejtanin të mos i bindej urdhrit hyjnor. Iblisi nuk e mohoi ekzistencën e Zotit. Jo vetëm që nuk u pendua nga thyerja e urdhrit të Zotit, por ai ndërmori dhe një hap akoma më të rëndë:”Gjithashtu, tha: “A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua? Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do tu vë fre pasardhësve të tij, përveç një pakice prej tyre!”[7]

Ai u betua se njerëzve do u vërë fre, siç u vihet kafshëve, me qëllim që ti tërheqë nga të dojë ai. Me anë të këtij freri, ai do i çojë njerëzit drejt vjedhjes, drejt kamatës dhe fitimit të pasurisë në rrugë të pandershme, drejt marrëdhënieve jashtë martesore dhe gjynaheve të tjera. Pra, shohim që sëmundja e tretë është inati.

Fragmenti i katërt: Pema e përjetësisë. Por djalli e cyti: “O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?”[8]

Pemët dhe frutat e xhenetit ishin pafund, por shejtani e tundonte Ademin (a.s) me pemën dhe frytin e ndaluar nga Zoti. Ai e bën njeriun ta shohë të ndaluarën si gjënë më të bukur, si kulmin e kënaqësisë. Kështu, lindi sëmundja e katërt, lakmia.

Fragmenti i pestë: Pendimi i Ademit (a.s). Pendimi është ilaçi i sëmundjeve të zemrës dhe të egos. Ngrënia nga pema e ndaluar, shkaktoi zemërimin e Zotit. Pasi të dyve iu zbuluan pjesët e turpshme, Ademi (a.s) filloi të vrapojë në xhenet. Zoti e pyeti: “A po ikën prej Meje o Adem?!” Ai iu përgjigj: “Jo o Zot! Por më vjen zor prej Teje.”

Ademi (a.s) zbriti në tokë duke qarë për gjynahun që kishte bërë. Edhe pse Zoti ia pranoi pendimin, Ademi (a.s) u mërzit dhe pikëllua shumë nga ajo që kishte ndodhur. Zoti i thirri: “O Adem! Mos u pikëllo ngaqë të nxora nga xheneti, pasi atë e kam krijuar për ty. Zbrit në tokë, mbill farën e devotshmërisë dhe nëse të merr malli për xhenetin, hajde të ta jap sërish. O Adem! Nëse do të mbroj ty dhe fëmijët e tu nga gjynahet, ku do e manifestoj mëshirën dhe dhembshurinë Time? O Adem! Në xhenet, vije tek ne si mbreti tek mbreti, kurse që sot do të vish si skllavi tek mbreti, gjë e cila është më e dashur për Mua. O Adem! Një gjynah i cili të nënshtron ndaj madhështisë Time, është më i dashur se një vepër e mirë, me të cilën mburresh. O Adem! Rënkimi i gjynahqarëve është më i dashur tek unë sesa lavdet e mburravecëve.”

Duke studiuar egon e Kabilit dhe të Habilit, ne studiojmë dhe eksplorojnë egot tona. Neve na del detyrë që të merremi me sëmundjet e egos dhe zemrës, që cekëm më lart.

Zbritja e Ademit (a.s) dhe Havasë në tokë:

Me zbritjen në tokë, Ademi (a.s) filloi të punojë për të siguruar jetesën. Në tokë, i duhej të përballej me një jetë të vështirë, e kundërta e asaj që jetoi në xhenet. “Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.”[9]

Ai kishte zbritur në një planet ku bënte vapë dhe ftohtë, ku kishte dimër dhe verë, ku e merrte uria dhe ku ngopej, ku mërzitej dhe gëzohej, ku qante dhe qeshte, ku dështonte dhe kishte sukses, ku kishte kafshë të buta dhe të egra. Me qëllim që të përballonte një jetesë kaq të vështirë, atij i duheshin krahë pune. Kështu lindi instikti për t’u shumuar. Havaja mbeti shtatzënë me dy binjakë, një djalë dhe një vajzë. Djali i parë u quajt Kabil. Në lindjen e dytë, Havaja lindi një djalë dhe një vajzë tjetër. Djalit të dytë, i vunë emrin Habil. Kështu familja filloi të shtohej dhe Ademi (a.s) ushtronte rolin e tij si baba. Ai u rrëfente fëmijëve mbi historinë e tij në xhenet, ku melekët i ishin përulur si shenjë respekti. Ai u fliste mbi rëndësinë e lidhjeve farefisnore, të cilat i kishte parë të ngërtheheshin pas Arshit. Ashtu siç u fliste mbi smirën dhe xhelozinë e Iblisit, i cili i tundoi dhe joshi për të ngrënë nga pema e ndaluar. Ai u thoshte se duhet të bëjnë kujdes nga shejtani, i cili i ngre njeriut kushedi sa pusi.

Fëmijët filluan të rriten dhe tu shfaqen shenjat e burrërisë. Habili dukej më i fuqishëm fizikisht. Ai ishte më i dashur dhe më i dhembshur se Kabili. Sakaq, Kabili ishte i ashpër, i dhunshëm dhe agresiv. Dikush mund të thotë se Kabili është i pafajshëm për këtë natyrë dhe këto tipare. Në fakt, kjo është një ide e gabuar. Kur Ademi (a.s) u vendos në tokë, fëmijët e tij kishin mundësi të merreshin me dy zanate: Punimin e tokës ose kullotjen e bagëtive. Kabili filloi të merrej me kullotjen dhe mbarështimin e bagëtive, sakaq Habili punonte tokën. Habili ishte shumë i shkathët dhe kureshtar. Ai dëshironte të mësojë gjithçka që dinte babai i tij Ademi (a.s). Kurse Kabili ishte përtac dhe dembel, ai nuk donte të punojë dhe të lodhet. Pas një farë kohe, Habili filloi të demonstrojë aftësi dhe dhunti të rralla. Të gjithë njerëzit kanë aftësitë për tu zhvilluar dhe për tu aftësuar. Zoti është i drejtë dhe aftësitë ua ka shpërndarë njerëzve në formë të barabartë. Janë njerëzit vetë ata që i shfrytëzojnë ose jo këto aftësi.

Kabili, në vend që të merrej me veten, të punonte dhe të aftësohej, filloi të merrej me të vëllain. Ai e xhelozonte të vëllain për aftësitë dhe suksesin që kishte arritur. Ky është mesazhi i parë që u drejtohet etërve dhe nënave; Kurrë mos e lejo fëmijën të bëhet dembel dhe përtac. Ai duhet të merret me diçka gjatë pushimeve verore, duhet të punojë, të merret me sport, ose të mësojë zanate. Bëni çmos që ti zbuloni dhuntitë e fëmijëve tu dhe i zhvilloni ato, me qëllim që të mos lindë xhelozia dhe smira mes vëllezërve. Dembelizmi është zanafilla e hasedit dhe zilisë. Ai është shkaku kryesor për mos shfrytëzimin e aftësive dhe dhuntive të njeriut. Kjo ngjarje, është mesazhi që i drejtohet çdo të riu; fokusohu tek vetja jote, rivalizoje veten, mëso, studio dhe puno. Historia e Kabilit i drejtohet çdo të riu dembel dhe përtac, që nuk e pëlqen punën dhe lodhjen.

Fëmijët u bënë burra dhe mbushën moshën për martesë. Sipas ligjeve të asaj kohe, djali i shtatzënisë së parë, duhej të martohej me vajzën e shtatzënisë së dytë. Kështu, Kabili duhej të martohej me binjaken e Habilit dhe anasjelltas. Edhe në këtë rast, shejtani filloi të nxisë konflikt mes dy vëllezërve. Ai ia zbukuron njeriut të ndaluarën dhe atë që nuk e ka në dorë. Kështu, shejtani i thotë një ditë Kabilit:”Binjakja jote është më e bukur se ajo e Habilit, prandaj martohu ti me të.” Kështu ai filloi lojën e tij të shëmtuar, duke nxitur dhe stimuluar lakminë. Bazuar në këtë, Zoti na urdhëron të ulim shikimin para femrave të huaja. Ky është një mesazh i fuqishëm për prindërit, që të mos u japin fëmijëve gjithçka që kërkojnë, pasi kështu u kultivojnë lakminë.

Një ditë, Omer ibn Hattabi po ecte në treg i shoqëruar nga një person. Shoqëruesi, sa herë që shihte diçka që i pëlqente, e blinte. Omeri i thotë:”A çfarëdo që të pëlqen e blen?!”

Iblisi filloi t’i shfaqë të metat re gruas me të cilën do të martohej Kabili, duke i mbajtur të fshehta cilësitë e saj të mira, dhembshurinë, besën dhe nderin. Ka shumë njerëz që i neglizhojnë cilësitë dhe hijeshinë e vërtetë të femrës.

Ademi (a.s) nga ana e tij, orvatej që ta nxisë djalin për ti shfrytëzuar aftësitë dhe dhuntitë e tij, por Kabili ishte shumë kokëfortë dhe inatçi.

Po ti o vëlla a je inatçi? A i ke zili vëllezërit dhe motrat e tua?

Kurbani i Kabilit dhe i Habilit:

Ademit (a.s) i lindi një ide në kokë; një konkurs mes dy djemve. Me këtë, ai shpresonte ta nxisë Kabilin dembel. Kështu, nëse prindërit kanë një fëmijë dembel, duhet të përdorin metoda të ndryshme që ta stimulojnë drejt suksesit dhe punës. Ademi (a.s) u kërkoi të ofrojnë nga një kurban për hatër të Zotit. Kurbani më i mirë, do të zgjidhej dhe pranohej nga Zoti. Edhe pse ua këshilloi këtë garë, Ademi (a.s) qëndroi neutral duke mos u bërë palë me asnjërin. Nuk ka përse prindërit të bëhen palë me njërin nga fëmijët në kurriz të tjetrit.

“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo.”[10]

Kabili nga ana e tij ofroi kurbanin më të pavlerë, drithin më të padobishëm dhe të pavlerë. Siç thamë, ai ishte lakmitar dhe koprac i madh. Sakaq, Habili ofroi një viç të shëndoshë dhe të trashë.

Nëse ndodhesh përballë një projekti të rëndësishëm, si martesa, provimet etj… afrohu me Zotin duke vepruar një vepër të mirë, një sadaka, vajtja në Haxh, një umre, agjërim, namaz nate etj… pra diçka që e pëlqen Zoti dhe të afron me Të më shumë.

Zoti i tregoi Ademit (a.s) se kurbani i Habilit ishte pranuar, sakaq ai i Kabilit ishte refuzuar. Kështu, ata u informuan mbi rezultatin përfundimtar të kësaj gare. Sakaq, ne njerëzit e tjerë do e shohim rezultatin përfundimtar të veprave tona vetëm Ditën e Kiametit. Nëse Zoti do na e tregonte se kujt i pranoheshin veprat e mira dhe kujt jo, zilia dhe xhelozia do të na merrnin më qafë. Duke mos e ditur këtë, ne bashkëjetojmë me njëri-tjetrin në këtë dynja dhe e frenojmë zilinë.

Katër këshilla për prindërit:

1 – Mos i lër fëmijët të dembelosen!

2 – Eksploroji dhuntitë e fëmijëve!

3 – Mos fillo me ndëshkimin!

4 – Stimuloji fëmijët me konkurs dhe gara të ndryshme!

“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit”[11]

Ai nuk u mendua aspak, por e shprehu menjëherë dëshirën për ta vrarë të vëllain. Mesa duket, atij i shpëtoi kjo fjalë, nuk e kishte qëllim, pasi nuk kishte planifikuar për këtë. Nga nervozizmi dhe inati momental, ai shprehu një instinkt kafshëror. Po ti o vëlla dhe oj motër, a je nevrik? Nëse po, sa është niveli i nervozizmit tënd? Çfarë bën kur nevrikosesh? A bërtet dhe çirresh? A a frenon veten kur nevrikosesh, apo nuk matesh se çfarë bën? A i qëllon të tjerët kur nevrikosesh? A i shan ata? A i ofendon dhe i keqtrajton? Ngaqë Kabili nuk i tregoi kujdes instinkteve dhe sëmundjeve të egos, kapërceu në një stad të rrezikshëm. Njeriu e ka në dorë t’i luftojë sëmundjet e zemrës dhe të egos. Ato mund të përmirësohen me mund, përpjekje dhe dëshirë të mirë.

Nëse do të imagjinonim një bisedë mes Ademit (a.s) dhe Havasë, do e dëgjonim t’i thotë: “Djali ynë po e përsërit të njëjtin gabim dhe po i vë veshin shejtanit.” Nëse do imagjinonim Havanë duke biseduar me vajzat e veta, do u thoshte: “Ju jeni prehri dhe dhembshuria e familjes.” Nëse do imagjinonim një bisedë mes Havasë dhe Kabilit, do e dëgjonim duke e këshilluar për pasojat që ka shkuarja keq me vëllain dhe familjen.

Ne duhet të sillemi mirë dhe farefisin dhe të afërmit. Kurrë nuk duhet ta harrojmë hadithin kudsij, ku Zoti thotë: “Unë jam i Gjithëmëshirshmi, prej emrit tim rrjedh farefisi (në arabisht). Kushdo që shkon mirë me farefisin, do mbaj pranë Meje. Kushdo që shkon keq me të afërmit, do e largoj nga mëshira Ime.”

Thotë Profeti (a.s): “Mëshira e Zotit nuk gjendet tek ata njerëz ku nuk ruhen lidhjet e gjakut.”

Nëse do imagjinonim një bisedë mes Ademit (a.s) dhe Habilit, do e dëgjonim duke e këshilluar të tregohet i duruar dhe i matur me sjelljet e të vëllait. Familja e tyre kishte nevojë për biseda të shtruara. Ndonjëherë, problemet familjare shihen si të nevojshme, pasi ato krijojnë hapësira për dialog dhe biseda të frytshme mes familjarëve.

Kabili vuante nga gjashtë sëmundje, ku më të rrezikshmet ishin; mendjemadhësia dhe zilia. Të kesh zili, do të thotë të neveritesh kur e sheh tjetrin në gjendje të mirë, duke uruar heqjen e kësaj të mire. Diçka e tillë është haram. Por nëse ti uron që të mirat që ka tjetri ti kesh edhe ti, pa u privuar ai, kjo është e lejuar. Hasedi kalon në disa stade, ku i pari është hasedi që shoqërohet me pendim. Mandej, vjen hasedi që të shqetëson dhe të lë pa gjumë. Në stadin e radhës vjen hasedi të cilin e injoron dhe e anashkalon. Mandej vjen haseti që shoqërohet me keqtrajtim dhe akte të papranueshme. “dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë”[12]

Nëse ideja dhe mendimi përkthehet në vepra dhe akte për ta privuar tjetrin nga të mirat, atëherë kjo zili dhe smirë konsiderohet si fatkeqësi. Kjo, pasi kështu ti ndërhyn në caktimin e Zotit dhe vullnetin e Tij në shpërndarjen e të mirave. Thotë profeti Muhamed (a.s): “Ruhuni nga zilia, pasi tek zemra e një personi nuk bashkohet zilia dhe besimi.” “Zilia i djeg veprat e mira, ashtu siç djeg zjarri drurin.”

Po ti o vëlla dhe oj motër, a keni zili dhe smirë ndokënd? A jeni orvatur që të pengoni dikë nga suksesi dhe përparimi?

Trajtimi i gjashtë sëmundjeve

Çdo njeri e ka obligim që t’i flasë njerëzve të afërt dhe t’i ruajë lidhjet me ta. Ashtu siç është detyrë që gjashtë sëmundjet të trajtohen dhe të kurohen.

1 – Nëse je mendjemadh, atëherë duhet të manifestosh modesti dhe thjeshtësi me fukarenjtë, t’i vizitosh dhe të sillesh butë me ta.

2 – Nëse mban inat, atëherë ule veten para familjarëve, bindu atyre, demonstro keqardhje, telefonoju njerëzve të afërm dhe pajtohu sa më shpejt me gruan, që të luftosh inatin e mërinë.

3 – Nëse ke lakmi, atëherë privoje veten nga disa gjëra që të pëlqejne dhe të joshin, si dhe ule shikimin ndaj haramit.

4 – Nëse je koprrac, jep sadaka dhe luftoje këtë ves.

5 – Nëse nevrikosesh shpejt, atëherë mbaje veten në raste të tilla dhe kujto këshillën e Profetit (a.s):”Mos u nevrikos!” Sa herë që të ndjesh se po nevrikosesh, shko dhe merr abdes.

6 – Nëse ke zili dhe smirë, fokusohu tek vetja jote dhe rivalizoje atë.

Vrasja e vëllait

“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë. Unë parapëlqej të marrësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh ndër banorët e zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve”. Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit. Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: “Mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëllai?!” E u bë nga të penduarit.”[13]

Unë bëj çudi me fjalët “do të të vras”, si vallë mund t’ia thotë vëllai vëllait?! Si e ka parë në sy vëllain dhe e ka kërcënuar me eliminim fizik? Si është e mundur që sot vëllai e bojkoton vëllain dhe nuk i flet fare? Si është e mundur që motra e braktis të motrën?!

Vallë si është ndjerë Ademi (a.s) dhe Havaja kur i humbën dy djemtë e tyre? Ata humbën dhe Kabilin, i cili me të vrarë vëllain ia mbathi dhe u largua nga familja përgjithmonë, pa u penduar. Aq më tepër, që si Kabili dhe Habili ishin në prag të dasmës së tyre. Për prindërit, nuk ka fatkeqësi dhe kob më të rëndë sesa humbja e fëmijëve. Havaja është nëna e parë që ka provuar dhimbjen e humbjes së fëmijës. Vallë si është ndjerë ajo dhe si është ndjerë Ademi (a.s)?

Gjatë ngjitjes së profetit Muhamed (a.s) në mbretërinë e qiejve, natën e Miraxhit, ai u takua dhe me Ademin (a.s.) Tregon ai: “U ngjitëm në qiellin e parë dhe Xhibrili (a.s) trokiti në dyert e qiellit. Dikush pyeti pas dyerve: “Kush është?”

Xhibrili u përgjigj: ”Jam Xhibrili.”

Zëri pyeti: “Kush është me ty?”

Xhibrili u përgjigj: “Është Muhamedi biri i Abdullahut.”

Zëri pyeti: “A është dërguar si profet?”

Xhibrili u përgjigj: “Po.”

Atëherë na u hapën dyert dhe hymë brenda, ku dallova një burrë të rrethuar nga e majta dhe e djathta me shumë njerëz. Sa herë shihte nga e djathta e tij, ai qeshte. Sa herë shihte nga e majta ai qante. Unë e pyeta Xhibrilin (a. s): “Kush është ky?”

Ai u përgjigj: “Është babai yt Ademi. Kur sheh në të djathtën e tij, ai sheh fëmijët që i janë bindur dhe prandaj qesh. Kur sheh në të majtën, sheh fëmijët që kanë humbur rrugën e drejtë dhe prandaj qan.”

A e imagjinon dhimbjen e Ademit (a.s) që nga humbja e fëmijëve?

Allahu pranon vetëm prej të devotshmit.

Ky është një parim dhe rregull hyjnor, sipas të cilit veprat e mira u pranohen vetëm të devotshmëve. Nëse dëshiron ta dish a t’i pranon Zotit ibadetet dhe veprat e mira, shihe nëse je i devotshëm me Zotin.

Nëse do të dish a ta ka pranuar Zoti Ramazanin e kaluar, shihe nëse je ruajtur nga harami dhe e ke ndjerë prezencën e Zotit në jetë. A e ke braktisur pirjen e duhanit? A ke shkuar mirë me gruan tënde? A nuk i keqtrajton më prindërit?

Thotë Ali ibnu Ebi Talib: “Gjatë muajit të Ramazanit, lodheshim për sa më shumë ibadet. Me të përfunduar muaji, shqetësoheshim nëse na ishin pranuar veprat e mira apo jo.”

“Allahu pranon vetëm prej të devotshmit.” Arritja e devotshmërisë është objektivi kryesor i agjërimit të Ramazanit. “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.”[14]

Ditën e Kiametit, Zoti do i drejtohet njerëzimit me fjalët: “Unë krijova një elitë njerëzish, kurse ju krijuat elitën tuaj. Unë u pata thënë se “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.”[15] Kurse ju thoshit: “Filani biri i filanit. Sot, unë do i nderoj elitën që caktova Vetë dhe do e poshtëroj elitën tuaj. Ku janë të devotshmit?”

Tregon një nga shokët e Profetit (a.s): “Një ditë pas namazit të drekës, i dërguari i Zotit (a.s) na këshilloi dhe na preku, aq shumë saqë në shpërthyen lotët dhe na dridheshin zemrat. Dikush e pyeti: “O i dërguar i Allahut! Mos është këshillë lamtumire kjo?! Nëse po, me çfarë na këshillon më konkretisht?” Profeti (a.s) iu përgjigj: “U këshilloj të jeni të devotshëm dhe ta ndjeni prezencën e Zotit kudo.”

Efekti i devotshmërisë:

1 – Fal gjynahet. “O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t’ju lirojë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe.”[16]

2 – Të fal xhenetin.” Ky është Xheneti që Ne ua japim në trashëgim robërve Tanëtë devotshëm.”[17]

3 – Ti lehtëson hallet e kësaj bote. “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.”[18]

4 – Largon shqetësimet dhe zgjeron rizkun. “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.”[19]

5 – Vendeve të varfra u fal bereqet nga qielli. “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.”[20]

Kujt i ngjan njerëzimi sot, Kabilit apo Habilit?

Përse krimi i parë i regjistruar nga Kurani ishte pikërisht vrasja dhe jo marrëdhëniet jashtëmartesore, apo konsumi i alkoolit? Që para se të krijohej njeriu i parë, melekët patën shprehur frikën e tyre se mos kjo qenie e re do të derdhte gjak. “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të,”[21]

Sot njerëzimi ka arritur një zhvillim dhe qytetërim të cilin nuk e ka arritur kurrë më parë. Megjithatë herë pas here shtrohet pyetja, nëse njerëzimi është më pranë Kabilit apo Habilit.

Me kë ngjan më shumë ti o vëlla dhe oj motër? Mos është shkak edukimi i dhunës në familjet tona? Pashi Zotin o njerëz, mos ushtroni dhunë ndaj grave dhe ndaj fëmijëve tuaj! Mos ia kultivo fëmijës dhunën. Nëse fëmija yt është i dhunshëm, je ti shkaku o prind.

Kam një mik, djali i të cilit është trembëdhjetë vjeç. Një ditë, djali i tij bashkë me një shok, shkojnë në klubin sportiv. Atje, e gjejnë derën për tek pishina të hapur. Të dy hyjnë në ambientet e pishinës dhe i hedhin në ujë të gjithë peshqirët. Mandej ia mbathin për në shtëpi. Kur hyri në shtëpi, babai i cili e trajtonte djalin si një shok, e pyeti: “Çfarë ka ndodhur sot?”

Djali i përgjigjet: “Asgjë me rëndësi.”

Babai i thotë: “Unë të njoh mirë dhe e dalloj se ke bërë diçka.”

Djali i përgjigjet: “Do ta tregoj, nëse nuk më ndëshkon.”

Babai: “Dakord.”

Djali shton: ”I kemi hedhur të gjithë peshqirët në ujin e pishinës.”

I bindur se ndëshkimi dhe dackat nuk bëjnë faide, babai i thotë: “Mirë, tani do të shkojmë të dy tek pishina dhe t’i nxjerrim që andej peshqirët.” Menjëherë vajtën dhe rregulluan gjithçka që ishte prishur. Gjatë rrugës së kthimit, babai nuk foli fare, sakaq djali shpërtheu në të qara. Një formë reagimi e tillë, padyshim që ka efekt më të fuqishëm se rrahja dhe ndëshkimi.

Ju o prindër që kultivoni dhunën tek fëmijët tuaj, kijeni frikë Zotin! “Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë.”

Këtë ajet, ua dhuroj të gjithë vëllezërve tanë në Irak, Palestinë dhe Liban. Atë ua dhuroj të gjithë atyre që sillen keq me gratë e tyre. Atë ua dhuroj të gjithë atyre që i keqtrajtojnë shërbëtoret dhe punëtorët. Të gjithëve dua tu drejtoj një pyetje: Mos vallë Habili ishte frikacak dhe pasiv? Padyshim që jo.

A do e lejojë ai vëllain ta vrasë? Po dhe në fakt, e vrau. Thotë profeti Muhamed (a.s):”Kush vritet në mbrojtje të pasurisë, është martir. Kush vritet në mbrojtje të fesë është martir. Kush vritet në mbrojtje të jetës së tij, është martir. Kush vritet në mbrojtje të familjes, është martir.”

Por në raste trazirash, çështja shihet na një këndvështrim tjetër. Kështu, nuk lejohet vrasja e të afërmve dhe farefisit, as në kohë të qeta dhe as në trazira. Sidomos me të afërmit, motoja jonë duhet të jetë: Jo gjakderdhjes.

Nëse do të vazhdojnë trazirat, destabiliteti dhe tranzicioni, nuk do të ketë zhvillim dhe progres të vendeve tona. Thotë profeti Muhamed (a.s):”Do të ndodhin trazira, gjatë të cilave ai që qëndron ulur, është më i mirë se ai në këmbë. Ai në këmbë është më i mirë se ai që ecën. Ai që ecën është më i mirë se ai që rend.” Dikush pyeti:”O i dërguar i Allahut! Po sikur të vijë dikush, të hyjë brenda në shtëpi dhe të zgjasë dorën për të më vrarë?!” Profeti (a.s) iu përgjigj:”Ji si biri i Ademit!” Mandej, ai lexoi:“Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras.”

Thotë Profeti (a.s): “Kushdo që ka deve, le tu shkojë pas deveve. Kush ka të imta, tu shkojë pas të imtave. Kush ka tokë, le të merret me tokën (në raste trazirash).”

Kjo nuk është thirrje për pasivitet, por është thirrje për t’iu përkushtuar punës, me qëllim që të hedhim themelet e zhvillimit.

Othman ibn Affan … Habili i myslimanëve:

Gjatë kalifatit të Othman ibn Affanit, kryeqendra e kalifatit u përfshi nga një trazirë e rëndë, gjatë së cilës mbeti i vrarë vetë Othmani. U vra personi për të cilin profeti Muhamed (a.s) pati thënë: “Ai është një burrë prej të cilit u vjen zor edhe melekëve.”

Gjatë kësaj trazire, Othmani u dërgoi një mesazh qyteteve të tjera ku u thoshte: “Uluni si të doni mbi dinjitetin tim, provokojeni si të doni sabrin dhe durimin tim. Pasha Zotin, gjithçka që të më kërkoni do ua realizoj, veç nëse është ndonjë gjynah.” Asnjëri nuk iu përgjigj këtij mesazhi. Pak para Haxhit, u dërgoi një mesazh tjetër, ku u thoshte: “Kujtdo që i kam bërë ndonjë padrejtësi, le të vijë që t’ia jap. Unë do i mbuloj shpenzimet e të gjithë udhëtimit. Askush të mos i frikësohet hakmarrjes, pasi nuk është pjesë e karakterit tim.” Por askush nuk iu përgjigj.

Tre mijë luftëtarë e rrethuan në qytet. Aliu, Talha dhe Zubejri vajtën tek shtëpia e tij dhe i thanë: “O Prijës i besimtarëve! Vish veshjen e Haxhit dhe dil jashtë, pasi nuk e vrasin dot një person të nisur për Haxh. Ose lëre Medinen dhe largohu për në Sham. Në të kundërt, na urdhëro të luftojmë.”

Ai ua ktheu: “Jo për Zotin. Të vishem me rrobat e ihramit (Haxhiut) nuk ia vlen, pasi nuk do i pengojë gjë për të më vrarë. Të largohem për në Sham, e kam të vështirë të braktis qytetin e të dërguarit të Zotit. Kurse për luftë, e kam të pamundur ta lejoj të ndodhë në qytetin e të dërguarit të Zotit (a.s). Që trazira do të mbyllet do të mbyllet. Othmanit i mjafton si vlerë që të mos e nxisë më shumë. Le të vritet Othmani, për të mos u derdhur gjak myslimani tjetër.”

Aliu tha: “Unë bëra aq sa munda.”

Ebu Hurejre hyri në dhomën e Othmanit me shpatën në dorë. Othmani e pyeti: “Për çfarë ke ardhur?”

Ebu Hurejre iu përgjigj: “Kam ardhur të ndihmoj ty.”

Othmani i tha: “Fute shpatën në mill. Mos dëshiron të vrasësh njerëz në qytetin e të dërguarit të Zotit?!”

Ebu Hurejre iu përgjigj: “Jo.”

Othmani i tha: “A e di se të vrasësh një njeri, është sikur të vrasësh të gjithë njerëzimin?”

Ebu Hurejre e pyeti: “Po ti?!”

Mua më mjafton ajeti: “Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras”

Pastaj i tha: “Më ka thënë i dërguari i Zotit:” O Othman! Do të fitosh xhenetin gjatë një trazire që do të përfshijë.” Unë i pata thënë: “Atëherë unë do të duroj o i dërguar i Allahut.”

Para se ta vrasin Othmanin, e patën rrethuar në shtëpi për disa kohë. Gjatë kësaj kohe, ai sheh në ëndërr të dërguarin e Zotit (a.s), i cili e pyet: “A të kanë lënë pa ushqim o Othman?”

Ai i përgjigjet: “Po o i dërguar i Allahut.”

Profeti (a.s) e pyet: “A të kanë lënë pa ujë o Othman?!”

Ai i përgjigjet: “Po o i dërguar i Allahut.”

Profeti (a.s) e pyet: “A të kanë rrethuar o Othman?”

Ai i përgjigjet: “Po o i dërguar i Allahut.”

Profeti (a.s) i thotë: “A do të durosh dhe këtë natë o Othman, dhe të agjërosh të nesërmen, që ta hash iftarin me mua, Ebu Bekrin dhe Omerin?”

Ai iu përgjigj: “Po o i dërguar i Allahut.”

Kur i doli gjumi, Othmani filloi të qeshë. Ai kishte një shërbëtor, të cilin e thirri dhe i tha: “Kushedi sa herë ta kam tërhequr veshin. Tani tërhiqe fort ti veshin tim, pasi shlyerja e borxhit në këtë dynja, është më e lehtë se ditën e Kiametit.”

E shoqja i tha: “Po hyjnë brenda në shtëpi. A ta heq shaminë e kokës, që t’ju vijë turp dhe të largohen kur të shohin kokën time të zbuluar?!” Othmani iu përgjigj: “Për Zotin, më mirë pranoj të më tharmohet trupi sesa të zbulohet një fije floku e jotja.”

Atëherë kryengritësit hynë brenda dhe e vranë me shpata, teksa ai lexonte ajetin:” Por Allahu të mjafton ty (si mbrojtës) kundër atyre.”[22]

Moment i vrasjes së Habilit:

“Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit.”[23]

Si vallë iu bind egos dhe e vrau vëllain e tij? Thotë Profeti (a.s): “Sprovat i ekspozohen zemrës si thuprat e rrogozit, njëri pas tjetrit. Nëse një zemër i thith këto sprova, i vihet një pikë e zezë. Zemra që i refuzon, i vihet një pikë e bardhë. Kështu, kemi dy zemra; një e bardhë si bora të cilës s’kanë ç’ti bëjnë sprovat sa të ketë qiej dhe tokë. Dhe një tjetër e zezë, e cila nuk e dallon të mirën nga e keqja.”

Po si i lindi ideja e vrasjes së vëllait? Nga gjuetia dhe duke parë kafshët që vrisnin njëra–tjetrën. Kjo, edhe pse kafshët nuk vrasin të njëjtën specie si vetja, luani nuk vret luanin.

Thuhet se shejtani vajti tek Kabili bashkë me një kafshë, të cilën e shtriu dhe e goditi fort me një gur në kokë, duke e lënë të ngordhur në vend. Kështu, ai ia mësoi si ta vrasë të vëllain. Menjëherë, Kabili mori një gur dhe iu vërsul të vëllait, duke e goditur në kokë derisa e la të vdekur. Menjëherë pasi e vrau vëllain, Kabili u bë pishman.

Në një studim tek të burgosurit për krime të rënda, u pyetën se cila ishte ndjesia e parë pas vrasjes së dikujt. Të gjithë përgjigjeshin: “Pendimi dhe bërja pishman.”

Kur e pa këtë skenë, shejtani u gëzua dhe iu bë qejfi.“Unë nuk kam të bëj me ty! Në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve!”[24]

Çfarë humbi Kabili? Humbi ahiretin dhe jetën e amshuar. Çdo njeri që vritet padrejtësisht që nga ajo kohë, një pjesë e gjynahut i shkon dhe Kabilit. Kjo, pasi ai krijoi modelin e vrasjes për gjithë njerëzimin. A e imagjinoni dot sa gjynahe ia janë mbledhur atij? A e imagjinoni dot duke mbajtur barrën e të gjithë të vrarëve në luftëra? Mos ia lejo vetes të krijosh modelin e keq dhe të mbash gjynahet dhe barrën e të gjithë atyre që të ndjekin. Mos u bëj ti motër personi i parë që tradhton burrin në mjedisin që të rrethon. Mos u bëj ti femra e parë në familjen tënde që krijon lidhje jashtëmartesore.

Thotë profeti Muhamed (a.s): “Për çdo njeri që vritet padrejtësisht deri në Ditën e Kiametit, biri i parë i Ademit do vuajë, pasi ai ishte personi i parë që vrau.”

Ai humbi vëllain dhe dorën e cila e përkëdhelte dhe i rrihte supet. Ai humbi babnë dhe nënën. Ai humbi të shoqen, pasi nuk u martua dot. Ai humbi qetësinë dhe sigurinë.

Një herë ndodhesha për vizitë në SHBA dhe vizitova një pallat madhështor, me gjashtëqind dhoma. Ciceroni më tregoi se pronarja e këtij pallati, kishte jetuar gjatë luftës civile në Amerikë. Burri i saj merrej me shitjen e armëve, të cilat ua shiste dy palëve në konflikt. Kur e shoqja dëgjoi për këtë, u sëmur dhe u çmend. Ajo humbi qetësinë shpirtërore dhe sigurinë. Ajo i kërkoi të shoqit t’i ndërtojë një pallat me gjashtëqind dhoma gjumi, pasi e ndjekin shpirtrat e të vrarëve në luftë. Në fund, ajo ndërron jetë në shtratin e saj.

Zoti e ka krijuar këtë botë për ty:

“Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini”[25]

Ashtu siç ekzistojnë vrasës dhe kriminelë, ekzistojnë dhe njerëz të mirë si Ibrahimi (a.s), Habili, Musai (a.s), Isai (a.s), Muhamedi (a.s) etj… Zoti e ka krijuar tokën dhe botën për njerëzit e mirë dhe reformatorë. Nëse je nga njerëzit e mirë, dije se për ty e ka krijuar Zoti këtë botë.

Pasi e vrau, Kabili nuk dinte ç’të bëjë me kufomën e të vëllait. Ai nuk kishte parë asnjëherë një funeral varrimi. Habili ishte personi i parë që vdiste mbi tokë dhe nuk dihej si veprohet me të vdekurit. Atij filloi ti fryhej trupi dhe i vinte erë e keqe. Nga të katër anët filluan egërsirat dhe korbat të afrohen. Është mëshira e Zotit që kufomës t’i ndryshojë era dhe ti prishet mishi. Nëse nuk do të ndodhte kështu, njejrëzit do i mbanin në shtëpi kufomat e të dashurve të tyre si shenjë besnikërie. A e imagjinoni do mund të ishte një jetë e tillë? Zoti na e mësoi ritualin e varrosjes së vdekurve me anën e një sorre. Duke i varrosur të vdekurit tanë, ne e kemi më të lehtë ta harrojmë tragjedinë dhe fatkeqësinë. Ne shpresojmë që me njerëzit e dashur të takohemi në xhenet.

“Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: “Mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëllai?!” E u bë nga të penduarit.” [26]

Ai u bë pishman për veprën që kishte bërë, por nuk u pendua dhe nuk kërkoi falje. Ai u bë pishman, ngaqë tani nuk dinte ç’të bëjë me kufomën e vëllait. Kurrë mos hidh një hap, të cilit nuk ia di pasojat!

Pasi e varrosi të vëllanë, Kabili u largua nga shtëpia dhe familja e tij. Ai humbi Ademin (a.s), Havanë dhe motrat e vëllain e tij. A e imagjinoni dot se si janë ndjerë prindërit, Ademi dhe Havaja pas kësaj tragjedie?

Pyesni nënat e Irakut të cilat kanë humbur bijtë e tyre në luftë, nga duart e një irakiani! Pyet nënat palestineze që kanë humbur fëmijët nga duart e një palestinezi dhe jo nga duart e armiqve.

Habili përfaqëson njeriun që besonte tek lidhjet farefisnore, njeriun që donte të vërtetën dhe zhvillimin, e jo zullumin dhe rrënimin. Shumë njerëz besojnë se varri i tij gjendet në malin Kasion në Sirinë e sotme.

Por le ta ngremë lart moralin dhe le të shohim me syrin e optimistit. Habili ishte martiri dhe shehidi i parë mbi tokë. Pas tij, Zoti i fali Ademit (a.s) një djalë tjetër, me emrin Shith i cili u bë profet. Pas tij erdhi dhe profeti Idris (a.s), nga pasardhësit e Ademit (a.s.) Kështu, Zoti ia kompensoi Ademit (a.s), humbjen e Habilit me një shehid dhe dy profetë.

“Trego në Libër për Idrizin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet. Ne e ngritëm atë në vend të lartë. Këta janë ata, të cilët Allahu i begatoi (me hirin e Tij) nga profetët pasardhës të Ademit.”[27]

“Prandaj Ne i urdhëruam bijtë e Izraelit se kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve.”[28]

Pra, për të garantuar jetën e njeriut dhe dinjitetin e tij, Zoti ka vendosur parimin e mësipërm. Ai u kërkon njerëzve që mosmarrëveshjet t’i zgjidhin me dialog, jo me dhunë dhe gjakderdhje.

Mesazh i kësaj ndodhie:

1 – Zoti ua pranon veprat e mira njerëzve të devotshëm. Le t’i japim besën njëri-tjetrit që të manifestojmë devotshmëri, gjatë gjithë vitit dhe sidomos gjatë muajit të Ramazanit.

2 – Bëhuni si Habili, i cili tha:”unë nuk do ta ngre dorën që të të vras”. Mos u bëni kurrë si Kabili dhe si ata që shkatërrojnë.

Le ti lexojmë rishtazi ajetet që flasin për ndodhinë që trajtuam dhe të meditojmë rreth tyre:

“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë. Unë parapëlqej të marrësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh ndër banorët e zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve”. Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit. Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: “Mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëllai?!” E u bë nga të penduarit.”[29]

Autor: Amër Halid

Përktheu: Elmaz Fida

[1] – Sure Maide: 27.

[2] – Sure Fatiha: 2

[3] – Sure Nas: 1.

[4] – Sure Bekare: 30.

[5] – Sure Bekare: 34.

[6] – Sure A’raf: 12.

[7] – Sure Isra: 62.

[8] – Sure Taha: 120.

[9] – Sure Taha: 118.

[10] – Sure Maide: 27.

[11] – Sure Maide: 27.

[12] – Sure Felek: 5.

[13] – Sure Maide: 27 – 31.

[14] – Sure Bekare: 183.

[15] – Sure Huxhurat: 13.

[16] – Sure Enfal: 29.

[17] – Sure Merjem: 63.

[18] – Sure Talak: 4.

[19] – Sure Talak: 2 – 3.

[20] – Sure A’raf: 96.

[21] – Bekare: 30.

[22] – Sure Bekare: 137.

[23] – Sure Maide: 30

[24] – Sure Hashr: 16.

[25] – Sure bekare: 30.

[26] – Sure Maide: 30.

[27] – Sure Merjem: 56 – 58.

[28] – Sure Maide: 32.

[29] – Sure Maide: 27 – 31.