Ballina Kulturë Histori Historia e bashkëkohëses së Profetit a.s që u varros në Qipro

Historia e bashkëkohëses së Profetit a.s që u varros në Qipro

Um Haram bint Milhan r.a ishte tezja e Profetit Muhamed a.s. Profeti a.s e vizitonte shpesh atë dhe ndonjëherë shplodhej apo dremiste në shtëpinë e saj. Një herë, profeti shkoi ta vizitonte, dhe ajo pasi i ofroi ushqim, filloi t’i përkëdhelte kokën.

Profetin e zuri gjumi dhe pas pak kohe u zgjua duke buzëqeshur. Um Harami e pyeti, “Ç’të bëri të qeshësh O i dërguari i Allahut?” Ai u përgjigj, “Në ëndërr m’u shfaqën disa pjesëtarë të umetit tim duke luftuar në rrugën e Allahut, duke lundruar nëpër detëra si mbretër mbi frone.

Um Harami i tha, “ O i dërguari i Allahut, lutju Allahut që të më bëjë prej këtyre njerëzve.” Profeti Muhamed a.s iu lut Allahut, mbështeti kokën në jastëk dhe vijoi të flinte. Pastaj ai u zgjua sërish duke buzëqeshur. Um Harami e pyeti sërish, “Ç’të bëri të qeshësh O i dërguar i Allahut?”

Ai u përgjigj, “M’u shfaqën në ëndërr disa pjesëtarë të umetit tim duke luftuar në rrugë të Allahut.” Ai tha të njëjtën gjë që kishte thënë edhe më parë. Unë i thashë, “O i dërguari i Allahut! Lujtu Allahut të më bëjë nga këta njerëz.” Ai tha, “Ti do të jesh nga të parat!”. (Transmetuar nga Buhariu)

Shumë vite pas vdekjes së Profetit a.s, kur kufijtë e islamit kishin arritur në Siri dhe përtej, Muavija r.a që ishte guvernator për kohën që flasim, po përballej me probleme të shumta nga sulmet e bizantinëvë që përdornin Qipron si vendin ku nisnin flotën e tyre sulmuese.

Ai i kërkoi leje kalifit të dytë, Umerit r.a, që të ndërmerrte një sulm detar kundër Qipros për t’i dhënë fund sulmeve bizantine, por Umeri nuk i dha leje për shkak të rreziqeve që deti paraqiste dhe faktit se muslimanëve u mungonte përvoja detare, aq më tepër në luftime.

Kur kalif u bë Othmani, Muavija arriti ta bindte se ishte e nevojshme të sulmonin Qipron për shkak të rrezikut bizantin. Muavija përgatiti një flotë që do të shkonte në Qipro dhe në krye të saj vendosi Ubade bin Saamitin. Ky ishte sulmi i parë detar në historinë e islamit.

Um Harami ishte bashkëshortja e Ubade bin Saamitit. Ajo kërkoi me vullnetin e saj që t’i bashkohej këtij udhëtimi të rrezikshëm. Më në fund, lutja që Profeti kishte bërë për të përpara shumë vitesh do të shndërrohej në realitet.

Pasi mposhtën anijet që ruanin ishullin, anijet muslimane u ankoruan në brigjet e Qipros. Kur muslimanët zbarkuan, Um Harami po kalëronte një kalë që papritur u frikësua dhe kërceu fuqishëm duke shkaktuar rrëzimin e Um Haramit në një pozicion të keq që i shkaktoi lëndime të rënda dhe më pas vdekjen në rrugën e Allahut. Sa i përket Qipros, burimet historike dëshmojnë se banorët e ishullit vendosën të negociojnë duke nënshkruar një traktat me shtetin e muslimanëve.

Um Harami u varros aty ku u rrëzua dhe sot në Qipro, pranë varrit të saj, gjendet një xhami që është ndërtuar nga osmanët në nderim të saj. Edhe sot e kësaj dite, njerëz nga e gjithë bota vizitojnë varrin e saj kur shkojnë në Qipro. Ai është një nga vendet më të rëndësishme të muslimanëve në ishull.

Më poshtë paraqiten disa fotografi të xhamisë së ndërtuar nga osmanët të njohur si xhamia Hala Sultan Teke ose xhamia e Um Haramit. http://www.profetimuhamed.info/

Exit mobile version