E di se ky reagim nuk ka me i pëlqyer shumicës, jo pse nuk mendojnë si unë, por pse janë oportunist dhe nuk duan ti kritikojnë aleatët dhe miqtë tanë, por nuk më lë rehat ndërgjegjja njerëzore, profesionale e intelektuale të mos reagoj.
Bota demokratike e cila i mban ligjetata botës tjetër “jodenokratike” për liritë të drejtat dhe barazitë e njeriut, sot është futur në krizën më të thellë njerëzore e morale ku nuk ka ndërgjegje, empati e solidaritet ose kjo ndodh sipas interesave të atyre që e dirigjon këtë botë.
Në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi i konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë por u deshën 29 vjet që ai të dënohet nga kjo botë “demokratike” në Asamblenë e Përgjithshme të KB, por jo nga “bota tjetër” me popullatë shumicë që flet për ndarjen e botës.
Dhe mirë që 11 korriku duhet të shënohet në mbarë botën siç bëhet me Hollokaustin. Por a nuk është kjo hipokrizi, kur sot në Gaza pushteti i një shteti, populli i të cilit ka përjetuar hollokaust para 80 vitesh, po ushtron gjenocid të paparë që ua kalon edhe veprimeve monstruoze të nazizmit, mbi popullatë civile palestineze, të shumtën gra e fëmijë. Dhe kjo “botë demokratike” me trabantët e vet jo që e dënon por e përkrah dhe e ndihmon këtë gjenocid pa fije turpi, dhe për hipokrizi kreu i këtij blloku kërkon ndërprerjen e bombardimeve dhe luftimeve e në anën tjetër ndihmon me armë e para pushtetin izraelit.
A nuk është hipokrizi që të flitet me të madhe për bombardimin e spitalit të fëmijëve nga agresori rus ku kanë humbur jetën 30 fëmijë e të heshtën bombardimet e spitaleve në Gaza dhe vdekja e fëmijëve për bukë dhe ilaçe. Në rastin e Ukrainës “bota demokratike” e dënon shkaku I Rusisë por jo atë në Gaza shkaku u SHBA.
Në këtë rrafsh është edhe sjellja e qeverisë së Kosovës e cila mbrëmë (10.7.24) në shenjtë të respektimit të Rezolutës së OKB e shënoj gjenocidin në Srebrenicë, por plotësisht muaj askush nga pushteti, politika, OJQ e mediat as që e përmendin gjenocidin në Gaza “se hidhetohet” aleati më madh yni dhe “bota demokratike”.
Për çka flet e gjithë kjo dhe kah po shkon “bota e sotme demokratike me vlera humane e morale që po funksionon me dy kate, sipas interesit.
Ku është dallimi mes viktimave (fëmijëve) të Srebrenicës, Ukrainës e Gazes?
Luftën dhe krimet mbi palestinezët i kanë dënuar dhe kanë kërkuar përfundimin e tyre vetë populli hebre, jo vetëm në Izrael por në mbarë botën, sepse nuk don ta bartë damkën e një populli gjenocidal shkaku i pushtetit.
Hipokrizia rrumɓullakoset me zgjedhjen e ish KM holandez, Mark Rut sekretar i përgjithshëm i NATO-s vendi i të cilit, me njësitë mbrojtëse ushtarake në Srebrenicë nuk e kanë penguar gjenocidin, dhe është përgjegjës për këtë gjenocid.
Gjithashtu nuk lexova nëse ndonjë parlament a qeveri e shteteve që e kanë shpallë 11 korrikun Ditë të kujtesës së gjenocidit në Srebrenicë, e kanë shënuar këtë ditë me mbledhje të veçanta siç bëri Parlamenti i Kosovës.
Kah po shkon bota e sotme?!
Fahri Musliu