Hezbollahu i Libanit ka lëshuar breshëri të rënda me raketa në Izrael të dielën, kanë raportuar mediat izraelite. Sulmi ka ndodhur pasi është goditur një ndërtesë pranë Tel Avivit, pasi një sulm i fuqishëm izraelit ka vrarë të paktën 20 persona në Bejrut një ditë më herët, raporton Reuters.
Izraeli gjithashtu ka goditur periferitë jugore të Bejrutit, të kontrolluara nga Hezbollahu, ku sulmet e intensifikuara gjatë dy javëve të fundit kanë përkuar me shenja të përparimit në bisedimet e armëpushimit të udhëhequra nga SHBA-ja.
Hezbollahu, i cili më herët është zotuar se do t’i përgjigjej sulmeve në Bejrut duke e shënjestruar Tel Avivin, ka thënë se ka lëshuar dy raketa precize në zonat ushtarake të Tel Avivit dhe rrethinës.
Nuk ka pasur raportime nga Izraeli për dëme në zonë, por transmetuesi televiziv “Kan” ka shfaqur një apartament të dëmtuar në Petah Tikvah, lindje të Tel Avivit. Pamjet televizive nga shërbimi mjekësor MDA kanë shfaqur makina të djegura në Petah Tikvah.
Hezbollahu ka lëshuar 170 raketa në Izrael të dielën, sipas ushtrisë izraelite, shumica prej të cilave janë rrëzuar, por të paktën pesë njerëz janë lënduar nga mbeturinat e raketave.
Ndërkohë, një sulm izraelit në qendrën libaneze të ushtrisë ka vrarë një ushtar të dielën dhe ka plagosur rreth 18 të tjerë, ka thënë ushtria libaneze. /koha