Hetuesit e krimeve ekonomike dyshohet se morën ryshfet për të mos hetuar biznesin e kazinove

Asnjë fjalë në gjykatë nuk e ka thënë hetuesi i Krimeve Ekonomike, Lavdim Osmani, në seancën ku do të vendosej për caktimin ose jo të masës së paraburgimit për 30 ditë.

Siç ka mësuar gazeta, ndryshe prej hetuesit Osmani që ka zgjedhur të mbrohet në heshtje, kolegu i tij, po ashtu i arrestuar, Lutfi Menxhiqi, para gjykatësit ka mohuar dyshimet për të cilat ngarkohet.

Të dy këta hetues janë arrestuar nga IPK-ja ditën e mërkurë për dyshimet për korrupsion. Të dy do të mbajnë 30 ditë paraburgim, raporton Koha Ditore.

Burime të gazetës në hetuesi kanë treguar se Osmani e Menxhiqi dyshohen kanë pasur informacione që një person po zhvillonte veprimtari të jashtëligjshme të lojërave të fatit. Funksionimi i kazinove dhe lojërave të fatit në Kosovë është i jashtëligjshëm.

“Biznesmeni M.M. ka bashkëpunuar me Inspektoratin e Policisë së Kosovës pasi që hetuesit i kanë thënë që duhet t’u japin para atyre nëse dëshiron që ta zhvillojë aktivitetin e tij ilegal në kazino”, ka thënë ky burim brenda në hetuesi.

Sipas të njëjtit burim, njëri nga zyrtarët ka marrë disa herë para nga biznesmeni.

“Të gjitha pagesat janë bërë në koordinim me IPK-në”, ka thënë ky burim.

Ky biznesmen është një nga personat e arrestuar në aferën e njohur si “fajdetë”.

Hetuesi i arrestuar, Lavdim Osmani, ka qenë pjesë e ekipit hetues edhe në këtë rast.

Por, siç ka marrë vesh “Koha Ditore”, arrestimi nuk lidhet fare me aferën e fajdeve, e cila për më shumë se një vit është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Ryshfeti nuk është kërkuar për atë rast”, ka thënë një burim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe avokati i Osmanit, Rrahman Kastrati.