Hetuesit e Koresë së Jugut përshkallëzuan përpjekjet për të ekzekutuar urdhër-arrestin ndaj presidentit të akuzuar Yoon Suk Yeol, transmeton Anadolu.
Siç raporton ‘Yonhap News’, rreth 3 mijë oficerë të policisë u vendosën për të siguruar hyrjen në rezidencën presidenciale në Seul për të arrestuar presidentin Yoon, i cili ka refuzuar të dorëzohet.
Megjithatë, shërbimi presidencial i sigurisë bllokoi ekzekutimin e urdhër-arrestit dhe kjo pengesë, sipas raporteve të fundit, akoma vazhdon.
Më parë, autoritetet nuk arritën të arrestojnë Yoon-in as më 3 janar për shkak të bllokadave të sigurisë, por tani po zhvillohet një operacion në shkallë të gjerë.
Tensionet janë të larta pasi mijëra mbështetës të presidentit të akuzuar u mblodhën jashtë rezidencës së tij, me ligjvënësit e Partisë së Pushtetit Popullor që formuan një zinxhir njerëzor për të bllokuar arrestimin.
Derisa ekipi i mbrojtjes i Yoon-it thotë se urdhër-arresti është i “pavlefshëm”, ekipi presidencial i sigurisë po bllokon ekzekutimin e arrestimit.
Përllogaritjet e policisë e vlerësuan numrin e të pranishmëve në turmë në 6.500, derisa barriera shtesë të autobusëve u vendosën nga shërbimi i sigurisë presidenciale për të fortifikuar rezidencën.
Më herët gjatë ditës, Gjykata Kushtetuese mbajti seancën e saj të parë mbi gjyqin e shkarkimit të Yoon-it. Megjithatë, ish-presidenti nuk u paraqit, duke shkaktuar një shtyrje të gjyqit brenda katër minutave.
Yoon përballet me akuza për kryengritje dhe tradhti të lidhura me shpalljen e tij të ligjit ushtarak më 3 dhjetor, e cila u rrëzua shpejt nga Asambleja Kombëtare.