Hetues të Gjykatës Speciale në zyrat e OVL-UÇK-së, kërkojnë 4 mijë dosjet e “dyshimta”

Hetues të Gjykatës Speciale kanë shkuar në selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Këtë e ka konfirmuar sekretari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

“Po kanë ardhë hetues të Gjykatës Speciale. E kanë kërku një kopje të atyre dosjeve që na kanë ardhë dje, një kopje që kemi pasur të ia japim Prokurorisë tonë, ua dhamë atyre”, ka thënë Klinaku për Gazetën Express.

Një pako me 4 mijë dosje të Gjykatës Speciale ka arritur të hënën në zyrat e OVL’së së UÇK’së në Prishtinë.

Deri më tani, nuk dihet kush e solli, megjithatë, brenda pakos kishte një letër në të cilën shkruante se gjatë ditëve në vijim do të arrijnë edhe 7 mijë dosje të tilla.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK’së, Husni Gucati, ka thënë të hënën në një konferncë për medie se në këto dosje ka edhe emra të dëshmitarëve.

“Dosjen e ka sjellë dikush sot në orën 09:15. Ka qenë me syze, me maskë dhe kapelë. Vetëm e ka lënë pakon dhe ka ikë. Në fillim jemi frikësuar se çka mund të ketë, pasi e kemi hapur me kujdes e kemi parë që ka material të Gjykatës Speciale”, ka thënë Gucati.

Gucati tha se këto dosje kanë dalë nga Gjykata Speciale.

“Është material i Gjykatës Speciale që ka dalë prej tyre, dikush e ka pru në organizatë. Ka emra të dëshmitarëve. Janë nënshkrime të prokurorëve të huaj dhe atyre serbë që kanë bashkëpunuar me Specialen”, tha Gucati.

Gucati ka treguar edhe për letrën që gjendej brenda pakos.

“Në pako ishte një letër në të cilën shkruante se gjatë ditëve në vijim do t’i sjellin edhe 7 mijë dosje të tilla”, ka deklaruar Gucati.