Hetimi paraprak nga Azerbaijan Airlines: Rrëzimi i avionit u shkaktua nga “ndërhyrje e jashtme fizike dhe teknike”

Kompania ajrore “Azerbaijan Airlines” njoftoi se sipas rezultateve paraprake të një hetimi, një “ndërhyrje e jashtme fizike dhe teknike” shkaktoi rrëzimin e avionit të saj “Embraer 190” në Kazakistan këtë të mërkurë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë në Telegram, thuhet se për këtë arsye, duke filluar nga e shtuna, kompania ka pezulluar fluturimet në disa qytete ruse, si Mineralnye Vody, Soçi, Volgograd, Ufa, Samara, Saratov, Nizhny Novgorod dhe Vladikavkaz.

“Ky vendim, i marrë në përputhje me Autoritetin Shtetëror të Aviacionit Civil të Azerbajxhanit, bazohet në rezultatet paraprake të hetimit për rrëzimin e avionit ‘Embraer 190’ që po kryente fluturimin Baku-Grozny ‘J2-8243’ të ‘Azerbaijan Airlines’ për shkak të ndërhyrjes së jashtme fizike dhe teknike dhe merr parasysh rreziqet e mundshme për sigurinë e fluturimit. Pezullimi do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e hetimit final”, thuhet në deklaratë.

Kompania shtoi se pezullimi i saj i fluturimeve në qytetet Grozny dhe Makhachkala, në fuqi që nga e mërkura, po vazhdon.

“Për arsye sigurie, është marrë një vendim për të pezulluar fluturimet e linjave të tjera ajrore në destinacionet e përmendura, përfshirë Groznyn dhe Makhachkalan”, tha ajo.

Kompania njoftoi se pasagjerët e “Azerbaijan Airlines” drejt dhe nga qytetet e specifikuara në Rusi, të cilët nuk janë në gjendje të përdorin shërbimet e linjës ajrore për shkak të situatës aktuale, kanë të drejtë për rimbursim të plotë pa penalitete ose të rirezervojnë biletat e tyre.

Një avion i “Azerbaijan Airlines” që po udhëtonte nga Baku në qytetin Grozny në Republikën Çeçene të Rusisë u rrëzua të mërkurën pranë qytetit Aktau të Kazakistanit, që ndodhet në brigjet e Detit Kaspik, me 67 persona në bord.

Zyrtarët e Kazakistanit kanë thënë se 38 persona kanë humbur jetën në aksident, ndërsa 29 kanë mbijetuar