Hetimet zbuluan se forcat australiane vranë 39 civilë afganë

Autoritetet australiane sot publikuan detajet e hetimit për të paktën 39 incidente të vrasjeve civile nga forcat e tyre speciale në Afganistan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shefi i Forcave të Mbrojtjes Australiane, gjenerali Angus Campbell kërkoi falje nga afganët ndërsa ndau detajet e tmerrshme të hetimeve.

“Për popullin e Afganistanit, në emër të Forcave Australiane të Mbrojtjes, unë sinqerisht dhe pa rezerva kërkoj falje për çdo keqbërje nga ushtarët australianë. Unë kam folur direkt me homologun tim afgan, gjeneralin (Yaseen) Zia, për të përcjellë këtë mesazh”, tha ai në një fjalim televiziv.

Një sjellje e tillë e pretenduar, ai tha, thellësisht tregon mosrespektimin e besimit të dhënë për forcat australiane nga populli i Afganistanit, në një kohë kur ata kishin kërkuar ndihmën tonë.

“Kjo do të kishte shkatërruar jetën e familjeve dhe komuniteteve afgane, duke u shkaktuar atyre dhimbje dhe vuajtje pa masë dhe do të vinte në rrezik si misionin tonë ashtu edhe sigurinë e partnerëve tanë afganë dhe të koalicionit”, tha ai.

Ndërkohë, pallati presidencial afgan në Kabul në një deklaratë tha se presidenti, Mohammed Ashraf Ghani pranoi një telefonatë nga kryeministri i Australisë, Scott Morrison në lidhje me këtë.

“Gjatë kësaj telefonate, kryeministri i Australisë shprehu hidhërimin e tij më të thellë për sjelljen e keqe nga disa trupa australiane në Afganistan dhe siguroi presidentin e Republikës Islame të Afganistanit për hetimet dhe zbardhjen e drejtësisë”, thuhet në deklaratë.