Zyrtarët serbë nuk i kanë kushtuar vëmendje as lajmit për zbulimin e një varreze të re masive në Serbi, ku besohet se gjenden trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovës.
Pak më shumë se një jave më parë drejtori i Institutit për Mjekësi Ligjore në Prishtinë, Arsim Gerxhaliu, deklaroi se në Kizhevak në komunën e Rashkës është gjetur një varrezë masive. Dy ditë më vonë kryetari i komisionit për personat e zhdukur në qeverinë e Serbisë, Veljko Odaloviç, tha se besohet se varri ka 15 deri 17 trupa dhe se identifikimi i tyre do të jetë i mundur pas analizës së ADN-së. Po në të njëjtën ditë departamenti i krimeve të luftës i gjykatës së lartë të Beogradit kërkoi ekshumimin e trupave të gjetur në këtë komunë në Serbinë jugperëndimore.
I vetmi përfaqësues i opozitës, i cili foli për këtë çështje, ishte kryetari i Forumit Demokratik Qytetar (GDF), Zoran Vuletiç. Në deklaratën e tij ai kujtoi se varreza masive në Rashkë nuk është e vetmja e gjetur në Serbi: “Varret e fshehura tregojnë papërgjegjësi të vazhdueshme të shtetit dhe bashkëpunim të padyshimtë në krim.”
Ndalimi i hyrjes në Kosovë
Disa ditë pasi u zbulua varri në Rashkë, u botua lajmi se Aleksandër Vuçiçi ishte ndaluar të hynte në Kosovë. As lidhur me këtë nuk u shpreh asnjë zyrtar serb dhe Presidenca e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës së KoSSev për të komentuar këtë lajm.
Pyetjes së DW, nëse Vuçiçit ishte ndaluar vërtet hyrja në Kosovë dhe cila ishte arsyeja e këtij vendimi, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës iu përgjigj përmes linkut me deklaratën e ministres Meliza Haradinaj-Stublla: “Kërkesa e Vuçiçit, Vulinit, Gjuriçit e Petkoviçit për të vizituar Kosovën, në një kohë kur Kosova përballet me rihapjen e plagës e dhimbjes së madhe të personave të pagjetur dhe zbulimit të varrezave masive të shqiptarëve është ofendim më tepër se provokim”, tha Haradinaj-Stublla dhe shtoi se “çdo kërkesë e Serbisë në këto rrethana gjithmonë do ta ketë përgjigjen e njëjtë! ”
Ndër të rrallët, nëse jo i vetmi, që reagoi lidhur me lajmin për ndalimin e hyrjes së Vuçiqit në Kosovë, është përsëri Zoran Vuletiç. Ai e pyeti presidentin e Serbisë, nëse ndalimi i hyrjes në Kosovë kishte të bënte me gjetjen e varrezës, por deri tani me sa duket nuk ka marrë përgjigje.
Gatishmëri për zgjidhjen e çështjes të të zhdukurve?
Kizhevak është vendi i pestë në Serbi, ku janë zbuluar varre masive. Më parë varre me gjithsej 941 trupa janë gjetur në Batajnicë, Peruçac, Petrovo Selo dhe Rudnicë. Çështja e personave të zhdukur është pjesë e axhendës së dialogut Beograd-Prishtinë nën kujdesin e BE dhe zgjidhja e këtij problemi ka hyrë edhe në marrëveshjen e nënshkruar në Uashington më 4 shtator.
Megjithëse të dy palët janë zotuar se “do të shpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetjet mortore të personave të zhdukur”, disa deklarata të zyrtarëve serbë nuk lejojnë të besosh, se Serbia ka ndërmend ta bëjë atë me të vërtetë.
„Ç‘të bëjmë me serbët, që denoncojnë tek shqiptarët dhe kroatët, flasin budallalleqe të ndryshme, u tregojnë ku janë varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë. Veljko Odaloviç, komisioni për personat e zhdukur. Ata pak nga pak, shkojnë të kërkojnë vende, që i raportohen nga spiunë të caktuar”…. tha kryetari i ri i parlamentit, Ivica Daçiç në shtator në një intervistë në TV Happy.
Pa kaluar dy muaj Daçiç deklaroi për Sputnik, se Serbia punon për gjurmimin e krimeve të luftës, zbulimin e varreve dhe personave të pagjetur dhe se “në Serbi askush nuk pengon që të zbulohet diçka apo që të sanksionohen fajtorët”.
Kongresi i SHBA – nuk janë dënuar të gjithë fajtorët
Vendimeve të Tribunalit të Hagës iu referua Komiteti i punëve të jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, i cili deklaroi në twitter se për fshehjen e trupave të shqiptarëve të vrarë, është dënuar vetëm Vlastimir Gjorgjeviç (dënuar me 18 vjet burg në Hagë), por jo të tjerët që morën pjesë në të.
Qendra për të Drejtën Humanitare në vitin 2017 i kushtoi kësaj çështjeje dosjen “Operacioni fshehja e trupave” dhe kujtoi se vendimi për të fshehur gjurmët e krimeve në Kosovë ishte marrë në vitin 1999 në nivelin më të lartë shtetëror dhe se Sllobodan Millosheviçi kishte kërkuar nga ministri i Brendshëm Vlajko Stojiljkoviç që të bënte gjithçka për të zhvendosur kufomat e varrosura të civilëve shqiptarë. Qendra për të Drejtën Humanitare pati deklaruar se dokumentet e policisë dhe ushtrisë tregojnë se në fshehjen e kufomave të shqiptarëve të vrarë morën pjesë dhjetra pjesëtarë të Ministrisë të Brendshme të Serbisë dhe ushtrisë Jugosllave.
Është vërtetuar se me urdhër të zyrtarëve të policisë në largimin e kufomave kanë marrë pjesë edhe civilë dhe punëtorë të ndërmarrjeve publike. Prova për zhvendosjen e kufomave nga Kosova në Serbi janë paraqitur në proceset para Tribunalit në Hagë kundër Nikola Shainoviçit dhe zyrtarëve të tjerë të larte të Serbisë, dhe në procedimin kundër Vlastimir Gjorgjeviçit.
Disa nga provat e fshehjes së trupave të shqiptarëve të vrarë janë paraqitur para Gjykatës së Lartë në Beograd, në çështjet Suva Reka dhe Bytyqi. Megjithatë asnjë nga dhjetëra anëtarët e MUP-it serb të përmendur në dosjen e Qendrës për të Drejtën Humanitare nuk është ndjekur penalisht. Në gjykatë nuk u paraqit ndihmësi i atëhershëm i ministrit të policisë Obrad Stevanoviç, i cili në 1999 në samitin e krerëve të shtetit shkroi: “Nuk ka kufoma – nuk ka krime”.
Nuk është gjykuar as shefi i Drejtorisë së Policisë Kriminale të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Dragan Iliç, i cili ka patur “rolin kryesor në pagesën e mëditjeve për kostot operative të dala nga aksioni i mbulimit të kufomave”. Aktakuzë nuk është ngritur as kundër ish-kreut të Qendrës Kriminalistike-Teknike Vladimir Aleksiç, i cili sipas deklaratës së Slobodan Borisavljeviç, shef i kabinetit të Vlastimir Gjorgjeviçit, ka qenë midis bashkëpunëtorëve të Dragan Iliçit së bashku me Desimir Radiçin.
Në gjykatë nuk u paraqit as Petar Zekoviç, një nga ndihmësit e Vlajko Stojiljkoviçit, edhe pse punonjësi i MUP-it Bozhidar Protiç dëshmoi në Hagë se ai kishte transportuar kufoma nga Kosova në Serbi dhe se në atë kohë kishte qenë në kontakt të vazhdueshëm me Zekoviçin.
Nuk është shqyrtuar as përgjegjësia e Goran Radosavljeviçit Guri, dikur përgjegjës i Qendrës Mësimore në Petrovo Selo, ku janë fshehur dy varreza masive. Kjo nuk është bërë, megjithëse ish-kreu i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, Radomir Markoviç, në gjyqin e Sllobodan Millosheviçit deklaroi se Dragan Iliç i kishte thënë atij, se Goran Radosavljevic Guri i kishte dhënë ndihmë në punë (pastrimin e terrenit), pohon dosja Qendra për të Drejtën Humanitare.
Kësaj dosjeje iu referua me 18 nëntor, Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, duke konstatuar se, megjithë premtimin e Aleksandar Vuçiçt, para drejtësisë nuk janë nxjerrë as ata, që vranë tre vëllezërit Bytyqi në vitin 1999, në Petrovo Selo, në lokacionin e Qendrës Mësimore.