Në Ballkan u krijuan shtete të reja, të cilat për shkak të marrëdhënieve të këqija po bëheshin “gropë baruti”. Greqia, Bullgaria, Rumania, Serbia dhe Mali i Zi synonin zaptimin e “tokave të reja”, në ngjallje të një nacionalizmi të shëmtuar, duke i konsideruar për të vetat të gjitha ata toka që dikur, sadopak, mund të ishin sunduar nga raca e tyre.
Shkruan: Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork
Letërsia, që i është dedikuar historisë së Ballkanit, i ka lënë në heshtje gjenocidet që janë kryer kundër shqiptarëve (dhe myslimanëve të tjerë), duke i paraqitur ato si “nevojë” e një përpjekjeje për t’u çliruar nga “pushtuesi osman” dhe në emrin e kësaj “nevoje”, në mënyrë të organizuar u është vënë zjarri fshatrave të tëra shqiptare, janë terrorizuar fëmijë, gra e pleq dhe është masakruar e gjithë popullata e një etniciteti tjetër!
Ishte ajo ëndrra e kahmotshme, që zë fill me themelimin e “Perandorisë Serbe” të shekujve VIII-XIV, kur kishte filluar t’ia presë hovin Perandorisë Greke, kurse vetë perandori Dushan që do ta pasonte, ëndërronte zgjerimin duke shfarosur fqinjët arbër. Vetëm ardhja e osmanëve e ndërpreu këtë ndryshim në praktikë, por në mendjet e tyre e mbajtën të ndrydhur për pesë shekuj, deri që e kuptuan dhe e panë se pushteti osman ishte degjeneruar në atë masë, sa edhe sikur tërë diplomacia europiane të dilte në anën e saj, nuk do të mund ta shpëtonte [Bajrami: 2004/28]. Kjo u ngjalli shpresat e vjetra dhe i shtyri të hartojnë programet politike si “Naçertanija” serbe (1844), “Megali Ideja” greke (1844) dhe “Ekzarkati” Bullgar (1870), si projekte aleate shtetërore që planifikonin realizimin e pretendimeve hegjemoniste në pjesët e tyre [Buxhovi: 2012/II/f. 378].
Realizimi i këtyre programeve politike filloi të praktikohej prej Kryengritjes së Parë Serbe (1804) kur ushtroi dhunë dhe i dëboi shqiptarët, të cilët gjendeshin në veri edhe përtej Jagodinës [Bytyçi: 2009/84]. Për këtë gjest “human” ata u shpërblyen me vendimet që Fuqitë e Mëdha i dhanë në Kongresin e Berlinit [13 qershor 1878], duke ia zgjatur jetën Perandorisë Osmane edhe “për një gjeneratë”, sepse ende i duhej Europës [Jelavic: 1999/II/92], por që dukshëm e destabilizoi Ballkanin, duke iu kundërvënë interesave të grupeve etnike [Ristic: 1898/II/228-231]. Kjo i dha Serbisë edhe një dorë tjetër për të mundësuar dëbimin e 350.000 banorëve të 620 fshatrave të Sanxhakut të Nishit [Bajrami: 2004/67], në një sipërfaqe prej rreth 10.000 kilometra katrorë, me kazatë e Pirotit, Nishit, Vranjës, Leskovcit, Prokuples, të Kurshumlisë dhe Ternit (Zllepoles). Në literaturë thuhet se 600.000 deri në 1.000.000 muhaxhirë vërshuan në territoret që gjithnjë kontrolloheshin nga Perandoria Osmane [Vranjski Zbornik, #3/1972/96]. Një veprimtari të tillë kriminele e aprovoi edhe Europa me heshtjen e saj të mbuluar me gjak. Ato jo vetëm që legalizuan pushtimet, por edhe spastrimet etnike. Milorad Ekmerçiq ka vënë në dukje se “shkenca botërore” prej kohësh ka ndërtuar bindjen se deri te dëbimi i myslimanëve (ku hyjnë edhe shqiptarët) nga vendet e Europës në të gjitha luftërat ku osmanët kanë humbur, ka ardhur deri te mosekzistenca e Drejtësisë Ndërkombëtare se “pakica myslimane në vendet e çliruara duhej të mbrohej” [Radovi, #3/2000/181]!
Në Ballkan u krijuan shtete të reja, të cilat për shkak të marrëdhënieve të këqija po bëheshin “gropë baruti”. Greqia, Bullgaria, Rumania, Serbia dhe Mali i Zi synonin zaptimin e “tokave të reja”, në ngjallje të një nacionalizmi të shëmtuar, duke i konsideruar për të vetat të gjitha ata toka që dikur, sadopak, mund të ishin sunduar nga raca e tyre. “Daily Cronicle” e asaj kohe shkruante: “Serbët deklarojnë haptas se shqiptarët muhamedanë duhet të zhduken, ngase ky është mjeti më efikas për vendosjen e paqes në këto vende”!
Duke gëzuar heshtjen e Europës së mbuluar me gjak, ata u bënë shumë agresorë nga “mbetjet osmane” në Europë [Hammer: 1979/III/479] dhe sollën kështu luftërat ballkanike (1912-1913), gjatë të cilave një armatë e tërë bandash të organizuara serbo-malazeze, në përpjekje për të ndryshuar strukturën etnike në Kosovë dhe sipas këshillës së Petrit I “shqiptarët nuk janë të denjë për të jetuar” [Juddah: 2002/19], vranë rreth 20.000 shqiptarë të Kosovës dhe dëbuan dhjetëra-mijë të tjerë [“The Other Balkan Wars”, f. 326-328]. Pa ndonjë parashikim të përafërt, as ndonjë të dhënë zyrtare për numrin e të vrarëve në rrethin më të gjerë të zjarrit të kësaj lufte, shumë studiues e kanë veçuar si “krimet më të mëdha që historia ndonjëherë ka regjistruar” dhe jo vetëm për nga numri, por edhe për nga mënyra e viktimizimit! Një pjesë të shqiptarëve (dhe myslimanëve të tjerë) ata i konsideruan si tradhtarë që e pranuan Islamin dhe filluan të gjitha llojet e gjenocidit mbi popullsinë myslimane [Cigar: 2003/27-29]. Ata i përdorën të gjitha metodat që shqiptarët t’i zhbënin me anë të procesit të konvertimit (ndërrimit të fesë me dhunë) në periudhën mars-prill 1913 [Zenelaj: 2010/416]. Zëri i Europës nuk u dëgjua deri në konvertimin e 850 familjeve të tmerruara katolike në ortodoksi dhe vrasja e priftit katolik patër Luigj Palaj, që nuk iu bind prifti bandit ortodoks për të hequr dorë publikisht nga besimi i tij katolik, kjo në favor të ortodoksisë lindore [Islami: 2003/151].
Përveç raporteve të Leo Freundlich-it edhe “Humanite” e Parisit, “Riget” nga Danimarka, “Raihspost”, “Albanische Correspondenz”, “Daily Telegraph”, “Deutsches Vilksblatt” publikonin ngjarje banditeske që terrorizonin popullatën e pambrojtur, pa kursyer fëmijë, gra e pleq në mënyrat më çnjerëzore [Islami: 2003]. Autorë dhe diplomatë perëndimorë, si Baldacci, Durham, Erikson, Freundlich, Murray, Poincaré, Gould, Fred, Zambaur, etj., na kanë lënë shumë dëshmi të shkruara. Diplomacia europiane vendosi në Konferencën e Ambasadorëve më 29 korrik 1913 që vendet shqiptare në veri, lindje dhe jug t’i copëtojë në gjashtë pjesë, duke ua ndarë ushtruesve të këtij gjenocidi mbi to dhe duke ua lënë dorën e lirë që pas kësaj konference të shkaktojnë luftëra të përditshme kundër atyre që po përpiqeshin ta mbronin token e tyre [Williams: 1934/37]. Për këto ngjarje, Hilë Mosi vajtonte:
“Qysh prej Janinet, e deri n’Shkoder,
Ç’do foshnje, grue, trim e plak,
Ç’do mal e fushë, e shesh, e koder,
Derdhin lot e rrjedhin gjak…” [Shqypnia e Re, 14.09.1913].
Askush prej diplomacisë europiane nuk foli për masakrat kundër shqiptarëve që po kryheshin në jug (nga grekët) dhe në veri (nga serbo-malazezët), ku dogjën tërësisht 132 fshatra shqiptare. Në vend që t’i dënonte në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, i shpërbleu duke i falur 64.000 kilometra katrore të Shqipërisë Etnike, duke e reduktuar këtë të fundit në 28.000 kilometra katrorë nga 92.000 që kishte [Zenelaj: 2010, f. 167]. Kjo Shqipëri Etnike në kohën e Perandorisë kishte 2.687.960 banorë prej të cilëve 2.300.000 shqiptarë [Hamdi: 1920]. 7.000 kilometrat katrore të pushtuara të Malit të Zi kishin 240.000 banorë, prej të cilëve 200.000 shqiptarë. Ndërkaq Çamëria në Greqi kishte një sipërfaqe prej 10.700 kilometra katrorë me 320 fshatra dhe me 240.000 shqiptarë [Mojzes: 2011/32]. Raportet e zyrtarëve rusë në Bullgari jepnin një pikturë gjenocidale ndaj popullatës vendase, ku ishin vrarë rreth 15.000 dhe rreth 5.000 të mbetur po i deportonin. Komanda e Valtchev-it kishte dhënë urdhër zyrtar për shkatërrimin e xhamive, nga minaret e të cilave ushtarakët shprehnin vulgarizma kundër Muhamedit (a.s.), duke ua bërë me dije që në rastin e parë do t’i fshinin të gjithë [Mojzes: 2011]. Europa heshti!
Viktimat e Luftës së Parë Botërore, të cilën shumë e konsiderojnë si “Lufta e Tretë Ballkanike”, llogariten të arrijnë në 15.000.000 njerëz [Mojzes: 2011/41]. Trakti i fshehtë i 26 prillit 1915 ndërmjet Italisë dhe Anglisë për aneksimin e Shqipërisë i shpuri shqiptarët në rrethana të pavolitshme politike, që diktonin shtetet e Europës! Tensionin, edhe ashtu shumë të lartë kundër sundimit tejet barbarë të bullgarëve mbi viset shqiptare, e shtoi edhe më shumë deklarata e Rizovit në Berlin, për ndarjen e Shqipërisë, rritjen e kufirit kah Elbasani, që t’i sigurohet Bullgarisë një port në detin Adriatik. Kjo deklaratë e Rizovit e shtoi edhe më shumë urrejtjen kundër sunduesve bullgarë dhe e nxori në pah politikën shoviniste bullgare, e cila pa ndërprerë, nga dita e parë e luftës, trumbetonte se diplomacia bullgare është për një Shqipëri të pavarur, por kur të “jepet rasti” dhe dëshirojmë “miqësi” me popullin shqiptar.
Bisedat e fshehta, që filluan në dhjetor 1917 në Zvicër, u dhanë shqiptarëve shpresa për ruajtjen e tërësisë territoriale në marrëveshjen që Antanta i ofronte Austro-Hungarisë. Në një situate të këtillë Shqipëria do të shpëtonte nga tërbimi sllav, sikur të mos vepronte Franca, e cila përmes ministrit të Punëve të Jashtme, Stefan Pizhon, deklaroi se “Franca do të luftojë deri në fitore të plotë kundër Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë”, për “çlirimin” e vendeve dhe kthimin e territoreve të marrura me forcë! Natyrisht, territoret e shqiptarëve të marrura me forcë nga popujt sllavë e grekë, nuk konsideroheshin të tilla në llogaritë franceze!
Kryetari amerikan Wodrow Willson më 8 janar 1918 kërkoi krijimin e shteteve etnike në Ballkan. Ai i parashtroi para Kongresit Amerikan 14 pikat diplomatike, ndër të cilat pika XI kishte rëndësi të madhe diplomatike për çështjen shqiptare, sepse marrëdhëniet mes disa shteteve të Ballkanit duhej rregulluar në bazë të marrëveshjeve miqësore, të mbështetura në vijën historike të përkatësisë nacionale. Ai gjithashtu shprehej se “diplomacia mendjelehtë europiane, duke marrë tokat e shqiptarëve në veri, lindje e jug dhe duke ua dhënë ato fqinjëve të tyre, në fakt do të shkaktojnë luftëra të përditshme ndaj atyre shteteve” [Williams: 1934/37]. Ishte një deklaratë që u dha shpresa shqiptarëve për bashkimin e trojeve etnike në një shtet të përbashkët, që i inkurajoi ata t’i dërgonin Willson-it një memorandum me të cilin i kërkonin bashkimin e tokave të pushtuara nga viti 1912-1918, ku përqindja e popullsisë është mbi 92 për qind shqiptare.
Por, kërkesa e Willson-it i indinjoi serbët, sepse nuk flitej për bashkimin e popujve ‘serbë’. Çuditërisht, edhe disa shqiptarë shkurtpamës, që besonin në qendrën e pansllavizmit pas Revolucionit të Tetorit, kërkesat e Willson-it i quajtën “demagogji propagandistike”. Nëntë ditë më vonë, Pashiqi u dërgoi ankesë shteteve të Antantës për Willson-in, që “është kundër bashkimit të popujve sllavë”. Diplomacia evropiane, si duket, përkrahu kërkesën e Pashiqit në Selanik, në shkurt të vitit 1918 “për barazinë e popujve të vegjël e të mëdhenj”. Përkundër premtimit të shteteve të Antantës, që ta ruajnë neutralitetin në shkëmbim të ruajtjes së autonomisë dhe kërkesës së Willson-it në Konferencën e Paqës, në Kuvendin e mbajtur më 5 janar 1918 Shqipëria nuk u përmend fare!
Diplomacia angleze doli me një proklamatë ku vente në pah mbrojtjen e të “drejtave nacionale” të popujve sllavë dhe kërkesave “nacionale” të popujve të shtypur, por shqiptarët edhe këtë herë, edhe pse të ndarë e të grabitur, nuk hynin fare në këtë kategori! Përveç kësaj, situata politike në vend ishte shumë e rëndë. Shqipëria sundohej nga pushtues të ndryshëm, si grekë, italianë, austriakë e bullgarë, andaj vështirë koordinoheshin punët në një Shqipëri të ndarë në katër pjesë. Si e tillë, ishte e pamundur që të koordinoheshin kërkesat për një Shqipëri të pavarur etnike. Në Versajën e 1919-tës nuk ishin rusët, por serbët, që me krime të vulosura nga francezët u zgjeruan për pesë herë.
Naçertania [1844], Marrëveshja sekrete Serbi-Austro-Hungari [1881], Plani sekret për disorientimin e kryengritjes shqiptare [1912], Programi për likuidimin e shqiptarëve [1920], Konventa Jugosllavo-Turke [1938], Programi i Miloviqit [1941], Amnistia sekrete e çetnikëve [1944], Marrëveshja xhentëlmene [1953], Publikimi i Librit të kaltër [1977] ishin të gjitha programe me synime shfarosëse [Bajrami: 2006/241], të cilat Europa i vulosi me heshtjen e mbuluar me gjak!
Sipas Limon Rushitit (1994), në periudhën 1918-1921 u vranë dhe u masakruan 12.346 shqiptarë, u burgosën 22.160 veta, u dogjën 6.125 shtëpi të shqiptarëve dhe u plaçkitën 10.515 familje shqiptare [“Gjenocidi dhe aktet gjenocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve”, f. 79]. Një raport që ju dërgua shefit të misionit anglez në Shqipëri, gjeneralit Hadson, flet për 44.700 viktima shqiptarësh në Sanxhak e Mal të Zi gjatë vitit 1941-1945 [Bytyçi: 2009/153]. Sot as vetë shqiptarët nuk dinë shumë për Masakrën e Hormovës (1914), Masakrën e Përbregut (Lumë – 1913), Masakrën e Bihorit (1915), Masakrën e Selanit [Paramithisë (1917)], Masakrën e Hereçit (1941), Masakrën e Sopotit (1944), Masakrën e Filatit (1945), Masakrën e Tivarit (1945) dhe shumë të tjera, të cilat Europa i përkrahu me heshtjen e mbuluar me gjakun shqiptar!
Ngjarjet e këtilla, që për fat të keq nuk kanë qenë të pakta, historianët nuk i kanë interpretuar të natyrës gjenocidale. Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia, të mbështetura nga Rusia, kishin ambiciet e veta të përbashkëta për të përjashtuar turqit nga Ballkani. Por, “turq” ata konsideronin një pjesë të madhe të popullatës autoktone, që në një masë të madhe ishte islamizuar prej kohësh, kryesisht shqiptarë, boshnjakë, pomakë etj. Ishte një etje “çlirimtare”, e cila me heshtje të mbuluar me gjak u përkrah dhe u ndihmua nga faktori ndërkombëtar, duke filluar nga Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit (1978) dhe duke vazhduar më pas me luftërat ballkanike (1912-1913), me Luftën e Parë (1914-1918) dhe të Dytë Botërore (1939-1945), e deri në luftërat e fundshekullit të kaluar (1992-2001), që rezultoi në shkatërrimin përfundimtarë të asaj që pas një historie të gjatë të mbuluar me gjak, mbante emrin më të çuditshëm të “Vëllazërim-Bashkimit”!
Në vitin 1981 shqiptarët e Kosovës shpallën mosbindje civile dhe demonstrata masive studentore tronditën “provincën” [Halpern & Kideckel: 2000/69]. Europa nuk i mori para sysh kërkesat e tyre dhe as rezistencën civile, diplomatike e gandiste dhjetëvjeçare të Ibrahim Rugovës, por u la të lirë serbëve për të ushtruar gjenocidin dhe pastrimin etnik të Bosnjës dhe të Kosovës në prag të mijëvjeçarit të tretë. Në Beograd intelektualët e “gjenocidit” me peticionin e janarit 1986 shënuan fillimin e ngritjes së nacionalizmit serb të Millosheviqit, u bën të suksesshëm në propagandat e tyre në “gjenocidin e shqiptarëve kundër serbëve të Kosovës”. Në shprehjen e Vuk Drashkoviqit përkrahësit e Millosheviqit në rrugët e Beogradit brohorisnin: “Për Shën Savën ata që nuk dinin asgjë për të dhe në mbrojtje të ortodoksizmit të kërcënuar ngriheshin njerëz pa formim shpirtëror, të cilët nuk dinin si duhet bërë kryq dhe shumica e të cilëve kurrë nuk e kishin prekur Biblën me dorë”!
Kosova iu nënshtrua kontrollit ushtarak, kurse udhëheqësit shqiptarë të Kosovës i zëvendësoi me serbë, duke i ngushtuar gjithnjë e më shumë “frymëmarrjen” [Carter & Norris: 1996] dhe duke ua mbyllur të gjitha shkollat shqiptare të Kosovës [Tanjug, 21.10.1991]. Problemi i Kosovës u anashkalua nga bashkësia ndërkombëtare për një kohë të gjatë dhe u përjashtua nga bisedimet e paqes dhe negociatat mbi luftën që po zhvillohej në ish Jugosllavi. Deklarata e pavarësisë së shqiptarëve më 1991 u përball me përgjigjen e ashpër ushtarake të Millosheviqit. Si pasojë, UÇK-ja hyri në një luftë të armatosur me Serbinë për pavarësinë e Kosovës [Judah: 2000/108-109]. Disa diplomatë perëndimorë u ngutën ta etiketojnë si “grup terrorist” [Alpasan: 2003], duke refuzuar të shohin kush vërtet po bënte terror! Ata kishin sjellë në Kosovë tipat e Arkanit, i cili për shkak të problemeve të adoleshencës qëndroi për një kohë në “shtëpinë e përmirësimit” dhe në vend që ta përmirësonte e bëri “më të sëmurë” [Tomašević: 2008/486].
Në Bosnjë “Tigrat” e Arkanit dhe “Shqiponjat e bardha” të Sheshelit vetëm ndërmjet korrikut dhe gushtit të vitit 1992, me dinamit shemben 430 xhami [Mojzes: 2011/173]. Shifrat e dhunimeve seksuale në luftën e Bosnjës e të Kroacisë, vetëm për fazën fillestare, arrijnë ndërmjet 10.000 dhe 12.000 [Newsday, 23.08.1992]. Në Srebrenicë ngjau masakra më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore, para syve të ndërkombëtarëve nën komandën supreme të Gjeneralit Mlladiq, në të cilën përveç ushtarakëve e paramilitarëve serbë, morën pjesë edhe vullnetarë rusë e grekë! Vetë Serbia shkarkoi përgjegjësinë se kishte të bënte me këtë masakër, kurse Gjykata Ndërkombëtare e liroi prej fajit. Sa kohë iu desh Shtëpisë së Madhe të OKB-së të mendojë nëse mizoria e Srebrenicës në Bosnjë mund të përfshihej në termin “gjenocid”, edhe pse ishte vetë ajo që në Konventën e saj të mbajtur më 9 dhjetor 1948, e kishte definuar gjenocidin si: “Vrasja e të gjithë anëtarëve ose një pjesë e grupit (etnik, religjioz, racor) të lokalizuar në një rreth të ngushtë gjeografik” [Akhavan & Jonson: 2009/450].
Historitë e gjakut shqiptarë që u raportuan në shtypin francez u panë si të pa verifikuara [Le Monde, 18.51999]. Ata u treguan të gatshëm për ta konsideruar rastin serb me më shumë mbështetje ose të paktën me një refuzim për demonizimin e grupit serb! Elita politike franceze i perceptonin raportet si gënjeshtra dhe ekzagjerime në rrëfimin perëndimor të luftës [Le Monde, 13.5.1999]. Më e “korruptuarja” ishte shtypi politik gjerman, që po përdorte “fjalorin e Rajhut të Tretë” për të bëmat serbe mbi shqiptarët e Kosovës, të cilat kishin qëllimin e “një komploti botëror kundër popullit serb” [Abazia & Dojab: 2017].
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhjetë vite pas ndërhyrjes së NATO-s mund të kuptohet si zvarritje e qëllimshme e “rehabilitimit” kohorë për të fshirë nga kujtesa krimet dhe gjenocidin serb dhe për të kriminalizuar luftën dhe sakrificën kombëtare të UÇK-së dhe të popullit të Kosovës. Sot, ndonëse NATO është e pranishme në Kosovë, ajo nuk është anëtare e saj! Kosova është lënë jashtë integrimit në Bashkimin Europian, megjithëse për monedhë shtetërore e përdor euron europiane!
Duke përdorë standarde të dyfishta për integrim dhe duke mos qenë anëtare e BE-së, asaj akoma nuk i është lejuar liberalizimi i vizave, ndonëse prezenca institucionale diplomatike, ekonomike, financiare dhe juridike e saj në Kosovë është më e pranishmja në rajon. Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO (2015) nuk votuan as shtetet që e kanë njohur Kosovën, pa shfajësuar këtu edhe vetë paaftësinë e diplomacisë shqiptare. Dorën në zemër, në rrafshin historik, por edhe në atë aktual, nuk duhet ta kërkomë gjithmonë fajin tek të tjerët, sepse edhe vetë ne shqiptarët mbajmë një pjesë të fajit. Ne kemi qenë vazhdimisht të plagosur me përçarje krahinore, përçarje fetare, përçarje politike. Askush veç interesit vetanak të xhepit nuk na ka detyruar të bëhemi turkofil, grekofil, serbofil, e çka jo! Ne kishim bajraktarë shqiptarë që salutuan osmanlinë deri më 1912, Aleancën Imperialiste Ballkanike deri më 1915, Imperializmin austriako-bullgar deri më 1918, Falangën kriminele Jugosllave deri më 1941, Fashizmin italian deri më 1943, Nazizmin Gjerman deri më 1944, Jugosllavinë Komuniste deri më 1990 dhe dhunën shtetërore serbe deri më 2000! Shqiptarët kurrë nuk e kuptuan filozofinë e politikës serbe, se si është sjellur me praninë shqiptare në të kaluarën e largët dhe të afërme: “e blejnë parinë shqiptare në Pranverë, e mbjellin në verë, e prejnë në vjeshtë dhe e hanë dimrit” [Bajrami: 2004/4].
Shqiptarët nuk ndryshuan as pas viteve të 1990-ta, kur krijuan parti me emra të ndryshme, ku secili emër tregon sa të përçarë dhe sa të nëpërkëmbur jemi, në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Preshevë e Mal të Zi! Ne nuk kemi një parti ku përfshihen të gjithë shqiptarët, nuk kemi një program kombëtar, një gazetë ose një radio gjithëkombëtare, nuk kemi një ministri të Shkencës, të Kulturës, të Arsimit, të Shëndetësisë. Cilindo arkiv të Europës ta hapim, gjejmë emra “gogolësh” shqiptarë që janë shitur për para dhe gabojmë po të mendojmë se sot nuk kemi gogolë të tillë, të cilët shesin patriotizëm, bëjnë politikë gogolësh e diplomaci bizarësh! Kërkojnë ndihmë nga të tjerët, ndërsa janë përçarës të kombit. Ikin prej vendit dhe kërkojnë të vijnë të tjerët t’i çlirojnë. Ka pasur e ka prej të tillëve që u pëlqen robëria, sepse në bashkëpunim me robëruesin e kanë qindfishuar pasurinë e tyre [Bajrami: 2006]! Europa i akuzon dhe i këshillon, u vë kushte e stërkushte, por pasojat dhe ndëshkimin padrejtësisht po e vuajnë shqiptarët!
Ndonëse shqiptarët janë më europianë se shumë prej popujve që BE-ja i ka në gjirin e vet, duket sikur në prapaskenë ka lobime brenda institucioneve të saj kundër stabilitetit dhe integrimit të Shqipërisë e Kosovës në BE!? Ndryshe nuk ka si shpjegohet veprimi hipokrit i tyre, që duke qenë të informuar për korruptimin dhe kriminalizimin e politikanëve, m’u atyre u kërkojnë reformat e dekiriminalizimit. Pikërisht me këto të korruptuarit bisedon, i toleron dhe i “këshillon” i njeh dhe i pranon si partnerë, sepse me ato e ka më të lehtë “mirëkuptimin” e njëkohësisht edhe akuzën se nuk ndërtojnë e shtetin ligjor, nuk e dekriminalizojnë politikën, nuk e ndërtojnë shtetin me standard modern shtetformues?!
Pas dyerve të diplomacisë europiane gjithmonë janë marrë vendime tragjike kundër kombit shqiptar! Për 500 vite i ka nxitur kundër osmanëve, por përherë i ka braktisur dhe nuk i ka ndihmuar! Në fundshekullin XIX dhe fillimshekullin XX, ajo përsëri i braktisi dhe i la vetëm përballë sllavo-greko-ortodoksisë barbare, duke u lënë atyre duar të lira për t’i dëbuar, plaçkitur, vrarë e masakruar, e njëkohësisht duke bërë me ata pazare të ndyra në dëm të trojeve e të popullit shqiptar! Ajo i braktisi dhe i la nën çizmen komuniste edhe pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pse gjeografikisht i kishte më afër. Pas vitit 1990-të as edhe një herë të vetme nuk kërkoi dekriminalizimin e pastrimin e politikës shqiptare nga komunizmi 50-vjeçar! Tridhjetë vjet më pas, ajo padrejtësisht i mban shqiptarët jashtë dyerve (anëtarësimit) të saj, duke u vendosur kushte e stërkushte dhe duke ua kërkuar t’i harrojnë krimet që u janë bërë, ato krime që ajo i ka përkrahur me heshtjen e saj të mbuluar me gjakun shqiptar! /shenja