Ballina Autorë Opinione Heronjtë e së shkuarës dhe negociatorët e së tashmes

Heronjtë e së shkuarës dhe negociatorët e së tashmes

Lulzim Hoxha

Nëse në rastin e Perandorisë Osmane përkatësia kombëtare ishte dytësore përkundrejt identitetit fetar, edhe në rastin e shtetit ish-jugosllav botëkuptimi internacionalist i regjimit komunist e kishte pezulluar aktivitetin e lëvizjeve nacionaliste të kombeve përbërëse, sigurisht edhe me ndihmën e aparatit represiv shtetëror, përmes të cilit pushteti u centralizua në duart e administratës politike jugosllave.

Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë

Etnonacionalizmi në Ballkan pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane – Përgjatë shekullit të kaluar, Ballkani ka qenë ndër rajonet me transformimet politike më rrënjësore në mbarë globin. Qysh pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe shfaqjen e shteteve të reja në arenën ndërkombëtare, secili nga territoret e reja u bë pjesë e një projekti të ri identitar, që shpeshherë binte në konflikt me shtetet fqinje, të cilët kishin vijuar një proces të ngjashëm transformimi etnokulturor. Nëse në periudhën kur ishin pjesë e Perandorisë, identiteti fetar prevalonte mbi identitetin etnik ose dallimet gjuhësore, pas marrjes së pavarësisë dhe ndërtimit të shteteve moderne – në sajë të ndërhyrjeve të vazhdueshme të fuqive perëndimore – në shtetet e sapoformuara nisin të promovohen gjerësisht idetë e kulturës laike. Tashmë, me bjerrjen e rolit të fesë në institucionet politike të shteteve të reja, nisi të përhapej një formë e re besimi laik (nacionalizmi), i cili do të ndërtonte një narrativë të re në justifikimin dhe përjetësimin e bashkësive kulturore në territoret përkatëse. Te “Kombet dhe Nacionalizmi që nga 1780”, antropologu Eric Hobsbawm shkruan se “Misioni laik i nacionalizmit parakupton stabilizimin e një religjioni të ri qytetar, që të ushqejë ndjenjën e përkatësisë dhe besnikërisë ndaj atdheut”. Arritja e këtij misioni “hyjnor” ka sjellë që edhe komunitetet e ndryshme fetare të shteteve të Ballkanit, së bashku me kodifikimin e gjuhës kombëtare, të rikrijojnë edhe folklorin dhe kulturën popullore duke ua vendosur në shërbim përmbushjes së këtyre “idealeve mesianike”. Një rast të tillë paraqet beteja mitike e Car Llazarit në Kosovë kundër osmanëve, e rikrijuar në shekullin e XIX nga Kisha Ortodokse serbe dhe e ripërpunuar sërish në vitin 1989 me rastin e 600 vjetorit të kësaj beteje të shenjtë për identitetin etnik serb. Raste të ngjashme mund të gjenden edhe në folklorin shqiptar dhe atë boshnjak, si për shembull në eposin “Muji dhe Halili”, ku pasqyrohen betejat epike të myslimanëve boshnjakë jo vetëm kundër sllavëve të krishterë, por edhe kundër hungarezëve. Të gjitha këngët e këtyre rrëfenjave epike nuk janë veçse përfaqësuese të narrativës politike të periudhës, ku sipas stilit të zakonshëm nacional-romantik, bëhet një dallim i qartë midis heroit dhe tradhtarit, trimit dhe frikacakut, virtytit dhe turpit, e në instancë të fundit ndërtohet një vijë e qartë kufitare dhe e pakapërcyeshme ndërmjet “ne” dhe “ata”, çka është edhe ndër tiparet themelore të nuancave të nacionalizmit ballkanik gjatë fundit të shekullit XIX dhe fillimshekullit XX. Në fakt, rasti i eposit “Muji dhe Halili” na ilustron në mënyrën më të qartë të mundshme ngjashmërinë kulturore të vendeve të Ballkanit, pavarësisht se kjo ngjashmëri është përpunuar në forma krejt të ndryshme. Bëhet fjalë për një poemë që është pjesë e eposit shqiptar dhe njëherësh atij boshnjak, ashtu sikurse edhe heroi i ciklit Këngët e Kreshnikëve Gjergj Elez Alia, i cili shfaqet gjithashtu në eposin boshnjak me emrin Derzelez Alija. Dallimet midis këtyre dy përpunimeve të ndryshme, sikurse e ka shtjelluar gjerësisht Stavro Skëndi te “Studime Kulturore Ballkanike”, qëndrojnë kryesisht te konteksti: nëse lufta e Mujit dhe Halilit në versionin boshnjak zhvillohet në emër të sulltanit, në rastin e eposit shqiptar ajo është një luftë kundër serbëve. Gjithashtu, ndonëse narrativa e përshkruar është tepër e ngjashme, në të dy përpunimet që i janë bërë, përmbajtja e këngëve epike ka marrë tiparet kulturore të traditave të zonës ku është përpunuar. Kësisoj, pak rëndësi ka se kujt i përket versioni origjinal i këtij eposi apo “kush e krijoi i pari?” (çka është pyetja tipike e perspektivës primordialiste dhe miteve të autoktonisë: ndër frymëzimet kryesore të tensioneve etnike në Ballkan), por kryesorja është mënyra se si ai është përshtatur duke reflektuar tiparet e vendit ku është përpunuar. Sipas kësaj perspektive, nëse përqendrohemi më tepër në mënyrat e ndryshme se si është përshtatur i njëjti rrëfim, mund të kuptojmë më tepër mbi komunitetet ku është përshtatur sesa po të përqendroheshim në pyetjen “Kush e ka sjellë i pari?”, e cila veç sa do e shtonte antagonizmin mes këtyre komuniteteve.

Si në rastin e Eposit të Kreshnikëve, ashtu edhe në dokumentimin e Betejës së Kosovës në folklorin serb, ngjarjet pasqyrojnë përpjekjet e një kolektiviteti për të ruajtur mëvetësinë e tyre ndaj pushtuesit. Megjithëse ngjarjet flasin për një realitet paramodern (në versionin shqiptar, Muji dhe Halili luftojnë me armë zjarri, çka tregon se përpunimi shqiptar është më i vonshëm se ai boshnjak), dokumentimi dhe botimi i tyre janë shumë më të vonshëm, çka tregon për motivet moderne në rikrijimin e këtyre bëmave heroike, në kuadër të dokumentimit të traditave gojore dhe katalogimit të traditave folklorike si një sipërmarrje për ta forcuar mitin e origjinave heroike të identitetit kombëtar. Mirëpo instrumentalizimi i këtyre “zanafillave heroike” përfaqëson para së gjithash një sipërmarrje politike. Kombi primordial i dokumentuar në traditat folklorike nuk është veçse përfytyrim i narrativave politike moderne, të cilat në një periudhë të caktuar mund të përjetësojnë një ligjërim të caktuar kundrejt ligjërimeve të tjera, e në një periudhë tjetër mund të afirmojnë ligjërime krejt të reja mbi përfytyrimin kombëtar, gjithnjë në varësi të kontekstit politik të kohës. Në vijim do të shohim se ngjashëm me transformimin e narrativave politike mbi kombin në shtetet e reja të Ballkanit, që u krijuan pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, një fenomen analog ka ndodhur edhe me transformimin e narrativave politike mbi kombin në shtetet e reja ballkanike, që lindën pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Me sa duket, sidomos në një rajon si Ballkani, ku krijimi i shteteve të reja moderne dhe procesi i kombformimit është një realitet kryesisht i vonë, sa herë që kemi të bëjmë me një ndryshim territorial, kjo ngjarje përherë do të shoqërohet me një ndryshim të narrativës mbi identitetin etnik dhe fushëbetejës simbolike ku ndodh përballja me “Tjetrin”.

Tensionet etnike në Ballkan pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë: narrativat e reja të imagjinatës kombëtariste përballë sfidave të integrimit – Nëse në rastin e Perandorisë Osmane përkatësia kombëtare ishte dytësore përkundrejt identitetit fetar, edhe në rastin e shtetit ish-jugosllav botëkuptimi internacionalist i regjimit komunist e kishte pezulluar aktivitetin e lëvizjeve nacionaliste të kombeve përbërëse, sigurisht edhe me ndihmën e aparatit represiv shtetëror, përmes të cilit pushteti u centralizua në duart e administratës politike jugosllave. Paçka se bëhet fjalë për dy shtete që jo vetëm qenë organizuar në mënyra krejt të ndryshme dhe i përkasin dy periudhave historike të ndryshme, si pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, ashtu edhe pas shpërbërjes së Ish-Jugosllavisë, vakumi i pushtetit që këto shtete shumëkombëshe lanë pas, u pasua nga luftëra etnike dhe masakra të vazhdueshme nga shtet-kombet e reja që u krijuan. Jo rastësisht, shpërthimi i nacionalizmit serb në Ballkan ka qenë edhe më i ashpër në fazat e fundit përpara zhdukjes finale nga harta e historisë së këtyre dy shteteve. Mungesa e një pushteti qendror në kontrollin e territoreve të shteteve të reja solli si pasojë daljen në skenë të shumë zonave “të diskutueshme” në këto territore, të cilat nën ndikimin e mëtimeve nacionaliste serbe u kthyen në zona konflikti. Politikat nacionaliste dhe pretendimet për popullsi monoetnike në Ballkan shpeshherë janë shoqëruar me projektet për “racën e pastër”, të cilat fituan terren veçanërisht në gjenocidet serbe në Bosnjë dhe Kosovë. Mirëpo ndryshe nga pikëpamjet, sipas të cilave luftërat etnike në ish-Jugosllavi ishin rrjedhojë e tensioneve etnike më të hershme, filozofi slloven Slavoj Zhizhek argumenton se shpërthimi i këtyre konflikteve është më tepër pasojë e kolapsit të shtetit socialist jugosllav dhe instrumentalizimit politik perëndimor të luftës së brendshme për pushtet mes grupeve të ndryshme në ish-Jugosllavi. Ashtu sikurse luftërat ballkanike (1912-1913), që shpërthyen në momentet kur Porta e Lartë nuk qe më në gjendje t’i kontrollonte territoret e Ballkanit dhe aleancat politike lokale me ato ndërkombëtare, po njësoj edhe në rastin e ish Jugosllavisë, tensionet etnike të fundshekullit XX erdhën si rezultat i manipulimit të identiteteve etnike nga ana e elitave politike. Sipas Zhizhekut, liderët nacionalistë ballkanikë ndërtuan narrativa të reja identitare, duke u bërë apel konflikteve historike, dallimeve kulturore dhe armiqësive “të hershme” kundrejt etnive të caktuara, për të mobilizuar komunitetet e tyre respektive dhe fuqizuar pozicionin e tyre politik. Narrativat politike të dikurshme të multikulturalizmit, harmonisë mes popujve dhe decentralizimit nën ish Jugosllavi në shumë pak vite u transformuan në narrativa të purizmit kulturor, tensioneve të hershme me bazë etnike dhe centralizimit të pushtetit monoetnik. Në librin “From Myth to Symptom: The Case of Kosovo”, Zhizheku kritikon edhe faktorin ndërkombëtar, konkretisht NATO-n për reagimin në luftërat në ish Jugosllavi, që sipas tij i kanë acaruar më tej konfliktet në vend që t’i qetësonin. Gjatë dy dekadave të fundit, retorikat nacionaliste kanë dominuar ligjërimin publik në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke insistuar në togfjalëshin “ne” kundër “atyre” dhe duke rizbuluar “konfliktet e hershme” dhe “dallimet kulturore” të “vendasve” dhe “të huajve”, çka e përforcon më tej perspektivën primordialiste të identiteteve në rizbulimin e së shkuarës heroike. Gjithë kjo retorikë ka ndikuar në rritjen e korrupsionit, centralizimin e pushtetit nga elitat qeverisëse dhe shkallën e lartë të emigracionit te të rinjtë.

Në këtë drejtim, pavarësisht përhapjes së narrativave të purizmit kulturor dhe ndikimit të ideologjisë nacionaliste në skicimin e një vije ndarëse në dukje të pakapërcyeshme mes “ne” dhe “ata”, sot problematikat shoqërore, politike dhe ekonomike ndër grupet e ndryshme etnike në Ballkan janë tepër të ngjashme. Aktiviteti i nacionalizmit në promovimin e “veçorive” kulturore vetëm sa i fsheh sfidat e vërteta të vendeve në rajon dhe këto të fundit në pjesën dërrmuese shkojnë përtej kufijve etnikë. Në ditët tona, vendet e rajonit kanë një objektiv të ngjashëm dhe një ambicie të ngjashme anëtarësimi. E po t’i vëzhgojmë pengesat në arritjen e këtyre objektivave pa përdorur “lentet” e nacionalizmit, mund të dalim në përfundimin se edhe pengesat socio-ekonomike dhe politike janë shumë më të ngjashme nga ç’mund të duket. Ndonëse heronjtë e kombit ende ndodhen në të “shkuarën e lavdishme” në mbrojtje të misionit të shenjtë kombëtar dhe “ringjallen” nëpër ligjërime sa herë ashpërsohen tensionet etnike, e tashmja e këtyre vendeve është e populluar nga komunitete që ndodhen në zonën e ndërmjetme midis “të shkuarës heroike” dhe një të ardhmeje të mjegullt, në pritjen e përhershme që kjo e ardhme të qartësohet sadopak nga negociatat me ndërkombëtarët. /revistashenja

Exit mobile version