Heroi i papritur i Manchester Cityt

Manchester City kishte një hero të papritur derisa bëri hapin vendimtar drejt titullit të katërt rresht në Premier League. Asnjë skuadër nuk e ka arritur këtë deri më tani.

Derisa City ishte duke udhëhequr 1:0 të martën mbrëma ndaj Tottenhamit, Pep Guardiola vendosi të zëvendësonte portierin Ederson, që kishte një përplasje të rrezikshme me Cristian Romeron. Ederson ishte i pakënaqur me vendimin që Guardiola e mori pas konsultimit me mjekun. Në vend të Edersonit u aktivizua Stefan Ortega dhe vendimi doli shumë i mirë, jo vetëm për Edersonin, por edhe për gjithë skuadrën.

Ortega, që është nga Gjermania, kishte paraqitje 21-minutëshe të nivelit më të lartë. Dhe kështu mund të ketë vulosur titullin e gjashtë të Cityt në shtatë edicionet e fundit, shkruan BBC.

City tani është një fitore larg titullit kampion. Pas fundit të ndeshjes, të cilën Manchester City e fitoi 2:0, Guardiola shkoi direkt tek Ortega, të cilin e uroi me një puthje në faqe për kontributin e tij vendimtar. Ishte shumë e merituar.

Guardiola nuk u përmbajt nga lëvdatat për 31-vjeçarin.

“Ortega është portier i klasit botëror. Një portier i jashtëzakonshëm, i jashtëzakonshëm. Edersoni nuk kishte tronditje, ai kishte problem me syrin. Nuk mund të shihte siç duhet, kështu që mjeku tha se unë duhet ta zëvendësoj”, ka thënë Guardiola.

Ndikimi i Ortegas ishte i menjëhershëm, duke mohuar golin e Dejan Kulushevskit me një pritje të mirë. Më pas ndali të njëjtin lojtar, ndërsa City rrezikonte të paguante çmimin për paraqitjen prej jo më të mirave. Momenti kryesor erdhi në minutat e fundit. Son Heung-min mori topin dhe doli përballë Ortegas. Ishte një mundësi që jugkoreani e ka shfrytëzuar vazhdimisht te Tottenhami. Por Ortega qëndroi i fortë, qëndroi më këmbë, priti që Son të bëjë lëvizjen e tij para se të zgjaste këmbën e djathtë për të bërë pritjen që mund të jetë vendimtare për një tjetër triumf në Premier League.

Guardiola, që qartë kishte frikë nga më e keqja, u hodh në shpinë në mënyrë dramatike në zonën e tij. Ishte një shfaqje agonie e spanjollit.

“Ai na shpëtoi, ndryshe Arsenali do të ishte kampion. Ky është realiteti. Dallimi është aq i vogël. O Zot, ajo pritje ndaj Sonit! Ishte e pabesueshme. Një kundër një, Stefani është një prej portierëve më të mirë. E kam parë në gjithë jetën time. Është kulturë gjermane – rri ngritur, mos shko poshtë”, ka vazhduar Guardiola.

Kapiteni i Cityt, Kyle Walker, e krahasoi Ortegan dhe pritjen e tij me ikonën e Bayernit, Manuel Neuer.

Erling Haaland më pas realizoi për 2:0 në minutën e parë shtesë, nga pika e bardhë. Haaland shënoi edhe golin e parë, në minutën e 51-të.

“Haalandi mund të rrëmbejë titujt e ballinave, ndërsa efikasiteti i tij i lartë vazhdon, pavarësisht se këtë edicion nuk ishte produktiv sa në të parin. Por Ortega ishte kryesori. Përfshirja e portierit ishte e shkurtër dhe e ëmbël. Ishte edhe spektakolare dhe ndoshta vendimtare”, ka shkruar BBC.

City së fundi ka humbur në Premier League nga Aston Villa në dhjetor. Prej atëherë ka 22 ndeshje pa humbje. Prej tyre i ka 18 fitore.

Ortega, që ka të kaluar tek Arminia Bielefeldi dhe Munich 1860, te City është prej vitit 2022. Por vetëm si opsion rezervë.

Ndaj Tottenhamit ai dëshmoi se sa është i vlefshëm. Duhej ndërhyrja e jashtëzakonshme e Ortegas, i cili do të mbahet mend gjatë nga trajneri dhe bashkëlojtarët mirënjohës, që festa të niste te tifozët mysafirë.

Një xhiro para fundit të Premier Leagues, City udhëheq në tabelë me 88 pikë. Dy më pak i ka Arsenali, që në mënyrë dramatike sërish rrezikon të mbetet pa titull.

Të dielën nga ora 17:00 janë ndeshjet e xhiros së fundit. City e pret West Ham Unitedin. Arsenali luan me Evertonin në “Emirates”.