Policia gjermane ka rritur sigurinë në spitalin në Berlin, ku po trajtohet lideri opozitar rus, Alexei Navalny.
Navalny mbërriti një ditë më parë në Gjermani me një avion të dërguar posaçërisht për të. Pas shumë vështirësish, më të fund autoritetet ruse e lejuan largimin e liderit të opozitës që është në gjendje kome pasi dyshohet se është helmuar. Për momentin, gjendja e tij sipas mjekëve gjermane edhe pse shumë shqetësuese, konsiderohet “ e stabilizuar”.
Me qëllimin të garantohet mbrojtja e plotë e kryeopozitarit rus, në spitalin Charite të Berlinit ku ai po mbahet nën vëzhgimin e mjekëve specialist, siguria është forcuar ndjeshëm. Kritiku i ashpër i Kremlinit i humbi ndjenjat në 20 gusht, pasi piu një filxhan çaj në aeroportin e qytetit siberian Tomsk, ndërsa priste të merrte avionin drejt Moskës.
Transferimi i Navalny-t nga Rusia për në Gjermani u zgjat për shkak se autoritetet ruse thoshin se ai nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore që të udhëtonte. Por, zëdhënësja e Navalny-t, Kira Yarmysh tha përmes një postimi në Tëitter se gjendja e tij shëndetësore gjatë fluturimit “edhe njëherë konfirmon: asnjë nuk e pengonte Navalny-n që të transferohej dhe kjo gjë ishte e domosdoshme që të bëhej sa më shpejt”. Yarmysh tha se beson se liderit të opozitës iu hodh në filxhanin e çajit një substancë toksike, që u përzje shumë shpejt me lëngun e nxehtë.