Helikopteri rus qëllon “gabimisht” drejt civilëve

Sipas mediave ndërkombëtare, nuk bëhet fjalë për një gabim të pilotit, por për një qark të shkurtër në sistemin e brendshëm elektronik të helikopterit, që komandon hedhjen e raketave.

——————————————-

Bjellorusi, 19 Shtator

Një incident u regjistrua gjatë stërvitjeve ushtarake “Zapad 2017” mes Rusisë e Bjellorusisë. Një helikopter hodhi gabimisht një raketë drejt një grupi spektatorësh, duke plagosur dy prej tyre.  Stërvitja shihet nga perëndimi si paralajmërim se Rusia shumë shpejtë mund të nisë një ofensivë ushtarake jashtë vendit.

Në një stërvitje masive ushtarake si “Zapad 2017” nuk mund të mungonin incidentet.

Dy spektatorë që ndiqnin nga afër stërvitjet, mbetën të plagosur pasi një helikopter ushtarak rus lëshoi gabimisht një raketë, drejt një parkingu automjetesh.

Ngjarja ndodhi ndodhi në zonën stërvitore pranë qytezës ruse Luzhki, jo më shumë se 100 km larg kufirit me Estoninë. Ministria ruse e mbrojtjes konfirmoi incidentin.

Testimi në shkallë të gjerë në terren i gjeneratës së re të armatimeve ruse është një prej qëllimeve kryesore të “Zapad 2017”. Stërvitja e përbashkët ushtarake mes Rusisë e Bjellorusisë, që përfshin edhe territore të nxehta si eksklava ruse e Kaliningradit, e gjendur mes aleatëve balltikë të NATO-s dhe Krimeja e aneksuar vetëm 3 vjet më parë nga Ukraina.

Pavarësisht se Moska garanton se stërvitja nuk ka asnjë qëllim të fshehur, ekspertët ushtarakë perëndimorë druhen se Rusia po përgatitet për një ofensivë të armatosur jashtë vendit. Të paktën kështu rezultuan dy stërvitjet e fundit “Zapad” të zhvilluara mes Rusisë e Bjellorusisë në vitet 2009 e 2013. Në 2009-ën, stërvitja i parapriu ndërhyrjeve ushtarake ruse në rajonet gjeorgjiane të Abkazisë e Osetisë së Jugut. Ndërsa në 2013-ën, aneksimit të Krimesë.

“Zapad” do të thotë perëndim, që tregon edhe rajonet perëndimorë të të dy vendeve ku zhvillohen stërvitjet. Sipas Moskës, në “Zapad 2017” marrin pjesë 13 mijë trupa ushtarake. Por sipas mediave perëndimorë, numri i ushtarëve pjesëmarrës është më i madhi në historinë e këtyre stërvitjeveve që daton prej 1973-shit dhe arrin në 100 mijë. Stërvitja zhvillohet mes 14 dhe 20 shtatorit.