Hekurudhat, autostrada dhe gazsjellësi/ Këto janë projektet që SHBA do t’ia financojë Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti po vazhdon takimet e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai është takuar edhe me kryeshefin e Korporatës Amerikane për Financim Zhvillimor, Adam Boehler, shkruan lajmi.net.

Kryeministria ka njoftuar se Korporata do të përkrahë autostradën dhe hekurudhën Prishtinë – Merdare dhe fillimin e fizibilitetit të linjës hekurudhore deri në detin Adriatik.

Përpos këtyre projekteve u diskutuan edhe Brezovica dhe Stacioni Multimodal.

Gjithashtu, Korporata MCC do të investojë në linjën e gazsjellësit dhe rrjetit të gazsjellësit në Kosovë.

Ky është njoftimi i plotë i Kryeministrisë:

​Projekte madhore investive për Kosovën

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti me bashkëpunëtor takoi Kryeshefin e Korporatës Amerikane për Financim Zhvillimor, z. Adam Boehler.

Kryeministri Hoti, prezantoi projektet e miratuara në marrëveshjen me Presidentin Trump, por gjithashtu edhe projekte tjera zhvillimore.

Projektet e miratuara të cilat do të përkrahen nga Korporata, janë autostrada dhe hekurudha nga Prishtina deri në Merdare, si dhe fillimi i fizibilitetit të linjës hekurudhore deri në detin Adriatik në Shqipëri.

Përpos projekteve të miratuara në marrëveshje, u diskutuan edhe projekte tjera zhvillimore, si Brezovica dhe Stacioni Multimodal.

Kryeshefi Boehler dhe Kryeministri Hoti, u dakorduan që projektet e miratuara dhe projektet tjera potenciale, të fillojnë së realizuari në kohë rekorde.

Projektet e miratuara në kuadër të marrëveshjes, si dhe investimet e Korporatës MCC, në linjën e gazsjellësit dhe rrjetit të gazsjellësit në Kosovë, paraqesin projekte që do të ndryshojnë mënyrën e të bërit biznes dhe do të hapin mundësi tjera zhvillimore për vendin.