Ministri i Financave, Hekuran Murati ka kërkuar falje ndaj luftëtarëve të UÇK-së për gjuhën e përdorur karshi veteranëve, raporton Ekonomia Online.Ai thotë se ka shkruar nga mllefi për “fryrje të listave” të veteranëve për përfitime financiare. Për gjuhën në ato postime, ministri ka kërkuar falje.
“I përulem sakrificës së secilit dëshmor e kontributit të secilit ushtar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky është qëndrimi im. Shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive. Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve. E pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, ka shkruar ai.