Haziri në Kuvend: Qeveria asnjë ndihmë qytetarëve të prekur me COVID-19

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, ka hedhur një varg kritikash në drejtim të Qeverisë së Kosovës për mënyrën e menaxhimit të pandemisë COVID-19.

“Gjendja me COVID-19 në Kosovë është alarmante. Dikush për këtë gjendje ka përgjegjësi, dikush ka faj, e faji kryesor është i kësaj qeverie, e veçmas i Ministrisë së Shëndetësisë. Nga mosmenaxhimi i duhur dhe mos marrja e masave të duhura kemi 30 mijë raste dhe rreth 1 mijë viktima. Kur ka eskaluar situata keni marrë masa joadekuate”, tha Haziri.

“Asnjë masë deri më tani s’është marrë që t’u dilni në ndihmë qytetarëve të prekur me COVID-19, për blerjen e medikamenteve, ku ju s’e keni mbështetur amendamentin për këtë çështje. Qytetarëve më së shumti në këtë kohë që të ndihmohen për blerjen e medikamenteve, ju i latë që shumica e tyre të futen në kredi për të blerë barna”, tha ai.

Haziri ka përmendur edhe mos ndërtimin e spitalit për trajtimin e pacientëve me COVID-19, por që sipas tij, kjo ka mbetur vetëm “si llaf”.