Haxhiu: PDK dhe LDK tentonin ta shpallnin Vetëvendosjen organizatë terroriste

Në Kuvendin e Kosovës po zhvillohet debati i kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje, rreth dënimit të katër aktivistëve, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti, Atdhe Arifi dhe Adea Batusha për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës më 4 gusht të vitit 2016.

Me këtë rast, deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, ka akuzuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, e ish kryeministrin Isa Mustafa për montim të këtij rasti.

Madje, deputetja Haxhiu, e ka quajtur të turpshme mos qëndrimin e deputetëve në sallë kur po diskutohet për dënimin e katër aktivistëve, që sipas saj, janë dënuar pas asnjë fakt e asnjë provë.

“Gushti i vitit 2016, përgjithësisht ato muaj ishin tejet të vështira për qeverisjen e kaluar të Isa Mustafës, e po ashtu për Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Mendoj që arsyeja kryesore pse grupi parlamentar i LDK-së, po ashtu edhe pjesa dërrmuese e PDK-së, sot nuk janë këtu, e edhe pjesa dërrmuese e PDK-së pikërisht për shkak të përgjegjësisë që ka Isa Musafa në montimin e këtij rasti. Isa Mustafa, Kadri Veseli e Hashim Thaçi”.

“Kjo treshe ishin përgjegjës për nënshkrimin e mbrojtjen që i bënin dy projekteve të dëmshme dhe aso kohe të kapluar nga të këqijat kishin humbur betejën edhe me qytetarët e Kosovës por kishin humbur argumentet edhe përballë opozitës kësisoj filluan egërsisht përmes një lufte speciale ti kundërviheshin VV-së. Nuk është më sekret, nga dëshpërimi dhe humbja e pashpresë, nisën tentimet për të shpallur Vetëvendosjen organizatë terroriste”, tha Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka vlerësuar se Kuvendi nuk është arenë e zgjidhjes së problemeve të atyre që bien ndesh me ligjin.

Debati i VV-së për të diskutuar rreth dënimit të aktivistëve të saj, sipas deputetit Beqa, janë keqpërdorim i të drejtës së tyre procedurale për të thirrur seanca të tilla, raporton kp.

“Përmes kësaj synohet për të manipuluar me rastin dhe të godasin politikisht drejtësinë aty ku nuk u pëlqen, e ta lavdërojnë profesionalisht aty ku iu pëlqen. Duhet të dimë se sistemi i drejtësisë është i shkallëzuar dhe për këtë rast për të cilin sot po diskutojmë akoma nuk kemi vendim përfundimtar. Ky lloj i politikbërjes synon t’i godas të arriturat edhe ashtu jo të mjaftueshme në sistemin e drejtësisë në vendin tonë. Ky debat tenton të krijoj huti dhe mosbesim në drejtësi tek opinioni publik që pastaj t’iu japin të drejt veprimeve të tyre të mundshme që mund të bien ndesh me ligjin në të ardhmen”, theksoi Beqa.

Ndaj fjalës së deputetit Beqa reagoi deputetja e VV-së, Donika Kadaj-Bujupi.

“Sa hipokrizi është kur prapa kamerave flasim tjetër çka e këtu pretendojmë me mbrojt diçka që nuk është e vërteta. Me 15 dhjetor 2017 Hajdar Beqa ka shkuar në burgun e Dubravës, i ka vizituar aktivistët tonë dhe ju ka uruar lirim, duke e konfirmuar që është i vetëdijshëm, siç jemi të gjithë ne se ata janë të pafajshëm dhe po mbahen aty padrejtësisht. Prandaj me shku në burg të Dubravës, me i taku, me ju thanë këto fjalë edhe e me ardhë këtu në parlament e me thanë krejt të kundërtën shumë e pandershme, hipokrizi e padrejtë ndaj tyre dhe qytetarëve’, u shpreh Kadaj-Bujupi.