Haxhi Ymer Prizreni, personalitet i ndritur i kombit

Prof. dr. Nehat KRASNIQI,

Në 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

HAXHI  YMER  PRIZRENI  PERSONALITET I  NDRITUR I KOMBIT

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ka qenë prodhim i ndjenjës së kombësisë shqiptare, e ndihmuar edhe nga ndjenja fetare Islame. Me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, zë fill jeta politike kombëtare shqiptare. Ndërsa vepra e Haxhi Ymer Prizrenit, paraqet gurin themeltarë të kësaj zanafille. 

Haxhi Ymer Prizreni ka qenë myderriz, myfti, udhërrëfyes shpirtëror, dhe njëri nga ideatorët, themeluesit dhe udhëheqësit më të spikatur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ka qenë kryetari i parë i Shetit të parë Autonom Shqiptar. Lindi në Prizren, rreth vitit 1820, në një familje të shquar myderrizësh, e cila duke ushtruar prej kohësh këtë profesion fisnik, u mbiemërua Myderrizi (Muderriz-zade). Me këtë mbiemër është nënshkruar Haxhi Ymeri në diplomat (ixhazet-nametë) që iu ka lëshuar diplomantëve të tij në Medresenë e Mehmet Pashës në Prizren.  Mbiemrin “Prizreni” ai e mori pas inkuadrimit në jetën politike, si deputet i Prizrenit në Parlamentin Osman. Një shënim i babës së Ymer Myderrizit, Sylejman efendiut,  në një dorëshkrim të tij të vitit 1825 hedh dritë për trungun gjenealogjik të familjes së Haxhi Ymerit. Sipas këtij shënimi, baba i tij Sylejman efendiu ishte i biri Rustemit, i biri Sylejmanit, i biri Ymerit, i biri Abdullah Prizrenit. Nga i ati i Ymerit, Sylejman efendiu, ka mbetur një dyzinë dorëshkrimesh të koleksionuar në Prizren, Prishtinë, Zagreb, Sarajevë e gjetiu, nga të cilët mund të nxirret përfundimi se ai ishte një dijetar me interesime të jashtëzakonshme.

Ymer efendi Myderrizi, mësimet e para i ka nxënë në vendlindje,  ndërsa studimet i ka mbaruar në Stamboll, ku ka vijuar mësimet nga dijetarët më në zë të asj kohe, si Ebu Bekër Tikveshi, Jahja Tevfik i biri i Ahmed Denizliut, i njohur si Hasan Efendi Zade dhe të tjerë. Te ky i fundit, Ymer Myderrizi ka marrë jo vetëm ixhazetin, respektivisht diplomën për mbarimin e studimeve, po edhe diplomën e posaçme për tefsir, hadith dhe për sheh të Tarikatit Nakshibendi.

Pas mbarimit të studimeve, Haxhi Ymer Prizreni deri në fillimin e Luftës Ruso-Turke, të shpallur nga Rusia më 23 prill të vitit 1877, punoi myderris në medresenë e Gazi Mehmet Pashës në Prizren. Situata politike në Perandorinë Osmane e në veçanti në Gadishullin Ilirik, respektivisht shpallja luftë Perandorisë Osmane nga Serbia më 30 qershor të vitit 1876 dhe nga Mali i Zi më 1 korrik të po këtij viti, vende këto që shfaqën haptazi pretendime pushtuese ndaj tokave shqiptare duke okupuar tokat shqiptare në veri të vendit dhe duke eksterminuar popullsinë autoktone shqiptare nga trojet e veta stërgjyshore, e nxitën Haxhi Ymerin që të angazhohet me tërë qenien e tij në luftën politike dhe në organizimin ushtarak të vullnetarëve shqiptarë, për mbrojtjen e interesave të atdheut.

Më 13 dhjetor të vitit 1877 ai filloi aktivitetin e tij politik në Parlamentin Osman, në të cilin qe ndër deputetët shqiptarë më aktiv në mbrojtjen e interesave politike shqiptare.

Këtë aktivitet ai e vazhdoi deri në shpërndarjen e këtij parlamenti nga sulltani,  më 14 shkurt të vitit 1878, për shkak të rrjedhave të disfavorshme të luftës me Rusinë. Gjatë kësaj kohe Haxhi Ymeri veproi aktivisht në Komitetin Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare që ishte formuar menjëher pas mbledhjes së parlamentit të dytë Osman në dhjetor të vitit 1877. Në këtë komitet, ai u dallua si  njëri nga ideatorët dhe nismëtarët më aktiv dhe më të prerë për themelimin e Lidhjes Shqiptare. Me punën e tij të palodhur dhe të vendosur, duke qenë në krye të Komisionit Organizativ Haxhi Ymeri me shokë organizoi dhe mbajti Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 10 qershor të vitit 1878. Në tetor të vitit 1879 Haxhi Ymer Prizreni u zgjodh kryetar i Lidhjes Shqiptare kurse në janar të vitit 1881 kryetar i qeverisë së shtetit të parë autonom Shqiptar, funksion të cilin e mbajti deri në fund të jetës së tij. Pas shpartallimit ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Haxhi Ymeri iku dhe u strehua në Ulqin ku vdiq më 12 Qershor të vitit 1887.

Haxhi Ymer Prizreni, në dokumentet osmane, paraqitet si ideatori dhe veprimtari më i prerë dhe më aktiv i krijimit të një shteti autonom shqiptar, i cili do ti bashkonte të gjitha sanxhaqet me popullsi shqiptare në një njësi të vetme administrative. Për realizimin e këtj synimi Haxhi Ymeri veproi në disa rrafshe. Organizoi administratën, gjygjësinë, financat dhe postë-telegrafin.

Një akt shumë domethënës që ndërmori Haxhi Ymer Prizreni, është fetfaja e tij e njohur, me të cilën urdhërohej për çlirimin e tokave shqiptare. Rendësia e kësaj fetfaje, konsiston jo vetëm në konsekuencën e parimit të patjetërsueshëm mbi të drejtën e luftës për mbrojtjen e atdheut dhe të qenies kombëtare, por edhe në porosinë që trasmeton ajo për profilizimin ideor dhe politik të ylemasë shqiptare.

Haxhi Ymer Prizreni, me idetë, qëndrimin dhe veprën e tij politike patriotike, zë vend qendror në mesin e Rilindasve Kombëtar Shqiptar. Është thënë me të drejtë se Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ka qenë prodhim i ndjenjës së kombësisë shqiptare, e ndihmuar edhe nga ndjenja fetare Islame. Me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, zë fill jeta politike kombëtare shqiptare. Ndërsa vepra e Haxhi Ymer Prizrenit, paraqet gurin themeltarë të kësaj zanafille.