HAXHI, SHTYLLË E ISLAMIT-RITUALET E HAXHIT (3)

Kur përmenden ritualet e haxhit është e rrugës të kup­tohet se aty hyjnë:
Farzet e tij ose detyrimet e prera të tij, lëshimi ose moskryerja e të cilave nuk mund të kompensohet me asgjë, dhe haxhi në atë rast do të ishte i papranuar tek Allahu i Lartëmadhërishëm.
Pastaj janë vaxhibet-obligimet që pranojnë kompen­sim në rast të lëshimit të tyre. 
Si dhe në fund janë ato rituale që nuk janë të detyru­e­sh­me të kryhen, por kryerja e tyre e bën më të kom­pletuar haxhin, e të tillat janë synetet e haxhit. E që edhe për këto të fundit do të duhet që haxhitë t’u kush­tojnë kujdes të veçantë, ngase me anë të kryerjes së tyre dëshmojmë dashurinë dhe respektin tonë për Mu­ha­medin s.a.v.s., ngase të tillat veprime i kemi marrë nga praktikimi dhe porositë e tij.
Një ritual që është mjaft me peshë e që në fakt i para­prin dhe e përcjell haxhiun gjatë kryerjes së ritualeve të haxhit është edhe veshja e petkut të Ihramit.
Andaj do të fillojmë sqarimin e normave të ihramit, të cilat janë tejet me vlerë për haxhiun.

IHRAMI
Ihram do të thotë veshje e dy petkave të bardha për haxhiun, por ai për haxhiun ka domethënien e nijetit për hyrje në rituale të haxhit. Ihrami në këtë kuptim te shumë dijetarë llogaritet si farz-obligim i prerë i ha­xh­it, ndërsa hanefitë e konsiderojnë si kusht të vlef­sh­më­risë së kryerjes së haxhit. Ihrami realizohet me ve­shjen e atyre dy petkave që janë të njohura për haxhitë, me njëren prej të cilave mbulohet avreti-pjesa nën kër­thi­zë, dhe tjetrën e hedhim supeve ne meshkujt. Ndërsa femrat kryejnë ritualet e haxhit në veshjen e tyre të rë­ndomtë, ngase për to nuk ka rroba të veçanta të cilat llogariten ihram për to. 
Për veshjen e ihramit e kemi vendin dhe kohën e cak­tuar. Sa i përket kohës së veshjes së tij, ajo është e njo­hur qysh nga koha e Ibrahimit dhe Ismailit a.s. Ko­ha e tij në fakt fillon dhe mund të realizohet brenda muajve të haxhit e të cilët janë:
Muaji Sheval, Dhul kade dhe dhjetë ditët e para të muajit Dhul hixheh. Në Kur’an janë theksuar këta muaj: 
الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَعْلُومَاتٌ … (197)
“Haxhi është në muajt e caktuar” (El Bekare 197).
Ndërsa sa u përket vendeve të veshjes së tij, po ashtu ato janë të përcaktuara, dhe të tillat quhen Mikate-ve­ndveshje të ihrameve, të cilat haxhiu nuk lejohet t’i tej­kalojë pa veshjen e ihramit. 
Veshja e ihramit në kohë dhe vend të caktuar bëhet më qëllimin që ai i cili udhëton për në Qabe ta ndërrojë gjendjen e tij shpirtërore dhe pamjen fizike, pra të pas­trohet nga çdo e keqe dhe ta largojë çdo mendim a vepër të ligë prej vetes së tij. Vetëm i këtillë mysafiri i Allahut mund ta kryejë vizitën e vendeve të shenjta. 
Rëndësi të veçantë mikateve-vendveshjeve të ihram­ve u dha vetë Pejgamberi s.a.v.s., i cili i caktoi ato në të gjitha anët e Mekes. Ato janë në distancë të ndrysh­me nga Meka e shenjtë, varësisht se nga cila rrugë vjen haxhiu.

Mikatet-vendveshjet ku haxhitë duhet t’i veshin ihramet janë:

– Dhul-Hulejfeh, përafërsisht gjendet 450 km nga Meka, është mikati i banorëve të Medinës, dhe atyre që kalojnë nëpër Medinë.
– El-Xhuhfeh, gjendet në veriperëndim të Mekes, për­a­fër­sisht 183 km nga Meka. Në këtë vend gjendet fshati Rabig që konsiderohet mikat i banorëve të Sha­mit, Egjiptit, Marokut, dhe vendeve të tjera rreth tyre.
– Karnul Menazil, është mikati i banorëve të Nexhdit, gjendet përafërsisht 75 km nga Meka.
– Jelemlem, është një kodrinë që shtrihet në jug të Me­kes, përafërsisht 92 km nga Meka, është mikati i ba­norëve të Jemenit. Njerëzit tani e kalojnë këtë mikat nga fshati Sa’dije.
– Dhatu Irkin, është mikati i banorëve të Irakut, gje­ndet përafërsisht 94 km nga Meka.

Është obligim për secilin njeri që deshiron ta kryejë Haxhin ose Umren që të mos i tejkalojë këto vende-mikate, përveçse me Ihram, pa marrë parasysh a vjen nga toka, deti apo ajri-përmes fluturimeve. E nëse i ka­lon vendet e lartpërmendura pa Ihram, duhet të kthehet përseri aty dhe ta veshë Ihramin, përndryshe nëse vazh­don rrugëtimin pa e veshur ihramin, obligohet me therje të kurbanit.
Ndërsa banorët e Mekes ose rrethinës së saj të cilët jetojnë më afër sesa mikatet, i veshin ihramet e tyre nga shtëpitë e tyre.

Çfarë preferohet të veprojë haxhiu para se të veshë petkun e Ihramit

Para hyrjes në ihram është e pëlqyer:
– Prerja e thonjëve. 
– Shkurtimi i mustaqeve, prerja e flokëve ose rregulli­mi i tyre. 
– Pastrimi apo marrja abdes para se të hyjë në ihram është synet i fortë. 
– Parfumosja e trupit, por jo edhe e petkut të ihramit është e pëlqyer para ihramit, si dhe 
– Falja e dy rekateve namaz (jashtë kohëve në të cilat nuk preferohet namazi) është synet.

Çka i ndalohet haxhiut pas veshjes së Ihramit

Pas hyrjes në ihram haxhiut i ndalohen disa gjëra, siç janë: 
– Marrëdhëniet intime dhe çdo veprim tjetër që mund të sjellë deri tek ky akt, si puthja, ledhatimi, përqafi­mi dhe prekja me epsh. 
– Ndalohet nëpërkëmbja e dispozitave të sheriatit is­lam. 
– Grindja me njerëz. Allahu i Lartësuar thotë:
الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَعْلُومَاتٌ فَمَنْ فَـرَضَ فِيهِنَّ الْحَجَّ فَلَا رَفَثَ وَلَا فُسُوقَ وَلَا جِدَالَ فِي الْحَجِّ … (197)
“Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispo­zitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje” (El Bekare 197). 
– Ndalohet gjuetia tokësore. Në Kur’an thuhet: 
… وَحُرِّمَ عَلَيْكُمْ صَيْدُ الْبَـرِّ مَا دُمْتُمْ حُرُمًا …(96)
“Kurse gjahu tokësor u është ndaluar sa të jeni në ihram” (El Maide 96). 
– Ndalohet përdorimi i parfumit në rroba ose trup. 
– Mashkullit i ndalohet të vesh diçka që është e qepur si këmishë etj. (femrës i lejohet). 
– Ndalohet mbulimi i kokës dhe i fytyrës me çfarëdo petku.
– Gruaja nuk duhet të veshë dorëza dhe as ta mbulojë fytyrën me nikab-perçe. 
– Prerja e thonjëve.
– Qethja ose rruarja e flokëve, ose e çdo qimeje të tru­pit, si dhe
– Lyerja e flokëve ose trupit me yndyra që përmbajnë erë parfumi.
Pas veshjes së Ihramit haxhiut i lejohet të pastrohet, të lajë kokën dhe trupin për shkaqe higjenike, të përdo­rë sapunin po jo atë me aromë ose erë, si dhe i lejohet të qëndrojë nën hije, të mbulohet me ombrellë e të ngjash­me.

(vijon)