HAXHI, SHTYLLË E ISLAMIT, Dispozita – norma e haxhit(2)

Haxhi është farz-obligim i detyruar, dhe njëra ndër pesë shtyllat themelore të Islamit. Obligimi i tij është përcaktuar nga fundi i vitit të nëntë hixhrij. Ky obligim është i vërtetuar me Kur’an, hadidh dhe qëndrim una­nim të mbarë ymetit. Në Kur’an thuhet:
… وَلِلَّهِ عَلَى النَّاسِ حِجُّ الْبَـيْتِ مَنِ اسْتَطَاعَ إِلَيْهِ سَبِيلًا …(97)
“Për hirë të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo” (Ali Imran 97).
Ndërsa Muhamedi s.a.v.s. thotë:
“بُنِيَ الْإِسْلَامُ عَلَى خَمْسٍ: شَهَادَةِ أَنْ لَا إِلٰهَ إِلَّا اللَّهُ، وَأَنَّ مُحَمَّدًا رَسُولُ اللَّهِ، وَإِقَامِ الصَّلَاةِ، وَإِيتَاءِ الزَّكَاةِ، وَالْحَجِّ، وَصَوْمِ رَمَضَانَ”
“Islami bazohet në pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi s.a.v.s. është i Dërguari i Tij, falja e na­mazit, dhënia e zekatit, kryerja e Haxhit dhe agjë­ri­mi i Ramazanit” (Buhariu dhe Muslimi).
Kryerja e haxhit është obligim vetëm një herë gjatë jetës, ndërsa kryerja e tij më shumë se një herë është nafile-vepër vullnetare. Ebu Hurejre r.a. transmeton dhe thotë:

خَطَبَـنَا رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ، فَـقَالَ : “أَيُّـهَا النَّاسُ، قَدْ فَـرَضَ اللَّهُ عَلَيْكُمُ الْحَجَّ فَحُجُّوا . فَـقَالَ رَجُلٌ : أَكُلَّ عَامٍ يَا رَسُولَ اللَّهِ ؟ فَسَكَتَ حَتَّى قَالَهَا ثَـلَاثًا، فَـقَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ : لَوْ قُـلْتُ نَعَمْ ؛ لَوَجَبَتْ، وَلَمَا اسْتَطَعْتُمْ”
“Pejgamberi s.a.v.s. na mbajti një ligjëratë e tha: O ju njërëz Allahu ua obligoi haxhin andaj kryejeni atë. Një njëri tha: A çdo vit o i Dërguar i Allahut? Pejgamberi s.a.v.s. heshti derisa pyetësi e përseriti pyetjen tri herë. Atëherë Pejgamberi s.a.v.s. tha: Po të them se po, atëherë juve do t’iu obligohej, ndërsa ju nuk kishit mundësi ta bëni këtë” (Muslimi).
Kushtet e obligueshmërisë së haxhit
Këto janë kushte që, në momentin kur te një person plotësohen që të gjitha bashkërisht, ia bëjnë haxhin të obliguar. Nëse nuk plotësohet qoftë dhe vetëm njëri prej tyre, njeriu nuk do të jetë i obliguar me kryerjen e haxhit, do të thotë se haxhi nuk është farz për të.

Kushtet e tilla të obligueshmërisë së haxhit janë:

  1. Islami – Pra personi duhet të jetë mysliman.
  2. Që ta dijë se haxhi është obligim dhe ky kusht vlen vetëm për personin që jeton në vendet e jobesimtarëve, aty ku informimi për dispozitat e islamit është më i vështirë. Nëse personin e tillë e njoftojnë dy burra ose një burrë dhe dy gra se kryerja e haxhit është farz, llogaritet tashmë se ai e di obligueshmërinë e haxhit. Ky kusht nuk vlen për atë që jeton në mesin e myslimanëve. Për të mosnjohja e dispozita­ve theme­lore të Islamit nuk mund të përbëjë kurrfarë arsyetimi legjitim që të shkarkohet nga obliguesh­mëria e haxhit.
  3. Pjekuria. Që nënkupton se personi duhet të jetë mbi moshën madhore, moshë kjo që kur personi të hyjë në të, sipas rregullave të sheriatit obligohet t’i kryejë obligimet e caktuara fetare, rrjedhimisht edhe haxhin. Nëse fëmija e kryen haxhin, haxhi i tij është i pranuar, por ky haxh nuk i mjafton si Haxhi i Islamit që domethënë se kur të hyjë në moshën madhore, ai prapë e ka obligim haxhin, nëse i plotëson kushtet, sepse haxhi bëhet detyrim për të vetëm pasi ta arrijë moshën madhore.
  4. Të jetë i shëndoshë psikikisht. Duhet të ketë psikikë të shëndoshë, sepse ai që është me të meta mendore nuk e ka obligim kryerjen e haxhit.
  5. Të jetë i lirë, jo i robëruar.
  6. Të ketë mundësi. Mundësia tek hanefitë nënkupton:
    a) mundësinë e udhëtimit dhe qëndrimit në haxh, me kusht që të mos ketë as borxhe,
    b) të jetë i shëndoshë fizikisht,
    c) rruga të jetë e sigurt, dhe
    ç) të lërë pasuri të mjaftueshme për familjarët e vet që i ka lënë në shtëpi nëse ata varen prej tij, duke u siguruar atyre ushqim, vendbanim dhe veshmbathje derisa të kthehet.
  7. Gruaja të ketë mahrem-gjegjësisht ta përcjellë atë një mashkull i afërm, me të cilin nuk ka të drejtë të martohet në asnjë rrethanë, ose të jetë në shoqërim të bashkëshortit të saj, e nëse as kjo nuk është e mundsh­me, atëherë eventualisht të jetë në shoqërim të grave të ndershme dhe të besueshme.
  8. Të mos jetë në idet-pritje nga shkurorzimi ose vde­kja e burrit.

Ndërsa kushtet e vlefshmërisë së haxhit janë:

Kushtet e vlefshmërisë janë ato të cilat, nëse nuk plotësohen, haxhi, edhe nëse kryhet, nuk vlen. Pra në mënyrë që haxhi i kryer të jetë i vlefshëm, është e ne­vojshme përmbushja e këtyre kushteve:

  1. Hyrja në Ihram me nijetin e sinqertë për kryerjen e haxhit, kjo për arsyen e thjesht ngase haxhi është ibadet ndërsa ibadetet nuk mund të pranohen tek Allahu nëse ato nuk bëhen vetëm për Të.
  2. Që haxhi të kryhet në kohën e vet dhe në vendet e veta të caktuara. Haxhi është i pranueshëm vetëm nëse kryhet në muajt dhe ditët e caktura siç ka thënë Allahu:
    الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَعْلُومَاتٌ …(197)
    “Haxhi është në muajt e caktuar” (El-Bekare 197).
    Por gjithashtu ai pranohet që të kryhet vetëm në ve­ndet e caktuara (Qabe, Arefat, Muzdelife, Mina), në të cilat realizohen ritualet e haxhit.

Koha e obligueshmërisë së haxhit

Koha e obligueshmërisë së haxhit është menjëherë pasi të plotësohen kushtet e lartpërmendura. Shtyrja e haxhit për vitin tjetër pas plotësimit të kushteve të obli­gueshmërisë është mëkat tek Allahu.
(vijon)