Hasani: Marrëdhëniet Shqipëri-Francë, të veçanta dhe shumëdimensionale

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka pritur sot në një takim ministrin francez të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga ministria thuhet se pjesë e bisedimeve ishte rrugëtimi evropian i Shqipërisë dhe Samiti i Komunitetit Politik Evropian.

“Gjatë takimit, të dyja palët kanë nënvizuar angazhimin e përbashkët për integrimin evropian, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal. Sipas ministrit Hasani, vizita e Haddad është reflektim i marrëdhënieve të veçanta, të shëndosha dhe shumëdimensionale të ndërtuara mes Shqipërisë dhe Francës mike”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se në kuadër të rrugëtimit evropian të Shqipërisë, Hasani vlerësoi veçanërisht “angazhimin serioz të Francës në institucionet e BE-së, i cili ka qenë kyç për sigurimin e një procesi të drejtë dhe transparent të negociatave për anëtarësim”.

“Mbështetja e palëkundur e Francës në rrugën tonë evropiane është e paçmuar dhe jemi sinqerisht mirënjohës për këtë mbështetje, e cila forcon vizionin tonë të përbashkët për një Evropë të bashkuar dhe të begatshme. Ne shpresojmë shumë që të vazhdojmë të kemi këtë mbështetje, veçanërisht për mbajtjen e Konferencës së Katërt Ndërqeveritare, e cila urojmë të zhvillohet në ditët në vijim, sikurse edhe për hapjen e kapitujve të tjerë të mbetur brenda 2025-s deri në arritjen e objektivit tonë të qartë si kristali: mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, është shprehur Hasani.

Duke folur për samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në muajin maj në Tiranë, Hasani u shpreh se ky samit synon promovimin e bashkëpunimit dhe dialogut mes shteteve të Evropës për sfidat e përbashkëta, duke përfshirë sigurinë dhe stabilitetin.

Sipas njoftimit, dy ministrat vlerësuan edhe angazhimin aktiv të Francës në Ballkanin Perëndimor, ku theksohet se ky angazhim është thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.