Ish–kreu i Gjykatës Kushtetuese dhe Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani në një analizë për politikën e jashtme amerikane, ka trajtuar edhe çështjen e Gjykatës Speciale e cila do të gjykojë ish –udhëheqësit e UÇK’së që dyshohen për krime lufte.
Hasani ka thënë se formimi i Gjykatës Speciale ka krijuar një mosdurim në popullsi, e cila me padurim pret nisjen e punës së saj me qëllim që të dihet njëherë e mirë se krimi eventual i kryer në Kosovë gjatë luftës së fundit dhe menjëherë pas saj ka vulë individuale e assesi kolektive.
Sipas tij, Kosova është peng i 10 personave që dyshohen për krime lufte.
“Fundja, shtetet dhe popujt asnjëherë nuk janë vënë dhe nuk mund të vihen në bankën e të akuzuarve. Fillimi i punës së Gjykatës Speciale përbën një shpresë për hapje të një hapësire të re dhe të një faqeje të re në jetën publike kosovare: Kosova përfundimisht, duhet thënë hapur, ka kohë që ka ngelur peng i jo më shumë se dhjetë vetëve të cilët dyshohen për kryerjen e krimeve më monstruoze të karakterit ndërkombëtar” ka thënë Hasani.
Ai ka thënë se formimi i gjykatës ka qenë pjesë e përpjekjeve të aleatëve perëndimorë të Kosovës për ta ndarë “shapin prej sheqerit”, për t’ia mbyllur gojën Rusisë së Putinit që në vazhdim ka synuar barazimin e krimeve të Milosheviqit të kryera në Kosovë me krimet eventuale individuale dhe krejt spontane që mund t’i kenë kryer disa individë në Kosovë.
“Tani që Rusisë po i rrëzohet velloja e fuqisë fiktive, e krijuar këtyre viteve të fundit, puna e Gjykatës Speciale ka edhe më shumë kuptim dhe efekt. Tani e tutje Gjykata Speciale është biznes i kosovarëve dhe i aleatëve të tyre perëndimorë, të cilët kanë qëllimin e njëjtë: zbardhjen e kapitullit të luftës, sado që i dhimbshëm mund të dalë për qytetarin e zakonshëm në Kosovë dhe për aleatët e Kosovës që ndihmuan çlirimin e Kosovës nga Serbia” ka theksuar Hasani.