Sinjalet që vijnë nga burime të ndryshme tregojnë se zgjedhjet për president në ShBA janë shumë të barabarta dhe është e vështirë të parashikohet fituesi. Ende më sfiduese është të kuptohet arsyeja kryesore ose vendimtare që do të sjellë fitoren e njërit kundrejt tjetrit. Zëvendëspresidentja Harris dhe ish-presidenti Trump janë dy figura tejet interesante, aspak e pazakontë për kandidatët për president në ShBA.
Trump është një nga figurat e rralla që ka qenë pjesë e opinionit publik për dekada. Ai është një miliarder, fytyrë televizive dhe së fundmi, politikan. Në vitin 2016, fitoi zgjedhjet edhe pse parashikimet thoshin ndryshe. Presidenca e tij ishte një lloj kaosi me ndryshime të vazhdueshme brenda ekipit të tij dhe me anomali të shumta. Gjatë mandatit, Trump u takua me KimJong-un të Koresë Veriore, u tregua i afërt me Putinin, ndaloi hyrjet në ShBA për qytetarë nga disa vende me shumicë muslimane, por mbajti një qëndrim të ashpër ndaj Kinës. Ishte shumë kërkues dhe kishte qëndrime agresive ndaj aleatëve të Amerikës, sidomos ndaj atyre europianë. Uli taksat për bizneset në mënyrë drastike dhe përkrahu ligje që ndihmonin korporatat, por gjithashtu nisi të ndalonte hyrjen e imigrantëve në masë.
Megjithatë, Trump nuk arriti të rizgjidhet në vitin 2020, dhe për egon e tij ishte e vështirë për t’u pranuar; ai ende sot thotë se fitorja iu vodh.Madje, kishte përpjekje për të ndryshuar rezultatin, dhe motivimi i tij çoi në sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021. Pas kësaj ngjarjeje, nisën shumë procese gjyqësore për vepra të ndryshme, dhe u mendua se karriera e tij kishte marrë fund. Por, Trump u rikthye falë bazës votuese republikane të polarizuar, e cila pajtohet plotësisht me idetë e tij.Kështu, me lehtësi fitoi nominimin për kandidaturën presidenciale nga republikanët.
Nga ana tjetër, Harris fillimisht ishte prokurore e përgjithshme dhe më pas senatore nga Kalifornia, një shtet tejet liberal dhe mbështetës i Partisë Demokratike.Si yll në ngritje dhe ambicioze brenda demokratëve, vendosi të kandidojë në zgjedhjet e brendshme për kandidaturën presidencial të vitit 2020.Nuk arriti ndonjë sukses; madje, në përpjekjet për të luajtur fuqishëm, ishte agresive dhe kritikoi ashpër kundërkandidatin Biden. Shpejt, demokratët, ndër ta edhe Obama, bindën shumicën e kandidatëve që të tërhiqeshin herët nga gara që të mos fitonte momentum Bernie Sanders. Biden fitoi kandidaturën dhe Harrisiu bë pjesë e tiketës së tij. Kjo lëvizje u pa si mbështetje për gratë dhe amerikanët me ngjyrë pas humbjes së Hillary Clinton më parë.
Biden, si një politikan me përvojë të gjatë dhe mbështetje të gjerë, arriti t’i fitojë zgjedhjet e vitit 2020 dhe Harris u bë gruaja e parë zëvendës-presidente.Megjithatë, Harris nuk e filloi me sukses mandatin dhe që në fillim u përball me kritika si nga mediat pro-republikane ashtu edhe nga ato pro-demokrate.Më pas, Biden, përkundër moshës së shtyrë, fitoi të drejtën brenda partisë për rizgjedhje në vitin 2024. Megjithatë, në debatin e parë me Trump, u vu re se aftësitë e tij kognitive ishin dobësuar dukshëm, duke shkaktuar pasiguri brenda partisë dhe votuesve. Nën presionin e partisë dhe të donatorëve, Biden u tërhoq, duke lënë Harris si pasardhësen e tij. Në zgjedhje të rregullta, Harris ndoshta nuk do të kishte mundësi të fitonte kandidaturën nga demokratët, por tani mund të shënojë një tjetër histori nëse bëhet gruaja e parë presidente.
Harris apo Trump fiton?
Krahasuar me Biden, Trump printe në sondazhe me një diferencë të dukshme. Posa Harris zuri vendin e Biden, për shkak të entuziazmit fillestar, ajo arriti ta kalojë Trump-in dhe të udhëheqë në sondazhe. Megjithatë, momentumi po shkon drejt Trump-it prapë. Tani, në nivel kombëtar, Harris mesatarisht kryeson me 48% të votave përballë Trump-it me 47%. Por, për shkak të sistemit të votave elektorale, fitues mund të jetë një kandidat që nuk fiton votën popullore, por arrin të sigurojë fitore në shtetet që herë i fitojnë demokratët e herë republikanët. Shtetet që ndryshojnë ose fushëbetejë.
Përveç dy përjashtimeve, në shtetet e tjera, nëse njëra parti fiton shumicën e thjeshtë, ajo fiton të gjitha votat elektorale. Disa shtete dihet qartë se cilën parti do të mbështesin. Kalifornia zakonisht voton për demokratët, ndërsa Alabama voton për republikanët. Por, në shtatë shtete fushëbetejë, rezultati është i ndryshueshëm nga njëra parti në tjetrën dhe thuajse e gjithë fushata është e përqendruar në to. Këto shtete janë: Nevada (6 vota elektorale), Arizona (11), Gjeorgjia (16), Karolina e Veriut (16), Uiskonsin (10), Miçigan (15) dhe Pensilvania (19). Votat elektorale janë proporcionale me numrin e senatorëve (100), përfaqësuesve (435) plus 3 nga Uashingtoni, dhe nga 538 vota gjithsej, një kandidati i nevojiten 270 apo 50.1% për të fituar presidencën.
Fillimisht, Harris kryesonte në disa prej këtyre shteteve. Tani, sipas mesatareve të nxjerra nga sondazhe të shumta, ajo kryeson vetëm në Miçigan, dhe kjo me një dallim të vogël. Trump kryeson në pesë shtetet e tjera me dallim të vogël gjithashtu, por më të theksuar në Gjeorgji dhe Karolinën e Veriut. Në Uiskonsin janë baraz. Ashtu si në nivelin kombëtar, edhe në këto shtete dallimi është brenda margjinës së gabimit, që do të thotë se votat mund të ndryshojnë me plus ose minus aq sa e mbulon diferencën. Fitues mund të jetë edhe kandidati që në sondazhe është në vend të dytë.
Votuesit e pavendosur janë rreth 4.3%, gjë që e bën të rëndësishme lëvizjen e tyre në momentet e fundit. Megjithatë, mund të thuhet se këto sondazhe në shtetet kyçe tregojnë një entuziazëm të lehtë në favor të Trump-it në ditët e fundit të fushatës. Vlen të përmendet se sondazhet disa herë kanë devijuar nga rezultatet përfundimtare, si në vitin 2016 kur Hillary Clinton kryesonte në sondazhe, por humbi garën.
Kush fiton sipas ekspertëve?
Historiani Allan Lichtman ka ndërtuar një model që përbëhet 13 çelësa. Secili çelës vlerësohet si i vërtetë ose i pavërtetë. Për shembull, nëse kandidati është presidenti i tanishëm, vlerësohet i vërtetë; nëse ekonomia është e fortë, po ashtu vlerësohet si i vërtetë dhe kështu me radhë. Sipas Lichtman, Harris ka 8 çelësa, që do të thotë se do të bëhet gruaja e parë presidente. Që nga viti 1984, ky model ka rezultuar i saktë në shumicën e rasteve, përveç në vitin 2016, kur Trump doli fitues.
Profesori i ekonomisë RayFair ka zhvilluar një model ekonometrik të zgjedhjeve që përfshin disa variabla, dhe nga 27 palë zgjedhje ka parashikuar saktë në 25 raste. Megjithatë, këtë herë ka deklaruar se rezultatet janë aq të afërta sa që është e vështirë të parashikohet fituesi. Bazuar në këtë model, profesorët e lidershipit John Antonakis dhe Philippe Jacquart, kanë ndërtuar një model të ri ekonometrik. Sipas tyre, variablat e mbajtjes së postit në kohën e zgjedhjeve, ekonomia dhe karizma janë vendimtare në fitimin e këtyre zgjedhjeve. Duke qenë se Harris kandidon si zëvendës-presidente dhe jo si presidente, ajo e ka të dobësuar avantazhin e mbajtjes së pushtetit, ndërsa Trump ka përparësi në karizëm dhe ekonomi.
Sipas Antonakis dhe Jacquart, edhe pse Harris është një treguese e mirë e historive, Trump përdor më shumë elemente të karizmës si metaforat, pyetjet retorike dhe shfaqjen e vetëbesimit. Ekonomia gjatë kohës së Trump ishte në nivel të mirë, dhe papunësia kishte zbritur deri në 3.5%. Ndërsa gjatë kohës së administratës Biden-Harris, ekonomia nuk ka qenë në situatë të keqe, por inflacioni post-pandemik si rezultat i rritjes së menjëhershme të kërkesës dhe efektet e luftës në Ukrainë kanë rritur koston e jetesës, pavarësisht masave serioze të ndërmarra nga qeveria. Modeli e nxjerr Trump fitues.
Revista The Economist ka parashikuar përmes modelit të saj se Trump do të fitojë, ndërsa një model tjetër interesant, Polly Vote, ka parashikuar Harris si fituese. Bursa e aksioneve S&P 500 është pozitive, çka e favorizon Harris. Si përmbledhje, mund të thuhet se situata duket shumë e barabartë, por aktualisht një entuziazëm i lehtë duket të jetë në favor të Trump.
Strategjia e kandidatëve
Trump është i bindur se një nga arsyet kryesore të fitores së tij në vitin 2016 ishte çështja e imigrantëve pa leje qëndrimi, sidomos për shkak të hyrjeve të pakontrolluara nga kufiri me Meksikën. Kjo mbetet një nga pikat kryesore të fushatës së tij. Trump deklaron se gjatë mandatit të parë ndërtoi më shumë mur sesa kishte premtuar dhe synon ta vazhdojë këtë projekt. Madje, shpesh herë fton nëpër mitingje dhe reklamime familjarë të qytetarëve të vrarë nga imigrantë. Po ashtu, shumica e policisë kufitare mbështet kandidaturën e tij. Trump, në fjalimet e tij, akuzon imigrantët dhe fajëson Harris dhe Biden për hapjen e kufijve nga kanë hyrë kriminelë dhe trafikantë të drogës e njerëzve.
Ekonomia është gjithashtu temë qendrore për Trump. Ai thekson se ekonomia gjatë mandatit të tij ishte më e mira në histori dhe se Biden mori një ekonomi të fortë, të cilën më pas e shkatërroi. Trump përmend papunësinë e ulët dhe inflacionin e qëndrueshëm gjatë mandatit të tij. Ai premton të ulë taksat për disa kategori sipas të ardhurave dhe të heqë taksat mbi bakshishet e punëtorëve, veçanërisht për sektorin e gastronomisë. Prioriteti i tij është ulja e inflacionit përmes uljes së çmimit të energjisë si nafta dhe gazi, gjë që ka një logjikë të rëndësishme ekonomike. Po ashtu, Trump vë theksin në tregtinë globale, duke thënë se SHBA-ja ka humbur nga tregtia ndërkombëtare dhe premton tarifa mbi importet, përfshirë edhe ato nga vendet aleate.
Në pjesë të tjera të fushatës, Trump fokusohet në çështjen e abortit, ndryshimit të gjinisë dhe akuzon Harris si kundër katolikëve dhe me inteligjencë të ulët. Gjithashtu, ai thekson se proceset gjyqësore kundër tij janë një manovër politike nga armiqtë e brendshëm.
Nga ana tjetër, Harris fokusohet tek çështja e të drejtës ligjore për abort, të cilën e përkufizon si të drejtën e riprodhimit. Pas vendimit të Gjykatës Supreme që e hoqi abortin si të drejtë federale, Harris thekson se kjo e drejtë duhet të rikthehet përmes një ligji të ri. Ajo sjell histori gjatë fushatës nga familje që kanë humbur persona të dashur për shkak të frikës së mjekëve për të ofruar shërbime të abortit, edhe kur jeta e nënës ishte në rrezik dhe si rrjedhojë është humbur.
Një tjetër temë për Harris është rrezikshmëria që ajo sheh te Trump për demokracinë, për shkak të refuzimit të tij për të pranuar humbjen e vitit 2020 dhe gjuhës së tij përçarëse. Ajo e quan Trump fashist, të paarsyeshëm, të pakontrolluar dhe të paqëndrueshëm. Gjithashtu, Harris përpiqet të projektojë një imazh pozitiv dhe argëtues për veten, që tërheq gjeneratat e reja. Ajo premton të kujdeset për klasën e mesme dhe për njerëzit e zakonshëm, duke synuar të ndryshojë politikat tatimore në këtë drejtim. Për të treguar dallim nga Biden, shpesh thekson se përfaqëson një gjeneratë të re, duke i ofruar votuesve një zgjidhje të ndryshme nga Trump.
Shumica e amerikanëve vlerësojnë ekonominë si faktor kyç për zgjedhjet dhe nuk janë shumë të përqendruar në politikën e jashtme. Por, me luftërat në Ukrainë, Palestinë dhe Liban, situata është e ndjeshme. Trump premton të përfundojë luftërat dhe të sjellë paqe për të shmangur Luftën e Tretë Botërore. Harris, nga ana tjetër, e ka të vështirë të distancohet nga përkrahja e Biden për luftën në Gaza dhe shpesh përballet me protesta gjatë fjalimeve të saj. Këtu, votuesit arabë dhe muslimanë në Miçigan, një nga shtetet fushëbetejë, kanë një rëndësi të veçantë. Trump ka rritur mbështetjen mes këtyre votuesve, por një pjesë e tyre janë të pakënaqur me të dy kandidatët.Shoku i tij, ish-kryetari i Nju Jorkut, Rudy Giuliani, nuk e ndihmoi kur në mitingun e tij tha se palestinezët i mësojnë fëmijët dyvjeçarë të na vrasin.
Sytë e të gjithëve janë te Pensilvania, shtet kyç me 19 vota elektorale. Trump është duke prirë lehtazi, por deklaratat e komedianit Hinchcliffe në mitingun e tij se Porto Riko është ishull ku notojnë mbeturinat mund të ndikojnë negativisht pasi 500 mijë portorikanë jetojnë në Pensilvania. Me zgjedhjet kaq të afërta, edhe detajet më të vogla mund të ndryshojnë rezultatin përfundimtar. Shpejt edhe Biden i quajti votuesit republikanë mbeturina, ndoshta gabimisht.Fituesi i Pensilvanisë, së bashku me Miçiganin, ka shumë mundësi të jetë presidenti i ardhshëm.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm, e ndoshta edhe vendimtar është refuzimi i Trump të pranonte rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe për pasojë nxiti sulmin ndaj Kapitolit. Kjo sjellje mund të jetë një arsye e rëndësishme për të humbur vota, pasi një pjesë e popullsisë dhe institucioneve amerikane e shohin këtë si të pafalshme.
Gjithashtu, do të ketë zgjedhje edhe për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve. Pritet që Senati të kalojë nën kontrollin e lehtë të republikanëve, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve nën atë të demokratëve edhe pse edhe këto gara duken shumë të barabarta. Për secilin president, kjo do të krijojë ndërlikime për miratimin e politikave dhe ligjeve. Nëse të dy kandidatët marrin nga 269 vota elektorale, çfarë është një mundësi teorike, atëherë presidenti do të zgjidhet nga Dhoma e Përfaqësuesve me nga një votë për secilin shtet, një tjetër arsye për intensitetin e fushatës në këtë drejtim.
Implikimet për Kosovën
Në rast se Trump fiton, pritet një qasje më e ashpër ndaj qeverisë së Kosovës, me theks të veçantë për pranimin e kompromiseve shtesë me Serbinë. Gjatë mandatit të tij të parë, administrata Trump shpresonte ta zgjidhte çështjen Kosovë-Serbi përmes një modeli ekonomik që do të ishte i pranueshëm për të dy palët, por përpjekjet mbetën të papërfunduara edhe pse pati një marrëveshje. Richard Grenell, si përkrahës i flaktë, mund të jetë sekretar i shtetit ose të ketë një rol tjetër kyç në një administratë të Trump. Grenell ka shfaqur qartë qëndrimin e tij të ashpër dhe ndoshta edhe personal ndaj kryeministrit Kurti dhe është i afërt me presidentin serb Vuçiç, si dhe me lobin serb. Një situatë e tillë do të sillte presion të madh mbi Kosovën.
Nëse fituese del Harris, ajo ka të ngjarë të ndjekë të njëjtën linjë politike të administratës Biden, e cila gjithashtu ka kërkuar kompromise nga Kosova. Nëse kryeministri Kurit zgjidhet prapë, ai dhe Harrisi do të kenë të përbashkët ideologjinë e majtë, progresive. Kurti, në rast se rizgjidhet, mund të synojë të balancojë mosmarrëveshjet përmes politikave të tij progresive për të fituar mbështetje më të gjerë nga administrata Harris.
Nga ana tjetër, Trump nuk ngurron të punojë me ish-kundërshtarët, për sa kohë ata lëvizin në linjë me politikat e tij dhe kërkojnë falje. I tillë është edhe sentori James Vancesi pjesë e tiketës së tij për zëvendëspresident. Një zgjedhje që Trump e ka bërë në linjë me ideologjinë e tij dhe për një pasardhës të mundshëm.
Duke analizuar përkrahjen e dy kandidatëve, gara mbetet shumë e ngushtë dhe jo domosdoshmërisht reflektuar edhe në rezultatin përfundimtar ku mund të ketë dallim të ndjshëm. Trump gëzon mbështetje kryesisht nga burrat dhe grupet me arsim më të paktë, ndërsa Harris ka mbështetjen e grave dhe personave me arsim të lartë. Trump ka përkrahjen kryesore nga zonat rurale, kurse Harris nga ato urbane. Por votuesit në zonat ndërurbane duket se do të jenë përcaktues. Harris shpreson se kandidati për zëvendës, governatori Tim Walz, do ta ndihmojë me këto vota.
Për Kosovën, situata kërkon një strategji të re diplomatike dhe të menduar mirë. Cilado qoftë administrata e ardhshme në ShBA, Kosova duhet të punojë për të ruajtur pozicionet e saj me sa më pak kompromise në raport me Serbinë dhe për të siguruar një mbështetje të vazhdueshme amerikane.
Flamur Kaçiu është kandidat për Ph.D. në Menaxhment, të njëjtën kohë i angazhuar në menaxhment. Flamuri është i interesuar në Strategji, Lidership, dhe Edukimi të Menaxhmentit. Për momentin, hulumton rreth kreativitetit dhe inovacionit.