Haradinaj ua bën të qartë ambasadorëve të QUINT-it se s’do të ketë tërheqje të taksës për Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar sot me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë si dhe me shefen e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se Qeveria që ai udhëheq po i vazhdon agjendat shtetërore, duke garantuar funkisonimin e rendit dhe ligjit, raporton lajmi.net.

Ai tutje ka shtuar se vendimi për masën prej 100 për qind nuk do të hiqet deri në realizimin e objektivave të Qeverisë së Kosovës.Ky është postimi i plotë i Haradinajt në Facebook:Në takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefen e Zyrës së BE-së, diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe i sigurova se situata politike dhe e sigurisë në vend është e qetë. Qeveria po i vazhdon agjendat shtetërore, duke garantuar funksionimin e ligjit e rendit, si dhe është e përkushtuar në ruajtjen e qetësisë publike dhe sigurinë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Deklaratat për të ashtuquajturën krizë humanitare në Veri të vendit janë propaganda, të pavërteta dhe të papranueshme për realitetin në vend. Qytetarëve të vendit, pa dallim përkatësie etnike, nuk do ju mungojë asnjë produkt bazik ushqimor e mjekësor. Vendimi për masën prej 100% për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina do të mbetet në fuqi deri në realizimin e objektivave të Qeverisë së Republikës së Kosovës.