Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se shpejt do të gjendet e vërteta e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, e që është kusht i BE-së për procesin e liberalizimit.
Ai theksoi se me zbatimin e MSA-së, do ta detyrojnë BE-në, që të ketë lëvizje përpara për liberalizimin e vizave.
Këto komente kryeministri dhe njëherësh kryetari i AAK-së i bëri në tubimin elektoral që partia e tij mbajti në Duzhnje të Gjakovës.
Kreu i AAK-së dhe Qeverisë, theksoi se punët që kishin dashur të kryhen gjatë këtij viti kishin qenë të harruara, porse ata do t’i kryejnë me kohë.
“Kemi filluar të punojmë për vitin që vjen. Statusi i kandidatit është tema e ardhshme që do të diskutojmë Kosovë-BE, për këtë jeni me së të sigurt se nuk do të shkon vite.
Qeveria jonë në zbatim të MSA-së obligon vendet e BE-së e institucionet e BE-së ta vlerësojnë zbatimin e MSA-së nga Kosova që nënkupton t’i jepet liberalizimi i vizave. Kemi të ndërlidhur liberalizimin e shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Ne nuk kemi humbur kohë, një komision ka shkuar në shtëpi, një komision tjetër ka filluar punë.
Ky komisioni tjetër do ta gjejë të vërtetën, është shkencë që ne i obligohemi si brenda ashtu edhe jashtë që janë faktet që çdo herë fitojnë, kur t’i kemi edhe ato do t’i vijë zgjidhja kësaj çështje nuk do të shkojë pa afat”, tha Haradinaj./Mesazhi/