Ballina Lajmet Kosovë Haradinaj: Të rrugëtojmë së bashku në luftën kundër kancerit të gjirit

Haradinaj: Të rrugëtojmë së bashku në luftën kundër kancerit të gjirit

Qindra qytetarë për herë të dhjetë më radhë në sheshet e Prishtinës kanë marrë pjesë në ecjen tradicionale në muajin e luftës kundër kancerit me moton “Zbulimi i hershëm = Mbijetesë”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj se Qeveria e Kosovës obligohet që të ndihmojë në diagnosifikimin e hershëm të kancerit të gjirit përmes mekanizmave të ndryshëm.

Ai duke përgëzuar organizatorët tha se kjo ecje ka për qëllim sensibilizimin e grave për të bërë kontrolla mjekësore për një diagnosifikim të hershëm të kancerit të gjirit.

I pari i ekzekutivit të vendit tha se rreziku për kancerin e gjirit është i madh në Kosovë edhe për shkak të hezitimit që kanë kryesisht gratë të vendeve rurale për të bërë kontrollet me kohë.

Ndërkaq, ministri i shëndetësisë, Uran Ismajli ka ofruar përkrahje dhe rritje buxhetore për trajnim të duhur për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.

Ai po ashtu tha se do të bëjë çmos që së bashku me QKUK-në të ngritin kapacitetet e tyre që trajtimi i kësaj sëmundje të bëhet në QKUK.

Ndërkaq, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka kërkuar mbështetje institucionale për parandalimin dhe diagnosifikimin e kancerit të gjirit.

Ajo tha se është shqetësuese edhe rritja e numrit të grave të prekura nga kjo sëmundje e cila ka shënuar rritje për 20 raste më shumë krahasuar me vitet tjera.

Jahjaga po ashtu tha se edhe mungesa e zbatimit të ligjit për sigurim shëndetësor sfidon përgjigjen efikase ndaj kancerit të gjirit.

E kryetarja e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, Nafije Latifi, e cila ishte edhe organizatore e kësaj ecje, tha se këtë rrugëtim e nisën me qëllim të mirë për të ofruar informata për gratë për kancerin e gjirit.

Ajo po ashtu tha se duhet partneriteti politik, mjekësor, njerëzor, medial për të arritur në plotësimin e misionit për luftimin e kancerit të gjirit.

Për të përkrahur të prekurat nga kanceri i gjirit në manifestimin e organizuar nga “Jeta’Vita”, morën pjesë edhe fytyra të njohura politike si zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, kandidatët për të parin e kryeqytetit, Arban Abrashi e Arbër Vllahiu dhe një numër i madh i qytetarëve të Prishtinës.

Ndryshe, muaji tetor njihet ndërkombëtarisht si muaji për ndërgjegjësim mbi sëmundjen e kancerit të gjirit./Mesazhi/

Exit mobile version